Kaosi i Pajisjeve Mjekësore në Spitalet e Kosovës

Mosfunksionimi i pajisjeve mjekësore në spitale publike në Kosovë bën që shumë herë pacientët të marrin rrugë drejt klinikave private për të kërkuar shërbime.

Një prej pajisjeve të rëndësishme që shumë herë nuk funksionon në shërbimet publike spitalore është Tomografia e Kompjuterizuar. Kjo pajisje shërben për diagnostifikimin e sëmundjeve të ndryshme me anë të rrezeve X.

E njëjta është funksionale në spitale private dhe shërbimi që ofrohet nëpërmjet saj është shumë i shtrenjtë.

Një skanim i pjesshëm kushton nga 200 deri në 1 mijë euro. 

Pse ndodh që në spitale publike kjo pajisje nuk është plotësisht funksionale?

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) ka bërë një monitorim të hollësishëm që ka përfshirë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale në Mitrovicë, Prizren dhe Pejë. 

ZAP ka publikuar raportin duke bërë të ditura të gjeturat lidhur me mosfunksionimin e pajisjes.

Tomografia nuk punon në QKUK

Bazuar në raportin e auditimit del se problemet me këto pajisje nisin që nga tenderët publikë, mungesa e kontrollit nga bioinxhinerët si dhe të metat në librin e ndërrimit dhe protokollit. 

Auditorët gjetën se Qendra Klinike Universitare në Prishtinë nuk ka arritur që gjatë viteve 2012, 2013, 2014 të sigurojë një kontratë për mirëmbajtjen e Tomografisë së Kompjuterizuar. 

Gjatë këtyre tri viteve ishte hapur tenderë publikë për angazhimin e një kompanie të tillë. 

Gjatë këtyre procedurave kishte ndodhur që një prej Tomografive të Kompjuterizuara të mos përfshihej fare në listën e pajisjeve që duhet të mirëmbaheshin. QKUK ka katër Tomografi të kompjuterizuara. 

“Në QKUK, një TK nuk është përfshirë në tender. Nuk ka vendim me shkrim apo ndonjë arsye për një përjashtim të tillë. Edhe pse një TK është funksionale, dështimi për të siguruar mirëmbajtje të rregullt dhe mbingarkesa e punës shkakton prishje të shpeshtë dhe njëkohësisht shkurton jetëgjatësinë e funksionimit”, thuhet në raportin e auditorit. 

Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, nuk dha përgjigje në pyetjet e dërguara nëpërmjet emailit se pse një pajisje e tillë ishte lënë jashtë listës për mirëmbajtje.

Megjithatë ai dha përgjigje lidhur me gjetjet e tjera të ZAP-it. Fazliu deklaroi se auditimi ishte realizuar në kohën kur disa aparatura ishin jashtë funksioni. 

Sipas tij këto aparatura tashmë janë në funksion meqë QKUK përmes procedurave të rregullta të prokurimit ka bërë servisimin e tyre.

“Gjithsesi, vërejtjet dhe rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm do të merren me seriozitet të shtuar dhe do të përcillet dhe monitorohet zbatimi i tyre”, tha Fazliu.

Bioinxhinerët nuk kryejnë kontrolle?

Një prej problemeve që janë gjetur nga auditorët është edhe mungesa e kontrollit të pajisjeve nga bionxhinierët. 

QKUK-ja si dhe spitalet e Pejës, Mitrovicës e Prizrenit kanë të punësuar bionxhinierë të cilët janë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e të gjitha pajisjeve mjekësore dhe të Tomografisë së Kompjuterizuar.

Auditorëve në Pejë i është thënë nga bionxhinierët që pajisjet kontrollohen mirëpo nuk u është ofruar dëshmi për kryerjen e kësaj pune.

“Asnjë spital, përfshirë edhe atë të Pejës, nuk kanë ofruar dëshmi se bëhen kontrolle. Situatë e njëjtë është në QKUK, ku bioinxhinierët asnjëherë nuk kryejnë kontrolle që njëkohësisht nënkupton moskryerjen e kontrollove lidhur me gjendjen e TK-ve”, thotë raporti.

Drejtori i spitalit rajonal të Pejës thotë se në këtë spital pajisjet mjekësore kontrollohen. “Është angazhuar një kompani e specializuar për mirëmbajtje dhe servisim të pajisjeve”, thotë Dreshaj.

Megjithatë ai nuk dha asnjë dëshmi për Gazetën Jeta në Kosovë për kontrollimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve.

Ndërkohë Mirdi Strana, drejtor i spitalit në Mitrovicë, nuk dha përgjigje në pyetjet e dërguara nga Gazeta Jeta në Kosovë, nëpërmjet të cilave i kërkohej një koment lidhur me të gjeturat e auditimit.

Të gjeturat i ka komentuar Nexharije Pllana, drejtoreshë e drejtorisë komunale të shëndetësisë në Mitrovicë. Pllana thotë se pajtohet plotësisht me të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm,si dhe me rekomandimet e tij.

“Mendoj se me blerjen e këtyre aparaturave duhet gjithmon të kontraktohet një ndërrmarje mirëmbajtese, bioinxhinjerët e trajnuar,si dhe personeli shëndetësor po ashtu të trajnohet “ thotë Pllana.

