Kryefamiljarët e Mitur

I.Krasniqi del nga shtëpia në kohën kur moshatarët e tij ikin për në shkollë. Po ndryshe nga fëmijët që shkojnë në objekte mësimore, ai ikën drejt kantierëve të bërllogut pranë banesave kolektive.
Djali 13 vjeçar i takon komunitetit Ashkali, komunitet pakicë në Kosovë. Rruga e përditshme e tij prej pesë vitesh është aksi Fushë Kosovë-Prishtinë.

Detyra e jetës në vitin e trembëdhjetë është sigurimi i bukës së gojës për familjen. Kryefamiljari trembëdhjetë vjeçar e siguron bukën duke koleksionuar copëza metali, nga mbledhja e të cilave arrin të fitojë 2-3 euro në ditë.  “Unë jam ma i madhi prej fëmijëve në shtëpi. Veç unë punoj”, thotë pa e ngritur kokën. Tragjika e tij peshon shumë në vitet e pakta që ka.

Derisa vajzat e djemtë e moshës së tij mbajnë çantat në krahë, ai mban thasët të cilët shpreson t’i mbush. Ai nuk shqetësohet nëse i ka kryer detyrat e shkollës apo e ka nxënë mësimin, derti i tij i vetëm është nëse do të fitojë mjaftueshëm sa të sigurojë pak bukë për familjarët. Fëmijëria për të ka kohë që ka marr fund, ndërkaq shkollën e ka braktisur pa hyr në klasën e tretë. Terreni i betejës së tij nuk është arsimimi, shkolla, por mbijetesa.

“E kam një vëlla ma të vogël, ai shkon në shkollë. Kisha pas qejf me qenë edhe unë në shkollë, por kur s’ke bukë e s’ke punë me fitu me e ble bukën, nuk më bjen në mend shkolla. Kur s’ke punë gjithçka të mungon”.

Kur flet, ai sikur merr rolin e të madhit. Barra e tij është e rëndë, ndërkaq skenari i përditshëm i njëjtë.

“Çdo ditë e jetës sime është e njëjtë. Nuk mundem me mendu asgjë tjetër, veçse me e siguru ushqimin për familjen”.

Territori i tij zë vend në lagjen Dardania. Mbledhja e kanaqeve të zbrazta në mbeturinat e lagjes, dhe ndonjë nga produktet ushqimore që ai e familja mund t’i shfrytëzojnë. Një punë me orar të plotë, në çdo ditë të javës, në mbarim të së cilës mund të përfitojë 2-3 euro. Dhe aty-këtu ndonjë produkti në tryezë. “Si t’i shes lemenkat në mramje vrapoj në furrë me ble bukë bajate, naj ve, e naj gja me hangër për familjen. Mandej më zanë gjumi, se kam me u zgju herët”. Më kaq mbaron edhe dita e një fëmije që banon në shtetin e ri të Evropës. E nesëmrja është e njëjtë, si çdo ditë tjetër. Për të ardhmen nuk flet.

Puna e përditshme e koleksionimit të bërllogut

Të njëjtën rrugë me djalin 13 vjeçarë e përshkon çdo ditë  edhe një shok i tij më i madh në moshë. A i është A. Berisha, 16 vjeç, nga i njëjti komunitet, ai Ashkali.

Beteja në realitetin e ashpër nis në mëngjes, por thasët e tij në mesditë, akoma janë të zbrazur. Djali 16 vjeçarë s’ka dëshirë të flasë për jetën e mjerë që i ka rënë hise ta çojë. Edhe ai ka kryer vetëm dy vjet shkollë, për të mos u kthyer më në bankat e saj. Lumturia për të mori fund që kur nisi ‘punën’ e mbledhësit të bërllogut. E kujton me nostalgji “kohën e fëmijërisë” siç i quan vitet sa ishte nxënës. I vetmi pasion për të sot, është një biçikletë, që e kish gjetur kohë më parë po pranë bërllogut. Atë e ka punë e qejf, të vetmin gëzim në përditshmërinë e zymtë.

“Më përpara prindërit e mi kanë punuar. Mandej unë u detyrova me ia nis kësaj pune. Është shumë e vështirë, sepse mbledhim gjithë ditën e mezi i shesim lemenkat me nga 13-14 cent killen. I mbushim thastë e a i marrim tri euro a jo!”. tregon ai.

