Duhet të Flasim për “Charlie”-n

Derisa në Paris po shpaloseshin një pas një ngjarjet tragjike, mu kujtuan “Vargjet Satanike” të Rushdie-s. Transformimi i protagonistit Saladin Chamcha nga një aktor në zë me prejardhje indiane por shkollim britanik, në një krijesë që i ngjason djallit, e që duhet të fshehet nëpër nënkulme e bodrume londineze, lehtësisht mund të lexohet si një analogji e perceptimit dhe jetës së një imigranti ilegal dhe të racializuar në perëndim – të frikësuar dhe të shënjuar, duke ikur dhe fshehur.

Sikur fundamentalistët ta lexonin këtë libër, sigurisht do të identifikoheshin me shumë gjëra në të. Mirëpo, fundamentalistët e asnjë lloji, nuk lexojnë libra të tillë “mëkatarë” dhe i duan interpretimet të jenë të thjeshta dhe të qarta. Mirëpo, çështjet rrallë janë të thjeshta dhe të qarta. Prandaj, duhet t’i rezistojmë prirjes për të thjeshtuar gjërat dhe të shndërrohemi edhe vetë në një lloj fundamentalistësh dhe këtë praktikë duhet ta fillojmë nga sulmet në Paris.

Sulmi në “Charlie Hebdo” ishte një përkujtim i tmerrshëm se sa e ndarë është bota dhe si këto ndarje po përforcohen, derisa ne po fshehemi prapa hendeqeve tona. Fjalës “tmerrshëm” ndoshta i mungon thellësia e duhur për të përshkruar tronditjen e përjetuar nga njerëzit kudo në botë – nuk duhet harruar se kërcënimi nga ideologjia që qëndron prapa këtij sulmi është kërcënim global.

Edhe kosovarët ndjehen sidomos të prekur nga ky kërcënim duke qenë se janë popull kryesisht mysliman dhe është vërejtur një rritje e dukshme në organizimin e bashkësive myslimane të cilat perceptohen si “fundamentaliste” apo “radikale”.

Edhe pse, edhe unë, i dënoj fuqishëm këto vrasje dhe qëndrova e ngjitur pas kompjuterit tim derisa po shikoja se si tragjedia shpalosej, nuk desha ta përdor hashtagun “Je suis Charlie”, sepse, siç nënvizuan shumë të tjerë, me të drejtë, se jo të gjithë ne jemi “Charlie”.

Për dallim nga mediat nëpër botë, në mediat kosovare nuk u diskutua gjërë e gjatë për atë se çka në të vërtetë bën “Charlie Hebdo”. Përveç se ka vizatuar profetin, në të kaluarën kjo gazetë ka botuar edhe karikatura raciste dhe anti-semitike. Në vitin 2009, një anëtar i kësaj gazete ishte pushuar nga puna pas botimit të përmbajtjeve anti-semitike.

Por, nuk u pa e arsyeshme (sidomos jo pasi zyrat e revistës u sulmuan me bombë më 2011) që të mbahej dikush përgjgjës për ofendimin e ndjeshmërive myslimane. Fuqia e satirës rrjedh nga kapaciteti për t’u tallur me të fuqishmit, dhe jo për të riafirmuar stereotipet raciale të të shtypurve. Por, të kritikosh “Charlie Hebdon” nuk nënkupton fajësim të viktimave për vrasjen e tyre, apo arsyetim për këtë tragjedi. Fatkeqësisht nuk ka probleme të cilat mund apo duhet të formulohen si “ose për/ose kundër” – dikush mund të mos jetë “Charlie” e as kundër tij.

Presidentja Atifete Jahjaga dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi iu bashkuan tubimit për unitet në Paris, ndërsa komunitetet islame në Kosovë dhe Shqipëri ishin të shpejtë për të dënuar sulmet, duke tërhequr kështu një vijë të qartë dallimi mes terroristëve dhe “islamit të vertetë”.

Një përjashtim nga ky interpretim i ngjarjeve erdhi nga Forumi Rinor Islamik, i cili lëshoi një komunikatë me të cilën fajësonin shtetin francez për shtypjen e minoriteteve të veta dhe kërkonin nga Ambasada Franceze në Kosovë të “demokratizonin” Francën.

Stuhia mediatike nxiti përgjigje emocionale prej disa kosovarëvë të cilët ishin mjaft nonchalantë disa javë më parë, kur një sulm i supozuar terrorist u parandalua në Prishtinë natën e krishtlindjeve.

Duke iu bashkuar diskursit mbizotërues në lidhje me “luftën kundër terrorizmit”, njerëzit nxituan të vihen në krah të francezëve dhe të fajësojnë myslimanët (kushdo dhe kudo që ata janë), duke riafirmuar kështu një diskurs i cili insiston të thjeshtojë interpretimin e kësaj çështjeje në një simptomë të “përplasjes mes civilizimeve”.

Që shqiptarët vetë janë dëshmi se një ndarje e tille binare mes civilizimeve të Perëndimit dhe Lindjes është e pamundur dhe thjesht e gabueshme, duket se u shpëton shumë shqiptarëve.

Që ata vetë janë myslimanë, të cilët e praktikojnë ose jo fenë, dhe si të tillë janë dëshmi se islami mund të marrë trajta të ndryshme dhe se besimtarët mund të jenë bile edhe pro-amerikanë e liridashës, duket se nuk u lë përshtypje atyre që komentojnë.

