Refugjatët priten ftohtë në qytetet në kufirin Serbi-Hungari

Rreth 2,000 burra, gra dhe fëmijë po përpiqen çdo ditë të kalojnë kufirin serb për në Hungari – dyfishi i një muaji më parë, dhe numrat po rriten.

Refugjatët e shumtë që kalojnë Ballkanin Perëndimor për të mbërritur në Europën Perëndimore kanë shqetësuar BE-në dhe kanë lënë shtetet e Ballkanit përballë një krize humanitare.

Fluksi ka alarmuar publikun në shumicën e Europës dhe i ka vënë në provë vlerat europiane dhe Serbia e Hungaria nuk bëjnë përjashtim.

Pritje e ftohtë në qytetin në kufi

Shumë vendas në qytetet e vogla në kufi të Hungarisë dhe Serbisë nuk i duan refugjatët përreth shtëpive të tyre, ndonjëherë për shkak të frikës se ata mund të jenë terroristë.

Shumica e burrave, grave dhe fëmijëve mbërrijnë në Asotthalom, një qytet i vogël në Hungari. Migrantët dikur kalonin kufirin herët në mëngjes, por tani ndodh gjatë gjithë ditës.

Veronika Dobo, një zëvendës kryetare e bashkisë Asotthalom, është shumë direkte rreth problemeve që komuniteti mendon se po përballet.

“Kemi frikë nga terrorizmi, sigurisht. Nuk është gjë e këndshme të shohësh radhë njerëzisht të panjohur që enden në fshat çdo ditë,” thotë ajo.

“Ata nuk kanë asnjë respekt për kulturat e tjera dhe ne nuk mund të dallojmë kush është apo jo terrorist,” thotë ajo.

Ajo thotë se refugjatët shkatërrojnë të mbjellat dhe vjedhin biçikleta, megjithëse nuk i di numrat.

Dobo thotë gjithashtu se refugjatët hyjnë në shtëpitë e njerëzve pa kërkuar leje për të karikuar bateritë e celularëve.

Nga janari në korrik të këtij viti, 90,000 refugjatë kanë kërkuar azil në Serbi dhe 103,000 në Hungari.

Këto janë vetëm statistika zyrtare. Askush nuk e di me saktësi sa kanë hyrë në BE përmes Ballkanit.

Hungaria thotë se itinerari i Ballkanit është bërë rruga më e rrahur nga refugjatët që duan të arrijnë në portat e Europës.

Pasi hyjnë në Hungari, ata vazhdojnë më në veri në shtetet e pasura të BE, si Gjermania dhe Suedia.

Të shqetësuar rreth terrorizmit, disa vendas patrullojnë kufirin 10 km mes Asotthalom dhe Morahalomit fqinj.

Njëri prej tyre është Zoltan, një 24-vjeçar nga Asotthalom. Zoltan zgjohet në 5 të mëngjesit çdo ditë dhe është në patrullë në orën 6 të mëngjesit përpara se të shkojë në shtëpi në orën 11. Nëse ai vëren refugjatë, telefonon policinë. “Askush nuk është agresiv,” këmbëngul ai.

Vendasit në qyteza të vogla në kufi mirëpritën vendimin e qeverisë për të përfunduar një gardh rrethues deri në fund të tetorit.

Ata besojnë se do të ndihmojë Hungarinë dhe Europën nga vala e migrantëve të paligjshëm.

Qeveria deri më tani ka ngritur 110 km nga 175 km gardh mes kufirit serb. Deri më tani konsiston vetëm në mbështjellje me tela me gjemba. Më vonë do të ngrihet një pengesë e vërtetë.

Hungaria ka lajmëruar se deri më 5 shtator do të çojë më shumë se 2100 policë në kufi me Serbinë për të kontrolluar numrin e refugjatëve dhe migrantëve që hynë në vend. Qeveria po merr në konsideratë dhe ushtrinë.

Hungaria nuk është i vetmi vend që po ndërmerr veprime të tilla. Bullgaria gjithashtu ka forcuar kurifin me Turqinë.

Si Sllovakia dhe Polonia kanë lajmëruar se ata nuk duan të marrin refugjatë myslimanë, vetëm të krishterë.

Shtete me komunitete të mëdha myslimane si Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar nuk kanë komentuar mbi fenë e refugjatëve.

Njëkohësisht, të gjithë përballen me probleme të brendshme të lidhura me fluksin e refugjatëve. Deri më tani 20 kampe azili janë sulmuar ose kanë marrë zjarr në Gjermani.

