Politikani i Denjë

Njëmend, raporti i të qenurit i pasur në prag të inkuadrimit në politikë përbën imperativ për një udhëheqje më të përgjegjëshme dhe etike. Mirëpo, duhet ta potencojmë gjithmonë faktin, që për shkak të sistemit të brishtë të një shteti si: mungesa e balancës së pushteteve, mos-funksionimi i mirëfilltë i sistemit të drejtësisë, mund edhe ta dëshmojë të kundërtën. Rrjedhimisht, dihet mirëfilli që këto mekanizma që janë bazë e garantimit të një shoqërie të mirëfilltë demokratike do të mund të përforconin edhe më shumë konstatimin që para së një politikan të marrë ndonjë post publik, duhet të jetë i pasur.
 
E udhës do të ishte sikur politikanët e pasur, do të varfëroheshin pasi që të merrnin postin publik. Kjo do të thotë, që ky politikan, nuk ka kurrfar interesi për tu pasuruar; interesi i këtij politikani është vetëm shërbimi që duhet ta bëjë për qytetarët gjithmonë sipas ligjeve dhe kushtetutës, e asgjë më shumë a më pak. Ndërkaq, njëmend, duke e marrë për bazë sistemin e brishtë shtetëror, politikani i varfër nuk ka rrugë tjetër pasi që të arrij të fitoj post publik përpos që të pasurohet sa më shpejt që është e mundur. Pse jo?! Si është e mundur që ky politikan, edhe pse mund të jetë i ndershëm dhe i gatshëm që të bëjë gjithçka që është e mundur për t’i shërbyer qytetarit, të mos pasurohet kur rrethanat ia imponojnë një gjë të tillë?!
 
Nuk dua të them që një individ që vjen nga klasa e mesme domosdo do të ketë ambicie për t’u pasuruar shpejt me marrjen e postit publik, mirëpo është vështirë të parandalohet ky proces i pasurimit derisa sistemi i brishtë shtetëror është kështu siç është dhe, për më shumë, përderisa historia e këtyre individëve ka shkuar deri aty sa posti i tyre publik nënkuptohet si fuqi për shpërblimin e vetes, së pari, dhe pastaj të gjithë atyre që i kanë ndihmuar të vijë deri aty, apo jo?
 
Politikani i pasur, në të shumtën e rasteve, pasi që ndihet jo i qetë teksa sheh bashkëqytetarët e tij në gjendje shumë të palakmueshme apo politikanë të korruptuar duke keq-shfrytëzuar të mirat e të gjithë qytetarëve të rrumbullakësuara në buxhetin shtetëror, shpreh ambicien e tij për të konkurruar për ndonjë post publik në mënyrë që të mund t’i shërbej vendit të tij ashtu siç i ka shërbyer familjes apo të afërmve të tij derisa gëzonte statusin e personit privat.
 
 Trekëndëshi i tanishëm biznes-politikë-biznes është i dëmshëm për arritjen e zhvillimit të shoqërisë sonë. Nuk do të ishte kështu sikur institucionet si mekanizma që limitojnë hapësirën për keqpërdorimin e mjeteve të buxhetit, të ishin ashtu siç i posedon një shtet me demokraci të mirëfilltë. Duke e marrë parasysh këtë situatë, e udhës do të ishte që të ndiqet shembulli i shumë shteteve europiane si Franca e Polonia ku partitë parlamentare financohen kryekëput nga buxheti i shtetit, dhe jo nga subjektet ekonomike private. Megjithë aparatin tejet të sofistikuar për parandalimin e keqpërdorimit të mjeteve buxhetore, këto shtete kanë menduar që për të shmangur interesin personal që vjen nga trekëndëshi biznes-politikë-biznes, më mirë është që subjektet politike të financohen vetëm nga buxheti i shtetit. Kështu sigurohet një transparencë më e madhe e financimit të subjekteve politike, dhe në të njejtën kohë, krijohet një garë fer në mes të këtyre subjekteve politike gjatë zgjedhjeve. Gjithashtu, në këtë mënyrë shmanget edhe dëmtimi i demokracisë. Subjektet ekonomike private nuk do të mund të kërkonin “dëmshpërblim” nga partitë politike gjatë ushtrimit të mandatit të fituar me pasurimin e tyre të shpejt përmes tenderëve, por secili, ashtu siç thotë edhe kushtetuta jonë, do të kishte fuqi të njejtë për zgjedhjen e kandidatëve potencial për post publik dhe kështu të ndikimin e njejtë në kahjen zhvillimore të vendit.
 
Është e vërtet që ky stad nuk do ta përcjellë Kosovën dhe shoqërinë e saj edhe një kohë relativisht të gjatë, mirëpo një gjë duhet ta dijmë që njeriu do të sillet në punë ashtu siç është sillur me familjen apo të afërmit e tij dhe kështu rezultati i punës së tij do të jetë kryekëput historiku gjatë ushtrimit të rolit si pjesëtar i familjes apo një grupi.