Ky kryefamiljarë i mitur ka hyr në kohën e adoleshencës,  por ëndrrat e tij s’kanë të bëjnë me mbrëmjet festive të fundviteve të shkollës, me ekskursionet apo suksesin e arritur në shkollë: “Ëndërroj me e gjet një punë”, thotë, dhe me kaq i mbarojnë dëshirat, ëndrra e madhe është jeta larg bërllogut. Një punë që e mbush me bukë barkun e familjes dhe barkun e tij.

Ai tregon se ka provuar disa herë të gjejë punë, por është zhgënjyer se askush nuk e ka pranuar as si ‘shegërt’ as si pastrues. “Shumë vështirë është kur nuk të përkrahë kurrkush, po s’ke çka bon!”.

Duke qenë se kantierët e bërllogut te ne akoma nuk janë të diferencuar, ankthi më i madh për të, është infektimi nga mbeturinat. Ai pohon se ndarja e materialeve do ta lehtësonte punën dhe gjithçka do të qe më e thjeshtë.

Djaloshi 16 vjeçarë  është fëmija i madh në familjen shtatë anëtarëshe që banon në Fushë Kosovë. Ai ka dy motra e dy vëllezër më të vegjël, për të cilët i ka takuar përgjegjësia që t’i mbajë me bukë. Prindërit ka kohë që s’i punojnë. Herë largohet e herë i kthehet bisedës afër kantierëve të bërllogut që shenjojnë vendin e tij të ‘punës’ së përditshme. Jemi bërë skllav të bërllogut, thotë. “Kështu është kur nuk të ndihmon askush”.

Fëmijëria e vjedhur

Barra e marrjes së rolit të kryefamiljarit i ka rënë edhe  15 vjeçarit A. Berisha.

Atë rutina e përditshme e çon nga shtëpia për në ‘punën’ pranë bërllogut. Aii bart në mini-traktorin e tij thasët e mbushur me copëza metali për në tregun, “pllacin” siç e quajnë, të hekurit në Fushë Kosovë. Përfundimi i orarit të ‘punës’ është sa zhgënjyes aq edhe i lumtur, me pak para metali në xhep.

Ai  thotë se të jetosh në mes të mbeturinave është shumë e vështirë, po aq sa është detyrimi i mbajtjes së familjes. Është i vetëdijshëm për fatin e keq të shumicës së njerëzve nga komuniteti i tij, dhe se kjo jetë edhe e ka ditur se e pret. 15 vjeçari shpreson se një ditë do të mund të largohet nga Kosova, sepse këtu nuk sheh asnjë të ardhme tjetër. “Kam shumë dëshirë me dalë jashtë, kështu pres me ndodh, por kam frikë se po i kthejnë menjëherë”.

Kujton premtimet elektrorale të njerëzve të politikës që ua kërkuan votën dhe u premtuan jetë më të mirë, por ata, thotë, po mendojnë vetëm për vete. “Gjëja më e madhe që kish me më ndodh, është me e gjet naj punë. Atëherë edhe familja ime kish mujt me jetu pak ma mirë, e jo kështu me bërllog”.

Të miturit të cilëve ua kanë vjedhur fëmijërinë, rrijnë çdo ditë pranë të njëjtëve kantierë mbeturinash në lagjen Dardania në kryeqytet. Zhbirojnë në mbeturina për copëza metali, kilogrami i të cilave nuk shitet më shumë se 14 cent. Ngjitur me kantierët, fusha e rrethuar e lojërave për fëmijë. Një grafit me të kuqe thotë “Kosova Republikë!”. Por ata s’arrijnë ta lexojnë. Kanë harruar edhe shkrim-leximin. Janë fëmijë që mbështeten në ato që i kanë, dhe jo çfarë s’e patën kurrë- të qenit kryefamiljar i mitur dhe jetesën në skamje të plotë.

Historia e tyre të kujton personazhet e romaneve të Dikensit e të Hygosë, dhe të aq shumë personazheve real në botë, që varfërinë e vuajnë në lëkurë. Megjithatë, kryeqyteti rri i mrekullueshëm përballë tyre, i zhurmshëm e moskokëçarës, para të cilët të tre personazhet shndërrohen në hije.