Përse Kosovarët Morën Pikërisht Atë që e Votuan

Shumë shpejt pas zgjedhjes në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara në vitin 2009, Barack Obama u takua me Eric Cantor-in, njërin nga udhëheqësit e Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, për të diskutuar idetë politike dhe mënyrat për ta nxjerrë ekonominë nga shkatërrimi i mëtejmë.

Duke bërë një gjest që edhe më tej përforconte fitoren e pabesueshme që ai kishte shënuar, si dhe duke u treguar si një fitimtar politik i bindshëm, ai i kishte thënë Cantorit: “Zgjedhjet kanë pasoja dhe unë kam fituar.”

Ishte ky moment kyç për vendin i cili gjendej në mes të krizës më të madhe ekonomike në më shumë se 70 vjet. Por, komenti i Obamas ishte historik, pasi që trajtonte thelbin e demokracisë dhe zgjedhjeve që njerëzit i bëjnë kur votojnë.

Zgjedhjet vërtet kanë pasoja të mëdha e nganjëherë edhe rezultojnë me ndryshime historike, siç ishte momenti i zgjedhjes së Nelson Mandelës president i Afrikës së Jugut, apo kur Obama u zgjodh presidenti i parë me ngjyrë në ShBA.

Në raste tjera, zgjedhjet sjellin në pushtet forca politike të cilat mund të mos i sjellin domosdoshmërisht të mira vendit. Nganjëherë votuesit bëjnë zgjedhje të pazakonta të cilat sjellin në pushtet vazhdimisht njerëzit e njëjtë, përkundër dëshmive të korrupsionit politik, frikësimit të votuesve, marrëveshjeve të dyshimta dhe nepotizmit.

Pa marrë parasysh rezultatin përfundimtar në thelb zgjedhjet do duhej ta validonin gjykimin e votuesve. Demokracia rrënjët i ka në besimin se shumica e ka të drejtën dhe aftësinë për t’ia bartur kontrollin politik disa individëve për një kohë të caktuar.

Së paku kështu thotë teoria. Definimi operativ i zgjedhjeve të sotme nënkupton kalimin e kontrollit nga një fuqi politike te një tjetër, me mbikëqyrje minimale dhe fare pak ndryshime. Ajo që publiku nxjerr nga kjo punë janë pasojat, çfarëdoqofshin ato, por më shpesh ato prodhojnë rezultate paradoksale, ngërçe politike, paraliza sistemore e apati.

Kjo ngjau në Kosovë fill pas konsolidimit të parlamentit. Frustrimi dhe pakënaqësia e theksuar e publikut mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe formimin e qeverisë gjatë muajit të kaluar ishin thjesht validim i një procesi zgjedhor. Para tetë muajsh kosovarët dolën në zgjedhje dhe nxorën rezultatin i cili pak a shumë pritej: një mozaik politik i fragmentuar me forca politike të cilat u ngutën për të krijuar koalicione.

Vendi ra në paralizë për disa muaj, por lojërat politike prapa dyerve të mbyllura dhe pazaret politike nuk janë unike për Kosovën; ato janë karakteristikë e të gjitha sistemeve parlamentare shumëpartiake.

Megjithatë, është zhvillim interesant për vendin të shihet se si kosovarët shfryjnë frustrimin e tyre për marrëveshjen e fundit politike të arritur mes dy partive politike më të mëdha pas gjashtë muajsh paralize.

Disi, kjo humbje e shpresës sugjeron që procesi demokratik është thyer dhe votuesit janë duke u mashtruar me këtë marrëveshje. Megjithatë, mbetet fakt i pamohueshëm se qeveria e re gëzon shumicën e votave. Nga ky këndvështrim, partitë politike të cilat kanë fituar pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet e fundit kanë krijuar qeverinë dhe sipas definicionit kjo atyre u jep legjitimitet politik i rikonfirmuar nga votat e shumicës.

Votuesit kanë të drejtë kur frustrohen me disa figura politika të cilat janë rizgjedhur apo  riemëruar në qeverinë e re, por edhe me dështimet e kaluara dhe korrupsionin e përhapur.

Nuk ka asgjë të keqe që të shprehet pakënaqësia me një grup politikanësh të cilët vazhdojnë të mos i shërbejnë vendit si duhet dhe të shfrytëzojnë kuletën publike për përfitime private. Por, kritikat për aranzhimin aktual politik dhe qeverisës nuk janë të orientuara si duhet dhe nuk zgjidhin gjë. Disa prej atyre që janë zgjedhur mund të jenë të korruptuar, e mbase edhe nuk janë zgjidhja e duhur për vendin, por janë ata politikanët që kanë fituar zgjedhjet. Ata kanë fituar shumicën e votave dhe janë pajtuar që të bëhen bashkë e të krijojnë qeverinë.

Ata që nuk përkrahin formimin e kësaj qeverie ose kanë pasur pritje të gabueshme gjatë tetë muajve të fundit ose nuk kanë arritur të kuptojnë ndryshimin mes dallimeve politike dhe proceseve demokratike të cilat nuk iu kanë shkuar për shtati. Nuk është e thënë të jesh përkrahës i partive politike që aktualisht janë në pushtet për të pranuar legjitimitetin politik të tyre. Pranimi i humbjes me elegancë është shenjë e maturisë demokratike.

Në vend të kësaj, frustrimi politik do duhej të inkurajojë një zhvillim politik aktiv, larg nga levat e pushtetit, i cili lidh votuesit në nivel themelor, ua sqaron atyre arsyet bazike përse nuk do duhej t’i rizgjedhin politikanët të cilët i kanë bërë shumë dëm shtetit. Vetëm duke punuar me votues dhe duke e fituar besimin e tyre mbi çështje të cilat janë të rëndësishme për ta, mund të arrihet deri tek ndryshimet e mëdha.

Megjithatë, për momentin kosovarët e kanë legjitimuar këtë qeveri me votat e tyre. Për të mirë apo për të keq, votuesit do të merren me pasojat e votave të tyre. I mbetet opozitës që të shfrytëzojë këtë mundësi për të edukuar votuesit dhe për të kërkuar kujdes të shtuar në përzgjedhjen e alternativave më të mira herën e radhës. Demokracia kështu funksionon, me gjithë faktin se nuk është përkryer dhe ka të meta. Sa më shpejt që kosovarët të mësohen me të, aq më shpejt do t’i gjejnë metodat alternative për zgjedhjen e qeverive që gëzojnë më shumë përkrahje publike.