Pak trajnim ose aspak

Auditorët konkluduan se në QKUK dhe në tri spitalet e tjera kompanitë që kanë bërë furnizimin me pajisje mjekësore kanë ofruar vetëm trajnim bazik për dy javë vetëm për përdoruesit e Tomografisë së Kompjuterizuar. 

“Për mirëmbajtësit brenda Institucioneve Shëndetësore Publike nuk është ofruar ndonjë trajnim i cili do të mundësonte bartjen e përgjegjësisë për mirëmbajte dhe kjo do të ofronte një zgjidhje me kosto më efektive”, thuhet në raport.

Rrëmujë nëpër libra

Përgjegjësi e mjekëve është që të gjithë punën që ata e bëjnë ta dokumentojnë. Kjo duhet të bëhet në librat e ndërrimit dhe të protokollit.

Qëllimi kryesor i librit të ndërrimit duhet të jetë përshkrimi i gjendjes së aparaturave, numri të pacientëve, numrin e barnave të dhëna e të tjera. Kjo bëhet me qëllim që mjeku që vjen në radhë të informohet drejtë lidhur me gjendjen e aparaturës dhe situatës paraprake. Ndërsa në librin e protokollit raportohet numri i pacientëve që janë shërbyer me aparaturën mjekësore.

Auditorët kanë gjetur se mungon raportimi nga mjekët në librat e ndërrimit e në disa raste bëhet nga persona të paautorizuar.

“Gjatë auditimit në QKUK na kanë ofruar dy libra të ndërrimit që përfshijnë vitet e auditimit 2012, 2013 dhe tremujorin e parë të vitit 2014. Në këto libra, janë vetëm disa raste të rralla kur është bërë raportimi në Radiologji, por nuk ka asnjë informatë lidhur me TK-të dhe pse janë jashtë funksionit” thotë raporti i auditorit.

Sipas tyre gjendja më e mirë është në Spitalin e Prizrenit në të cilin ka libër të ndërrimit. Megjithatë në këtë spital nuk ka raportim në baza ditore.

“Ndonjëherë gjendja e TK-së është raportuar në libër të ndërrimit”, thotë auditori.

Pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë i është përgjigjur bashkërisht ekipi i mjekëve të radiologjisë. 

Në një përgjigje të shkruar ekipi i mjekëve ka deklaruar se mos raportimi në baza ditore në librin e ndërrimit ka ndodhur në menaxhmentin e kaluar. 

Sipas tyre tashmë janë duke bërë raportim në baza ditore në librin e ndërrimit si dhe janë duke shënuar pacientët në librin e protokollit.

Ndërkohë parregullsi janë vërejtur edhe në spitalin e Pejës. 

Bazuar në raportin e auditimit në këtë spital libri i ndërrimit plotësohet nga kryeinfermierja ndërsa një punë e tillë do të duhej të bëhej nga mjekët. 

Libri i ndërrimit në këtë spital , sipas auditorëve, përmban informata të përgjithshme për të gjitha klinikat, por jo edhe informacion specifik për TK-në. 

Këtë e konfirmon edhe drejtori Dreshaj.

“Qëndron fakti se duhet një përshkrim me i detajuar i përgjegjësive të teknikëve biomedicinal” tha Dreshaj.

Problem i ngjashëm si në Pejë ka ndodhur edhe në tri spitalet tjera në Mitrovicë, Prizren e Prishtinë ku librat e ndërrimit janë plotësuar nga infermierët.

Një parregullsi tjetër e evidentuar nga auditorët është fakti se ka dallime të mëdha mes shënimeve në raporte që bëhen nga informatat në librat e ndërrimit dhe librin e protokollit. 

“Në përgjithësi ka dallim të madh në mes të shifrave të prezantuara në raport dhe shifrave në librin e protokollit”, thotë auditori.

Sipas raportit QKUK dhe SP i Prizrenit kanë një situatë ku informacionet në shumicën e rasteve nuk janë të besueshme, për shkak se ato nuk korrespondojnë në mes vete. Një situatë dukshëm më e mirë sipas tyre është vënë re brenda Spitalit të Mitrovicës në aspektin e saktësisë së të dhënave mes të librave të protokollit dhe raportit.

Akoma më ndryshe është gjendja në Spitalin e Pejës, aty Klinika e Radiologjisë nuk ka paraqitur fare të dhëna në lidhje me numrin e pacientëve të shërbyer me TK. 

Madje sipas auditorit menaxhmenti i spitalit nuk ka informacione në lidhje me numrin e pacientëve të skanuar.

Skender Dreshaj, drejtor i Spitalit Rajonal të Pejës, nuk preferoi të hyj në detaje por tha se e vlerëson raportin si shumë korrekt, profesional. Ai tha se ky raport është një ndihmesë e madhe në qasjen ndaj monitorimit dhe përkujdesjes së Tomografive të Kompjuterizuara. 

Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur në pyetjen se përse kjo Ministri nuk ka arritur që për spitale të ofroj udhëzues ku do të përshkruheshin mënyrat e monitorimit të menaxhimit të Pajisjeve Mjekësore në përgjithësi, dhe procedurat për mënyrën e përdorimit të Pajisjeve Mjekësore nga stafi përgjegjës.