BE Sjellë Indeksin e Barazisë Gjinore edhe në Kosovë

Kosova e ka ligjin për barazi gjinore, ligjin kundër diskriminimit, udhëzimin administrativ për mundësi të barabarta dhe rregullore të tjera, por, megjithë ekzistencën e një kuadri të mirë ligjorë, vështirësitë në zbatimin e ligjeve, mungesat në strukturat zbatuese, dhe fondet e pamjaftueshme pamundësojnë jetesën në një barazi të plotë gjinore në Kosovë.

Për këto arsye Instituti Europian për Barazi Gjinore ka realizuar punëtorinë dy ditore në Prishtinë e cila ka për qëllim prezantimin dhe futjen e teknikave që përdoren për raportin e rregullt të indeksit për Barazi Gjinore në nivel të Bashkimit Evropian.

Ky Institut është një organ autonom i Bashkimit Evropian, i themeluar për të kontribuar  dhe për të forcuar promovimin e barazisë gjinore, duke përfshirë integrimin gjinor në të gjitha politikat e BE-së si dhe për të ngritur vetëdijen e qytetarëve të BE-së për barazinë gjinore. Objektivi është që të praktikohet ky indeks edhe në Kosovë.

Shefja e operacioneve në këtë Institut Theresa Murphy tha  për Gazetën Jeta në Kosovë  se Instituti i mbështet vendet me të cilat ka bashkëpunim .

“Së bashku me institucionet  punojmë për barazi gjinore. Ne duam të punojmë me Kosovën, të mbështesim zyrën e statistikave që të prodhohet një indeks për barazinë gjinore dhe pastaj të monitorohet në mënyrë që të ndihmohet progresi në Kosovë “ u shpreh Murphy.

Murphy tha se partneri i saj në Kosovë  është Agjencia për Barazi Gjinore, ndërsa në punëtori kanë marr pjesë personeli nga Agjencia e Statistikave ,Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë dhe Policia e Kosovës.

Më tutje ajo tregon se çka duhet të bëhet për të pasur një nivel të barabartë të grave dhe burrave në Kosovë .
“Nuk është e mjaftueshme që të kalohen ligjet, duhet të  implementohen që të ketë progres” u shpreh ajo.

Murphy tregoi se përveç Kosovës ky Institut është duke punuar edhe me Serbinë .

“Edhe ata janë shumë të interesuar që të adaptojnë indeksin,ne kemi siguruar trajnime për Agjencinë e Statistikave atje dhe për punëtorë nga disa ministri  në mënyrë që të dijmë se çka duhet të punohet çfarë të dhëna duhet të mblidhen”u shpreh ajo.

Ajo tregon se barazia gjinore është kusht për një jetë normale në çdo vend të botës.

Sipas saj është sfida më e madhe me të cilën është përballur në të gjitha vendet e Bashkimit Europian me të cilat Instituti Europian për Barazi Gjinore ka punuar është puna me rastet e dhunës ndaj grave.

“Mbledhja e informatave për dhunën është më e vështirë, është e komplikuar sepse shumë pak femra raportojnë, disa vende raportojnë disa të tjera raportojnë vetëm kallëzimet penale.Ekziston një kornizë e strategjive të Komisionit Europian për të adresuar dhunën ndaj grave, strategjia thotë se shtetet anëtare duhet të punojnë bashkarisht me Institutin për Barazi Gjinore për të mundësuar mbledhjen e të dhënave  për cdo vend anëtarë”thotë Murphy.

Murphy komentoi edhe pozitën udhëheqëse të grave në institucione publike të Kosovës sipas saj Kosova nuk ndryshon shumë nga vendet e tjera.

“Është vështirë për gra që të vijnë deri të procesi i zgjedhjes, gratë nuk votojnë për gratë,duhet të ndërtoni traditë dhe kulturë për ti inkurajuar gratë për të aritur një pikë dhe të ketë mjaftë gra për të zgjedhur.” tha ajo.

Ndërsa e konsideron problematike faktin që gratë në Kosovë nuk kanë qasje praktike në trashëgiminë e tyre dhe të drejtat mbi pronën.

“Është përgjegjësi e atyre që duhet ta implementojnë ligjin, duhet të insitohet që ligji të implementohet dhe Qeveria duhet të ketë politika të forta në këtë drejtim” tha Murphy.

Murphy tha se për ta  zvogluar numrin e rasteve të dhunës ndaj femrave duhet edukim dhe që Qeveria  të ketë mesazhe të forta për këto raste, ligje të forta, ndëshkime dhe politika të mira.

“Duhet edhe monitorim dhe prodhim i raporteve për çdo vit dhe të ketë plane aksioni kundër dhunës ndaj grave. Disa nga shtetet kanë strategji shtetërore kundër dhunës, duhet të ketë organizata që i përkrahin viktimat, edukim në vende publike, të flitet për këtë problem.Në shumicën e rasteve gratë rrijnë në këtë gjendje sepse nuk kanë ku të shkojnë.Niveli i dhunës shihet edhe në bazë të zhvillimit ekonomik” tha ajo.

Një hulumtim i kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-i tregon se krahasuar me vende të tjera të rajonit dhe në botë, gratë dhe vajzat e Kosovës kanë tolerancë mjaft të lartë ndaj dhunës fizike.

Kosovaret  lënë pas në mënyrë të ndjeshme Malin e Zi dhe Serbinë, madje edhe Malauin në Afrikë dhe Vietnamin në Azi.

Sipas këtij raporti pas dhunës burri arsyetohet ta godasë ose ta rrahë gruan në rastet kur ajo del pa i treguar atij, kur neglizhon fëmijët, fjaloset me të, nëse refuzon të bëjë seks apo nëse djeg ushqimin.

Përveç dhunës ndaj grave ky Institut trajton edhe problemin e pabarazisë duke vënë theks të veçantë te grupet e popullsisë, si prindër të vetëm, kujdestarë ose persona me aftësi të kufizuara.