Të Qenët Politikan nën Presionin e Mbijetesës

Prej përvojës personale e di se një prej politikanëve më të pakorruptuar (emrin nuk po ia cekim) deri më sot, sipas bindjes gjithëpopullore, prej fillimit të mandatit të tij e deri ditën e fundit ka ardhur në punë me sirenën e veturës së tij zyrtare të lëshuar në maksimum.

Në qetësinë e mëngjesit, aty diku rreth orës nëntë, për çdo ditë tmerroheshim nga sirena e lëshuar e xhipit të tij zyrtar. Pa më të voglën nevojë, pa asnjë shpjegim, tmerroheshim nga ajo sirenë.

“Junky” është term që përdoret për të varurit nga heroina. Të gjithë të varurit nga drogat, prej atij në kafe, atij në cigare, atij në droga më të rënda, e deri tek ai i varur ndaj heroinës kanë të njëjtat simptome, por ky i fundit ka varësi fizike, organike-heroina duke krijuar trupa brenda organizmit të konsumuesit dhe konsumimi i saj duke eskaluar në të vetmin qëllim të jetës.

“Junky” nuk ka asnjë qëllim në jetë, asnjë përpos të përmbushjes së dozës ditore, sido që është e mundshme, gjë që shpesh e shtyn atë të kalojë në botën kriminale. Për “Junky-n” në çdo moment dhe në çdo kontekst, instinkti i tij ka vetëm një qëllim-të arriturit, të siguruarit e dozës. Në spital, në funeral, në shkollë, në xhami, ai/ajo do të jetë i kufizuar vetëm nga kërkesa e organizmit të tij.

Dhe kushdo që është pranë, gjendet në kontekstin ku ndodhet dhe ai, është donator potencial i dozës së radhës. Apo në momentin kur ai/ajo gjendet në një kontekst, tërë qenia e tij është e fokusuar në të selektuarit e mundësive për dozën. Në pikëllim, duke u falur, duke punuar, të gjithë jemi pre e tij/saj potenciale. Dhe paradoksi, absurdi dhe dhembja më e madhe është se në këtë fazë ai/ajo as nuk e ndjen kënaqësinë e heroinës.

Kumarxhiu nuk njeh asgjë përpos të fituarit të lojës së radhës. Thuhet se asnjë prej tyre kurrë nuk ka fituar, por përkundrazi kanë humbur tërë atë që kanë pasur në jetë duke u marrë me kumar. Dhe të gjithë ata të varur nga kjo sjellje luajnë gjatë tërë jetës së tyre. Gjithashtu edhe këta në çdo kontekst, në çdo kohë dhe në çdo gjendje janë në kërkim obsesiv të presë së radhës. Dhe po ashtu, njëjtë me junky-n,  praratë për të cilat sakrifikojnë dhe shesin çdo gjë, për kohë shumë të shkurtër nuk u japin kënaqësi. Sado që do të fitojë në një lojë, në tjetrën do t’i humbë.

Kënaqësia e tyre nuk është te paraja e fituar, por tek ankthi (thrill) për të arritur adrenalinën e radhës.

Avokati i cili ka shërbyer tërë jetën e tij kriminelë të vënë para gjyqit, të gjithëve na sheh si kriminelë potencialë, na heton për krimin që kemi kryer, apo që do të kryejmë. Nuk mund të na shohë si njerëz normalë që vuajmë për pak kuptim dhe që jetojmë për pak rehati. Dhe nuk është kënaqësia e tij për ta mbrojtur kriminelin, por për të zbuluar në ne kriminelin.

“Junky”, kumarxhiu dhe avokati marrë këtu në kontekstin më të rastësishëm me qëllim për të krijuar shënjuesin rastësor (random signifier, term i poststrukturalizmit) kanë një gjë të përbashkët-kur e arrijnë qëllimin, dozën e tyre, arrijnë pushtetin. Arrijnë mbi botën dhe mbi ne vdekatarëve. Janë të plotfuqishëm dhe omnipotentë në botën, lojën e tyre, ne të gjithë që gjendemi në afërsinë e tij/tyre jemi të kalueshëm pa më të voglën rëndësi dhe vlerë. Është pushtet i arrirë duke sakrifikuar realitetin personal-pushtet klasik.

Po politikani? Psikologjia thotë se pushteti është shtytje e natyrshme e njeriut dhe edhe më i drejti, më i urti dhe më i qeti do të kalojë në rolin e pushtetarit (të jetës së përditshme apo të kontekstit ku gjendet) nëse i krijohet mundësia. Jo pse është njeri i keq, i dobët apo i bartur nga motive të ulëta, por raporti mes dy individëve kërkon strukturim pushteti dhe në raport në mes dy individëve doemos duhet mbushur zbrazëtia e shoqërimit. Atëherë politikani është individi, apo roli social i dhënë prej shoqërisë, shtetit etj, për të pasur pushtet mbi të tjerët.

Por duke pasur parasysh tri kategoritë sociale të lartpërmendura, ndoshta duhet pyetur sa është i fuqishëm politikani, kandidati për zgjedhje i cilësdo parti të zgjedhjeve parlamentare 2014 në Kosovë, për të mbizotëruar pushtetin e dhënë nga shoqëria.

Pushteti është ndjenja më e mirë që mund të përjetojë njeriu në jetë: gjatë dhe pas seksit, në lindje të fëmijës, në të mësuar të një nxënësi, në shërim të të sëmurit dhe gjithherë kulmi është kur ndjehemi të pushtetshëm.

