A po Vazhdon Serbia Fshehjen e Masakrave ndaj Kosovës?

Trupat e rreth 900 shqiptarëve të Kosovës që “u zhdukën” nga forcat serbe janë zhvarrosur në Serbi deri më tani. Nga viti 2002, u gjetën eshtrat e 744 personave që ishin në varre masive në tokën e Ministrisë së Brendshme në Batajnicë pranë Beogradit dhe 70 të tjerë në Petrovo Selo; 84 u gjetën në liqenin Perucac.

Këto trupa iu kthyen familjeve. Të tjerë besohet se janë shkatërruar në furra industriale në Surdulicë dhe Trepçe.

Rreth 45 trupa – serish mendohet të shqiptarëve të Kosovës – janë zhvarrosur nga gurorja e Rudnicës pranë Rashkës në muajt e fundit. Në Kosovë, të afërmit e atyre që ende janë të zhdukur po presin të gjejnë anëtarët e familjes mes trupave që po nxirren.

Amnesty International ka nxitur prej shumë kohësh që hetimi dhe dënimi i operacioneve të fshehjes duhej të ishte një prioritet i Zyrës së Prokurorisë Serbe për Krimet e Luftës. Megjithëse, më shumë se 10 vite më parë, më 24 qershor 2003, Vladan Batic, Ministri i Drejtësisë në atë kohë, duke iu referuar hetimeve në Batajnicë dhe Petrovo Selo, la të kuptohej në një intervistë për median se këto do të ishin ndër çështjet e para që do të merreshin në shqyrtim, sipas ligjit që hyri në fuqi në korrikun 2003 për krijimin e Zyrës së Prokurorisë së Krimeve të Luftës.

Në vitin 2004, Komiteti i OKB për të Drejtat e Njeriut i bëri thirrje autoriteteve të hetonin dhe ndiqnin penalisht; por në vitin 2011 i njëjti komitet, në vëzhgimet përfundimtare, zbuloi se “asnjë progres domethënës nuk ishte bërë në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e përgjegjësve për vrasjet e më shumë se 800 personave, trupat e të cilëve u gjendën në varre masive në dhe pranë Batajnicës dhe për kthimin te familjarët e viktimave.”

Në korrik 2012, në përgjigjen ndaj Komitetit të të Drejtave të Njeriut, qeveria konfirmoi se hetimet kishin qenë një prioritet i Zyrës së Prokurorisë për Krimet e Luftës që nga zanafilla dhe më shumë se 80 dëshmitarë ishin marrë në pyetje.

Ende, pavarësisht një hetimi mbi të gjitha provat e mundshme, Shërbimi i Hetimit të Krimeve të Luftës, një departament policor i Ministrisë së Brendshme, nuk ka arritur të dalë në një përfundim të besueshëm për Prokurorinë e Krimeve të Luftës në identifikimin e atyre që kryen krimet.

Në shkurt 2011, Vlastimir Djoredjevic, ish-asistent Ministër i Punëve të Brendshme dhe shef i Departamentit të Sigurisë Publike (RJB), përgjegjës për të gjitha njësitë RJB në Kosovë, u dënua në tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe dy për krime lufte.

Ai akuzohej për përgjegjësi në përgatitjen “e një sipërmarrje të përbashkët kriminale me Stojiljkovic dhe të tjerë, ku ai mori rolin kryesor si planifikues, nxitës, urdhërues dhe zbatues i programit të fshehjes nga anëtarët e RJB dhe njësitë e komanduara të krimit të vrasjes, bashkëpunimit me persona në RDB (Sigurimin e Shtetit) dhe me VJ (Ushtrinë Jugosllave).

Me përjashtim të Djordjevic, asnjë anëtar i RJB, as edhe një komandant ushtarak apo policor i cili bashkëpunoi dhe zbatoi operacionin e mbulimit, nuk u soll përpara drejtësisë, pavarësisht nga faktet e bollshme të dhëna në Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë.

Në maj 2013, zyra e prokurorisë për krimet e luftës nxori një deklaratë për shtyp ku thuhej se dy oficerë policie, njëri oficer në xhandarmëri, ishin arrestuar për dyshime në kryerjen e krimeve të luftës kundër të paktën 65 civilëve shqiptarë dhe për “dëbimin dhe transportimin e trupave të atyre që u vranë në fshatin e Lubenicës për në qendrën e policisë në Batajnicë”.

