Për një Terapi Shtetërore

Ashtu sikurse individët që përballen me neuroza të ndryshme, edhe shoqëritë bartin neuroza kolektive. Ashtu sikurse tek individët tek të cilët ndrydhja e problemeve për një kohë të gjatë, manifestohet me shpërthimin e tyre në një periudhë të caktuar; edhe tek kolektivitetet, mos trajtimi dhe shtyrja e problemeve mund të manifestohet me shpërthime të ndryshme kolektive.

E këto shpërthime gjithnjë janë të dhunshme.

Protestat e kësaj jave, të cilat morën shkak nga fyerjet drejtuar viktimave të luftës nga ana e zëvendëskryeministrit Aleksander Jabllanoviç dhe nga tërheqja e paarsyetueshme e Qeverisë lidhur me statusin ligjorë të Trepçës, janë vetëm shkake anësore të pakënaqësisë qytetare dhe protestave.

Problemet kolektive shoqërore janë shtyrë më shumë se një dekadë. Përveç pakënaqësive të shumta dhe paaftësisë së qeverive të pasluftës për tu marrë me to, institucionet nuk kanë treguar se dinë të marrin parasysh edhe protestat e buta të qytetarëve.

Me protesta të buta të qytetarëve nënkuptoj shprehjen e pakënaqësisë përmes votës, shprehja e pakënaqësisë me peticione, greva e ankesa institucionale. Kur të gjitha këto mekanizma dështojnë, e vetmja formë e protestës mbetet kjo që po e shohim – demonstrata të cilat kalojnë edhe në dhunë e demolime. 

Nga seanca e djeshme Kuvendit për migrimin, nuk doli asnjë rezultat konkret, ngase të zgjedhurit që të debatojnë e të zgjidhin këto çështje, nuk ishin në seancë për të votuar as edhe një rezolutë simbolike, e cila nuk do të zgjidhte problemin, por së paku do tregonte se ky është shqetësim i cili po trajtohet nga institucionet. 

Jo të gjitha problemet socio-ekonomike janë krijuar nga koalicioni aktual qeverisës, edhe pse këto dy parti qeverisëse kanë përgjegjësinë më të madhe për gjendjen socio-ekonomike në vend, për shkak se kanë qenë pjesë të qeverisjes në forma të ndryshme, që nga institucionet e para qeverisëse të pasluftës. 

Por, paaftësia e Kryeministrit Mustafa për të treguar se qeverisja e tij do të jetë ndryshe nga ajo e Thaçit, mungesa e një plani konkret qeverisës, komunikimi i tij përmes Facebook dhe shpeshherë duke akuzuar grupe të ndryshme shoqërore, i a kanë mbyllur rrugën një dialogu konstruktiv me të gjitha grupet shoqërore.

Tani, Qeveria e re ndodhet para një presioni real, presion të cilin mund ta liroj përkohësisht vetëm duke trajtuar seriozisht “problemin Jabllanoviç” dhe duke treguar se ka strategji konkrete për Trepçën.

Por, kjo nuk do të zgjidh të gjithë problemin. Siç e thash në fillim, këto janë vetëm shkake anësore të një problemi shumë më të madh  – që është gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale. Pa u trajtuar ky problem, edhe incidentet më banale si ai i Jabllanoviç do të shndërrohen në kriza të pakapërcyeshme për këtë dhe çdo qeveri tjetër.

Andaj, na nevojitet një terapi shtetërore, e cila prek thelbin e neurozës kolektive – papunësinë dhe varfërinë. Sipas psikoterapeutit Viktor E. Frankl, ajo që i shtyen njerëzit të jetojnë e të motivohen për jetë, është ekzistimi i qëllimit për të jetuar. E njëjta vlen edhe për shtetet. Shteti i Kosovës duhet të ri-gjej një motiv më të lartë me qëllim që të arrij të ushqej shpreson dhe motivin shoqërorë. 

Shoqëria kosovare gjithnjë e ka pasur një qëllim, i cili është definuar nga politika, por në realizimin e së cilit ka kontribuar shumica e popullsisë. Deri në vitet e ’90 ky qëllim final kolektiv ishte në masë të madhe sigurimi i statusit të republikës në kuadër të Jugosllavisë (edhe pse ka pasur mjaft zëra edhe në këtë periudhë për një Kosovë që i bashkohet Shqipërisë). Në vitet e ’90 ky qëllim u zëvendësua me çlirimin e Kosovës nga okupimi. Pas ’99 qëllimi kolektiv ishte sigurimi i pavarësisë. Tash, cili është qëllimi kolektiv i shoqërisë kosovare?

Ky qëllim duhet të formulohet e ky qëllim duhet të jetë krijimi i një jete më të mirë ekonomike dhe sociale për të gjitha anëtarët e shoqërisë. E fatkeqësisht, asnjë qeveri deri më tani nuk ka ditur të formuloj një vizion të tillë ekonomik – i cili do të jepte shpresë për një të ardhme më të mirë dhe realizimi i të cilit do të ishte qëllim i tërë qytetarëve. 

Deri në formulimin e një vizioni të qartë ekonomik dhe ngritjen e standardit të jetesës, nuk duhet të çuditemi me sjelljen jo normale të qytetarëve në protesta. Ngase situata e përgjithshme ekonomike, sociale e politike nuk është normale. Sipas Viktor E. Frankl, “të sillesh në mënyrë të jashtëzakonshme, në një situatë jonormale, në fakt është sjellje normale.”