Ankesat Anti-Shengen Përbëjnë Rrezik për Ballkanin

Më shumë se sa sulmet e tjera terroriste, si bombardimet e vitit 2005 në Londër dhe sulmet e janarit në Paris mbi Charlie Hebdo, sulmet e 13 nëntorit në kryeqytetin frencez nuk do të ndryshojnë vetëm debatin, por edhe rregullat në Europë.

Politika gjermano-suedeze e mosvendosjes së kufirit mbi numrin e refugjatëve sirianë është një prej atyre që do të preken – Suedia tashmë po tërhiqet nga bujaria e saj e mëparshme.

Një tjetër ‘viktimë’ – me shumë rëndësi për vendet e Ballkanit Perëndimor – janë marrëveshjet Shengen.

Një praktikë 20 vjeçare këtë vit, ose 30 vjet nëse e marrim që nga nënshkrimi, Shengen me shumë gjasa ofron më tepër përfitime të prekshme te njerëzit e zakonshëm në Ballkan se çdo aspekt tjetër i të gjithë projektit të integrimit europian.

Qeveritë në Ballkan mund të jenë më të interesuar në aspektet ekonomike të integrimit europian në kuptimin e tregtisë, investimit dhe infrastrukturës. Por për njerëzit e një shkalle më poshtë, liria për të qarkulluar në kontinent pa viza është një PSHU, Pikë Shitje Unike. Për ta, për këtë gjë është “Europa”.

Tani ëndrra për një Europë pa kufij është në rrezik si kurrë më parë, veçanërisht pas zbulimit se lideri i sulmeve të Parisit, Abdelhamid Abaaoud, hyri dhe udhëtoi nëpër Europë dy herë këtë vit.

Nuk janë vetëm opinionistët me ndikim që po flasin për të metat e marrëveshjeve Shengen, megjithëse shumë prej tyre po bëjnë thirrje për vazhdimësinë e saj.

Duke shkruar për New York Times, Ronald Noble, ish-shefi i Interpol, e quajti sistemin Shengen “një tabelë mirëseardhje” për terroristët.

Çfarë i shqetëson më shumë ata që janë pro Shengenit, politikanët në shtete të rëndësishme të BE-së po i bashkohen këtij kori. Kjo nuk është thjesht çështje e atyre të krahut të djathtë si Marine Le Pen në Francë – që siç merret me mend në sulmet e Parisit – e quajti sistemin Shengen “çmenduri”.

Më shumë politikanë të zakonshëm po thonë të njëjtën gjë. Horst Seehofer, kreu i Bashkimit Social Kristian, CSU, një nga partitë qeverisëse në Gjermani, ka kërkuar kthimin e kontrolleve të forta në kufijtë kombëtarë. Markus Söder, Ministri i Financave në Bavari, gjithashtu nga CSU, është dakord. “Parisi ndryshon gjithçka,” tha ai.

Për tani, liderët europianë, duke filluar me presidentin e Komisionit Europian, Jean Claud-Juncker, po e mbajnë qëndrimin të pandryshuar. Takimi i ministrave të drejtësisë dhe atyre të brendshëm të BE-së më 20 nëntor, thirrur nga Franca, gjeti konsensus vetëm në forcimin e kufirit të jashtëm të BE-së përmes kontrolleve më sistematike dhe ndarjes së informacionit të inteligjencës.

Asnjë prej këtyre nuk është kontraversal, ose një kërcënim jetësor për interesat e shtetasve të Ballkanit Perëndimor, të cilët – përveç shtetasve të pafat të Kosovës – kanë mundur të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen për pesë vite.

Marrëveshjet Shengen gjithashtu lejojnë pak freksibilitet. 26 shtetet anëtare të Shengen – 22 në BE dhe katër jashtë – mund të rivendosin kontrollet në kufi përkohësisht, një e drejtë që Franca tani po e zbaton në bazë të pacaktuar.

Pyetja është nëse ky lloj bishtnimi – ku disa vende pezullojnë sistemin Shengen “përkohësisht” ndërsa marrëveshja mbijeton në teori – është i mjaftueshëm.

Për momentin, përgjigjja është ndoshta. Por nëse një tjetër sulm i madh terrorist prek Europën në të ardhmen e afërt – dhe nëse krimi lidhet me bombardues që kalojnë kufijtë kombëtarë pa kontrolle – presioni do të jetë i padurueshëm.

Një ndalim i sistemit Shengen do të ishte një katastrofë për shtetet e Ballkanit, miliona shtetasit të të cilëve kanë përdorur lirinë e udhëtimit, studimit dhe punës, ndonjëherë edhe ilegalisht.

Ka qenë një çlirues i tensionit social dhe ekonomik dhe paqëndrueshmërisë në të gjitha vendet në fjalë, edhe nëse ka kontribuar në një fenomen të largimit të trurit.

Për Kosovën, do të jetë veçanërisht poshtërues. Hirushja e Ballkanit ka pritur me durim për një ftesë që t’i bashkohet marrëveshjes pa viza për në Europë që kur mori një “hartë të rrugës” në 2012. Rreziku po rritet saqë – në kohën kur Kosova t’ia vlejë për të përfituar nga sistemi – të mos ekzistojë më.