Ndërsa ksenofobia dhe mungesa e tolerancës fetare përhapet, askush nuk ka idenë si të zgjidhë situatën, as Bashkimi Europian dhe as Ballkani.

Strehim i improvizuar në Suboticë

Subotica, qyteti më në veri i Serbisë, është vetëm 20 km nga Asotthalom dhe vetëm 10 km nga kufiri hungarez.

Refugjatët që presin në radhë për të mbërritur në Hungari kanë përshtatur një fabrikë të vjetër tullash të shekullit të 19 si një strehë.

Nuk ka shenja që tregojnë ku është, por ata që vëzhgojnë përreth mund ta lokalizojnë.

E mbuluar nga bari, pa dysheme dhe me çati të rrënuar, fabrika e vetme është bërë një kamp informal për refugjatët kryesisht nga Siria dhe Afganistani. Nuk ka elektricitet apo ujë dhe njerëzit flenë në dhe.

“Migrantët që kanë para nuk shkojnë atje. Vetëm ata që nuk kanë ku të rrinë ose ata që kanë humbur rrugën,” thotë Tibor Varga, një prift vendas që ndihmon refugjatët.

“Mbi 300 njerëz qëndrojnë atje por nuk dihet me saktësi sepse është zona e madhe dhe njerëzit janë ndarë,” shton ai.

Duke vazhduar udhëtimin nga Greqia dhe Maqedonia, rreth 7000 refugjatë, kryesisht nga Siria dhe Afganistani, kaluan në Serbi vetëm fundjavën e shkuar.

Pasi kërkojnë formalisht azil, ata kanë tre ditë kohë për të mbërritur në kufi me Hungarinë, e cila po nxiton të përfundojë gardhin.

Mohammad mbërriti në Suboticë me familjen e tij nga Afganistani. Ai ka ardhur me gruan, vajzën motrën dhe babain e sëmurë rëndë me kancer në pankreas.

“Ai mori ilaçin e fundit sot, por pa terapi të vazhdueshme do të vdesë,” thotë Mohammed.

Doktorët që punojnë në fabrikën e tullave kanë dijeni për pacientë të tillë, por nuk mund të ndihmojnë sepse ilaçet e kancerit janë të vështira për t’u gjetur në Serbi. Ata rekomandojnë ndihmën nga Hungaria.

Mohammed është një ish-avokat dhe gruan e ka inxhiniere.  E motra, Mahtab, do të bëhet arkitekte dhe mbaroi katër vjet studime përpara se të largohej nga Afganistani.

“Nuk e di përse jemi këtu, është e tmerrshme,” thotë Mahtab. “Kam frikë për babain se mos vdes. Nuk e kuptoj pse po na ndodh neve kjo, por di që jemi asgjë, më pak se zero,” shton ajo.

Shumë prej refugjatëve ankohen se policia serbe dhe maqedonase i rreh dhe vjedh refugjatët, thotë ajo.

Vendasit që ndihmojnë refugjatët tregojnë se ata nuk janë agresivë, por ekziston frika e radikalizimit nga refuzimi, poshtërimi dhe mospërfillja e Europës ndaj tyre.

Në valën e vapës në korrik dhe gusht, qeveria ofroi vetëm ujë. Ata premtuan edhe banjo të lëvizshme.

“Qeveria po ndihmon, por ne kemi një problem në Suboticë. Nuk ka plan për të zgjidhur problemin,” thotë Rados Djuroviç, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e Azilkërkuesve nga Beogradi.

“Paratë e gardhit në Hungari mund të ishin shpenzuar më mirë,” shton ai.

Djuroviç thotë se procedurat duhet të ndryshojnë përpara dimrit, sepse më tepër migrantë do të mbërrijnë dhe nuk do të ketë vend për t’i strehuar nga i ftohti.

“Nuk ka ende katastrofë njerëzore, por do të ndodhë kur të vijë dimri nëse nuk e zgjidhim më parë,” vazhdon ai.

Djuroviç bën thirrje për prodhim të dokumenteve për refugjatët të cilat do të jenë më të vlefshme sesa tre ditë. Ai thotë se migrantët duhet të pajisen me karta identiteti speciale.

Sipas tij situata do të përkeqësohet sapo të ngrihet gardhi me Hungarinë, kur migrantët të qëndrojnë më tepër në Serbi.

“Ne vazhdimisht i kujtojmë politikanëve se gjithçka mund të ndodhi – gjithçka përveç faktit që migrantët të zhduken papritur,” paralajmëron Djuroviç.