Është gjithashtu ironike  që këta shqiptarë, qofshin ata myslimanë apo vetëm mbajnë emra myslimanë dhe si pasojë diskriminohen në mënyrë arbitrare, sepse retorika pas 11 shtatorit i ka etiketuar të gjithë myslimanët si kërcënim potencial, nuk mund ta frenojnë veten nga orvatjet për t’i dëshmuar botës se, edhe ne, jemi “evropianë”, dhe ndajmë të njëjtat vlera (gjë që është e pamundur të arrihet pasi që një identitet evropian as që ekziston).

Kotësia e këtij akti është e parëndësishme, sepse edhe pse mesazhi nuk arrin dot në veshët e francezëve, apo “Perëndimit”, u flet fuqishëm njerëzve në Kosovë. Për këta njerëz kjo porosi është e dyfishtë: i konfirmon aspiratat e Kosovës për t’u bërë “plotësisht evropiane”, demokratike dhe sekulare; por gjithashtu u jep sinjale myslimanëve që praktikojnë fenë se pozita e tyre është e rrezikuar dhe të drejtat e tyre të papërfillshme.

Në Kosovë ka filluar një luftë kundër terrorizmit, siç e ka bërë të qartë ish-kryeministri Hashim Thaçi në një opinion të botuar në gazetën britanike, Guardian.

Por, si shoqëri ne kurrë nuk e kemi diskutuar këtë luftë kundër terrorizmit, kë shënjon dhe e kemi pranuar për të qenë që lufta e Amerikës kundër terrorizmit, e cila është përdorur si shkas për pushtimet në Irak dhe Afganistan, është gjithashtu edhe lufta jonë.

Por, për dallim nga ShBA-të dhe besa edhe Franca, ku kundërshtimi publik i këtyre luftërave lirshëm mund të shprehet, në Kosovë është e pamundur të vihet në pikëpytje lufta kundër terrorizmit. Madje, është bërë e pamundur të argumentohet kundër përshkrimeve raciste të myslimanëve ose dikriminimit të tyre, pa u etiketuar si fundamentalist (siç e ka kuptuar së fundmi “Vetëvendosja”).

Nëse e kemi një problem fundamentalizmi në Kosovë, duket se nuk reagon ndaj “provokimeve,” ngase as përkthimi i “Vargjeve Satanike” e as i “Deluzionit Zot” të Dawkins-it, nuk nxiti as protesta apo djegie të librave, e aq më pak vrasje.

Ekziston një diskrepancë në mes të rëndësisë që i jepet kërcënimit të perceptuar islamik, dhe kërcënimeve të tjera të mundshme kundër sigurisë kombëtare. Ky është një rezultat i agjendave të ndryshme politike, po edhe ngase është shumë më lehtë t’i bashkohesh “ A-Team”-it kundër “Boshtit të së Keqes”.

Në të njëjtën kohë është dhe efekt anësor i diskursit orientalist që villet gjithandej botës, e që përforcon idenë e një armiku të përbashkët të huaj – pra ai i islamit radikal. Që lufta kundër terrorizmit ka pasë një efekt si Hidra duke krijuar shumë fraksione të dhunshme që janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, nuk është një narrativë e thjeshtë e andaj edhe e papërshtatshme.

Madje as presidenti Obama nuk bën dallimin në mes të “Al Qaeda”-s dhe “Shtetit Islamik” (ISIS), ndonëse këto të dyja janë në luftë për pushtetin suprem mbi “luftën e shenjtë” . Dy grupet terroriste dallojnë: “Al Qaeda” mbështetet në sulme të profilit të lartë në Perëndim, siç ishte sulmi në Paris, derisa përmes mjeteve brutale ISIS-i veç më ka themeluar një kalifat në Irak.

Që të dyja rekrutojnë në Perëndim por ISIS-i është duke rekrutuar agresivisht njerëz gjithandej Evropës për të luftuar në luftën e vet të shenjtë. Dhjetëra kosovarë veç më kanë ikur për të luftuar në Siri dhe janë të shoqëruar nga evropianë të tjerë, duke e bërë kështu Evropën një eksportuese të terroristëve, sesa anasjelltas. Këta njerëz nuk mund të shihen si raste të izoluara, por si produkte të këtyre shoqërive, duke përfshirë edhe tonën dhe bëhet detyrë e jona ta inspektojmë paraqitjen e tyre. 

Para se të prangosim imamë dhe islamistë radikalë (dhe shumë shpejt t’i lirojmë, sepse nuk ka pasur mjaft dëshmi për t’i arrestuar në radhë të parë) dhe para se të “shënjojmë” komunitetin minoritar të myslimanëve si të rrezikshëm, ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë.

Kjo bisedë do të jetë dhe duhet të jetë e pakëndshme, sepse para se t’i përjashtojmë myslimanët fundamentalistë nga shoqëria jonë sekulare dhe t’i mohojmë të gjithë ata që janë duke luftuar në Siri, duhet të analizojmë se si erdhëm deri këtu. Pavarësisht nëse përgjigjja është ekonomia, xhihadi global apo diçka tjetër, kjo ka pak rëndësi, përderisa kjo pyetje më në fund shtrohet.