Ata ishin ndër pesë individët e akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e të paktën 65 civilëve shqiptarë të Kosovës në fshatin Lubenicë në Kosovë gjatë prillit dhe majit të vitit 1999. Ata akuzoheshin gjithashtu për deportimin dhe transferimin e kufomave të viktimave nga Lubenica në vendin e stërvitjes së Ministrisë së Brendshme në Batajnicë, për varrosje në një varr masiv.

Amnesty International shpreson që kjo të jetë pjesë e një aktakuze më të gjerë, që u la të kuptohet në raportin për krimet e luftës të zyrës së prokurorisë në vitin 2013 dhe në një intervistë për një media në tetorin 2013 kur Kryeprokurori Vladimir Vukcevic deklaroi se rasti i Batajnicës ishte nën proces, se persona të pa përmendur me emra ishin nën hetim dhe se aktakuzat do të paraqiteshin në përfundim të hetimit.

Megjithatë, më 22 nëntor 2013, kur prokurori lajmëroi se një aktakuzë ishte ngritur në çështjen e Lubenicës, asnjë referencë nuk u bë për eshtrat e transferuara në Batajnicë.

Kur procedurat u hapën më 8 shtator 2014, aktakuza nuk ishte bërë ende publike, por Amnesty International është informuar në mirëbesim se akuza në lidhje me transferimin e kufomave në Batajnicë nuk ishin përfshirë në aktakuzë.

Teksa disa prej përgjegjësve për vrasjet e shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 janë ndjekur apo po ndiqen penalisht, nuk ka ende të dhëna se ndonjë nga zyrtarët e lartë përgjegjës për operacionin e mbulimit do të çohet në gjyq.

Serbia ka ratifikuar në vitin 2011 Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Njerëzve nga Zhdukja me Dhunë (CPED) dhe ka njohur të gjitha kompetencat e Komitetit për Zhdukjet me Dhunë për të marrë dhe konsideruar bisedime nga dhe në emër të viktimave.

Megjithëse zhdukja me dhunë e shqiptarëve të Kosovës ndodhi në 1999, sipas ligjit ndërkombëtar, ata konsiderohen ende si një krim në vazhdimësi për sa kohë fati dhe vendndodhja e tyre mbetet e paqartë.

CPED e detyron Serbinë të hetojë dhe ndjekë penalisht, dhe të sigurojë që të afërmit e të zhdukurve të kenë kompensimet e përshtatshme, përfshirë edhe të drejtën për të ditur se çfarë i ndodhi pjesëtarëve të familjes dhe për të marrë kompensim.

Përveç kësaj, dështimi i autoriteteve për të informuar anëtarët e familjes për fatin dhe vendndodhjen e personit të zhdukur me forcë dhe dështimin e tyre për të kryer hetime të shpejta, të paanshme dhe të plota për këto raste, përbën një shkelje të të drejtave të anëtarëve të familjes (sipas nenit shtatë të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe nenit tre të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut).

Në bazë të Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, në të cilën Serbia bën pjesë, zhdukjet me dhunë mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit,” kur kryhen si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik, kundër popullsisë civile”.

Sa kohë do të kalojë derisa zyrtarë të lartë, të cilët janë të dyshuar për mbulimin e provave dhe derisa anëtarë të Departamentit të Sigurisë Publike që morën pjesë në dëbimin dhe transferimin e trupave të shqiptarëve të Kosovës në Serbi, të ndiqen për krime kundër njerëzimit?

Nëse departamenti i policisë përgjegjës për hetimin e këtyre krimeve nuk mund pas 10 viteve, të identifikojë të dyshuarit, me siguri do të jetë momenti kur zyra e prokurorit serb për krime lufte do të ketë pasurim shtesë me hetues dhe analistë, ose do të reformohet Shërbimi i Hetimeve të Krimeve të Luftës në një njësi të paanshme, të pavarur, të plotë dhe efektive?

Sian Jones është një studiues pranë Amnestly International. Një përkthim serbisht i raportit të Amnestly International, ‘Serbia: Përfundimi i Mosndëshkimit për Krimet sipas Ligjit Ndërkombëtar’, do të lançohet në Beograd në tetor. Ky artikull është botuar fillimisht në buletinin e Qendrës për të Drejtën Humanitare ‘Përmes Aderimit Drejt Drejtësisë’.