Të njohurit të çfarëdo mjeku të përkujton njëlloj pikëvështrimi më të lartë se normalja e të gjitha pikëvështrimeve të zakonshme ndaj tjetrit. Apo e profesorit. Apo e vozitësit të autobusit brenda autobusit.

Në çiftet e martuara kurrë nuk përfundon lufta për pushtet deri në moshën e pleqërisë kur tanimë është mirëqenia e siguruar dhe njëri-tjetrin e shohin si nevojë. Aktorët e mëdhenj kur arrijnë një rol të madh pas shfaqjes janë tërësisht të kaluar, shndërruar në tjetër gjendje.

Policët kur janë në detyrë nga të qenët njerëz krejtësisht të zakonshëm shndërrohen në funksione mbikëqyrëse të shtetit.

Kosovari, ai i zakonshmi, prej ku vijnë këta kandidatë, prej mësuesve të denigruar jo vetëm nga nxënësit, por dhe vetë sistemi për të cilin betohen se do të punojnë si dinë më së miri e deri te më i pasuri, janë pre dhe nën presionin dhe obsesionin e të mbijetuarit.

Për shkak të pasigurisë financiare, pasigurisë gjyqësore (të drejtësisë) pasigurisë së ardhmërisë dhe duke qenë se janë të gjithë “pushtetarë” të frymëve në familjet e tyre që varen nga ata, ata dhe të gjithë ne jemi në një gjendje më të ulët vetëdijeje, jo për shkak të pazhvillimit dhe të ndonjë budallallëku në gjenet tona, por mu për shkak të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së jetës në Kosovë, jemi pre e instinktit për mbijetesë.

Dhe kur instinkti për mbijetesë është primar në qeniesimin e njeriut, ai kalon në një funksion të vetëm- mbijetesën dhe mosnjohjen e tjetrit.

Duke qenë se pushteti është gjëja më me kënaqësi dhe po ashtu me mundësinë për të kryer më të keqen, në momentin, kontestin dhe gjendjen ku gjendet kosovari, posti politik i sistemit është gjëja më e rrezikshme që ekziston. Është kombinimi më i rrezikshëm i mundshëm.

Athua si na sheh politikani (kandidati) para zgjedhjeve neve kur gjendemi në afërsi të tij në cilindo kontekst dhe në cilëndo gjendje? Nëse jemi në kafiteri dhe kandidati  hyn aty si i dukemi?

Në një hamendësim naiv, apo laik, sistemi i organizimit të zgjedhjeve është diçka shumë e çuditshme: mijëra persona duhet të votojmë për një person që ai të udhëheqë me jetët tona. Sipas mënyrës së organizimit të demokracisë ai duhet ta meritojë atë. Por duke kaluar nga hamendësimi naiv në perspektivë të djallit: a mund ta bartë pushtetin kandidati jonë?

Doza – një numër votash, kombinimi në bixhoz – numri i duhur i votave, rruga jonë e gabuar të cilën ai do ta drejtojë, e krijojnë një njeri krejtësisht jashtë realitetit. Ai arrin në gjendje tërësisht deluzive duke premtuar gjëra që të gjithë së bashku e dimë se nuk do të realizohen.

Freud pasi që kishte ardhur në fund të jetës së tij, në bisedat dhe shkrimet e fundit kishte shprehur pesimizmin e tij ndaj ardhmërisë së njerëzimit. Nuk e shihte njeriun të aftë për të mbizotëruar forcat destruktive që ka brenda. Në një dokumentar të para disa kohëve të BBC-së ku trajtohet lidhja e psikanalizës me organizimin dhe fitimin e zgjedhjeve politike në ShBA, del se që nga zbulimet e para të psikanalizës ajo ishte shfrytëzuar nga politikanët që megjithatë gjithherë kanë pasur një mirëqenie më të qëndrueshme se ne në Kosovë.

Nga aty shihej se nuk kishte orientim për të “ndihmuar” shtetin, popullin etj, por për të arritur dhe mbajtur këtë pozitë të pushtetshme të politikanit. Sipas po të njëjtit dokumentar dilte se Bill Clinton-i kishte intervenuar në Kosovë dhe Bosnjë vetëm pse statistikat dhe trendët e sjelljes së asaj kohe të votuesve potencialë të mandatit të dytë ishin të orientuara nga politika ndërkombëtare e Amerikës. Sidoqoftë ka qenë mirë për ne.

Një tubim partiak parazgjedhor, mijëra të tubuar duke brohoritur emrin tënd, këngëtare seksi që këndojnë për drejtimin tënd, secili individ i preokupuar me ty, mendoj se krijojnë një ndjenjë aq të pushtetshme sa që kandidati, politikani, qysh në këtë moment kalon në gjendje tjetër. Në cilindo kontekst që gjendemi afër tij, ne më nuk jemi njerëz të zakonshëm, ne nuk jemi as të rëndësishëm, ne me pavleftësinë tonë dhe vdekësinë tonë jemi këtu vetëm për të konfirmuar atë, si njeri me pushtet.

E në momentin kur ai zyrtarisht është i zgjedhur nga ne për të qenë më i pushtetshmi në shtetin e Kosovës, ai kalon në “junky”. Pushteti dhe i vetmi kërkim i tij mbetet përjetimi i dozës së radhës së pushtetit. Ndoshta prej këtu është e kuptueshme sirena krejtësisht absurde për katër vjet me radhë e veturës së politikanëve në rrugët e zbrazëta të mëngjesit.