Tri Kompani i Fitonin Krejt Tenderët

Ministri i Drejtësisë, njëherësh zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka premtuar se në vitin 2012 do të thellohen reformat në sistemin e drejtësisë në vend, se ministria që ai drejton do të jetë transparente në procesin e tenderimit, se do të marrë masa në parandalimin e keqpërdorimeve në ministri dhe se do t’i krijojë kushte gjyqësorit për të zvogëluar numrin e madh të lëndëve.

Problemi i tenderimit është proces zinxhiror, thotë Kuçi, në një intervistë për “Drejtësia në Kosovë”.

Kuçi thotë se që nga momenti i marrjes së postit të ministrit, ka nisur luftimin e parregullsive dhe shpenzimeve të panevojshme, duke filluar nga kufizimi i përdorimit të veturave, vetëm me autorizim të veçantë dhe vetëm për qëllime zyrtare. “Kam pasur buxhet për blerjen e veturave të reja dhe e kam heq; i kam vënë kamerat në Burgun e Dubravës me të njëjtin buxhet. Kam dhënë premtim publik dhe tani janë përfunduar, për perimetrin e jashtëm”, tha ministri i Drejtësisë.
 
“Drejtësia në Kosovë” e ka pyetur ministrin Kuçi edhe lidhur me faturat për servisimin e shërbimit korrektues, të cilat janë fryrë shumë; sipas faturave të siguruara, gomat e fshesave që kushtojnë vetëm 5 euro janë faturuar 75 euro; për llampa të rrotacionit të alarmit që kushton 2 euro, ndërsa janë faturuar me 105 euro, kurse një ndërhyrje në motor, me ç’rast nuk dihet se çka është rregulluar, faturohet 1000 euro.

Kuçi thotë se nuk ka njohuri për këto keqpërdorime, megjithëse e pranon se ka gjëra të tilla.

Po si ndodh që për 10 vjet radhazi, kompania “Hajdinini Comerc” e fiton tenderin për furnizim me mish për nevojat e burgjeve?

Kuçi thotë se i ka thirrur liderët e partive opozitare Isa Mustafa, Albin Kurti e Blerim Shalën, si dhe përfaqësuesit e OJQ-së “Fol”, e cila ka qenë e përfshirë në monitorim, që ta shohin se çka po ndodh lidhur me këtë tender. “Ai qe 10 vjet është duke e fitu; unë ja kam ndal njëherë, mu kanë gjuajt: ‘Po e ndal Hajredini’… Po e ndali se është e papërgjegjshme”, u shpreh ai.

“E kam thirrë përfaqësuesin e OSHP-së, të KRPP-së, dhe zotërinë Hasan Preteni, edhe ish-sekretarin permanent, Sylejman Sopa, edhe u thashë a bën me ditë çka është puna. Hasan Preteni më ka thënë anuloje”, vazhdoi Kuçi.

Kuçi thotë se janë tri kompani që “sillen” në ministri qe 10 vjet dhe fitojnë tenderë, pasi kanë qenë të lidhur me njerëz brenda ministrisë, ish-sekretarin Permanent, Sylejman Sopa; drejtorin e kompanisë për furnizim me naftë, i cili u burgos së fundi dhe shefin e Prokurimit në MD, i cili ka qenë aty pa ardhur ende ai ministër.

“E kam thirrë [ish-sekretarin permanent, Sylejman Sopa], i kam thënë kompania nuk po e furnizon me naftë burgun, të burgosurit edhe drejtori i burgut po ankohen, pse nuk po qon naftë në Dubravë. Ndërpreja kontratën. S’ka pas bir nane që ia ndërpren kontratën atij [pronar it të kompanisë “Kastrati Petrol”], dhe a e din pse, se ata kanë qenë peng të tij. Njerëzit e ministrisë time kanë qenë peng të tij. Po them se ju kam thënë ndërprene kontratën dhe nuk e kanë ndërprerë”, shprehet ministri Kuçi.

Edhe për një shkelje tjetër, për të cilën “Drejtësia në Kosovë” posedon dokumente, Kuçi nuk ka njohuri. DnK ka mësuar se shefi i kabinetit të tij, Vigan Qorrolli, ka kërkuar një kompensim të udhëtimit gjatë kohës sa ka qëndruar në Grac të Austrisë, ku e ka regjistruar doktaraturën dhe ka vendosur nënshkrimin e tij, aty ku duhet të jetë edhe nënshkrimi i ministrit Kuçi.

Kjo ka ndodhur pas një vizite zyrtare që e ka bërë një ekip i Ministrisë së Drejtësisë në Athinë dhe Lubjanë. Ekipi është kthyer në Kosovë, ndërsa vetëm Qorrolli ka vazhduar qëndrimin në Grac të Austrisë, nga 16 deri më 27 prill 2011. Në kërkesën për kompensim, ai ka deklaruar se ka qenë në një vizitë akademike në Grac.

Ministri Kuçi thotë se asnjëherë nuk ka nënshkruar një gjë të tillë. Zotohet se do të marrë masa dhe të sqarojë që nuk ka nënshkruar, as nuk nënshkruan, kompensime të tilla.

Ministri i Drejtësisë, në këtë intervistë, flet edhe për numrin e madh të lëndëve të grumbulluara gjyqësore. Por thotë se nuk është kompetencë e MD-së zvogëlimi i këtyre lëndëve. “Kompetencë e imja është krijimi i kushteve për punë efikase më të shpejtë”.

Sipas tij, duke pasur parasysh numrin e trashëguar të lëndëve, në Gjykatën Supreme këtë vit kanë arritur rreth 6 mijë lëndë, nga të cilat rreth 3 mijë janë zgjedhur.

Ministria e Drejtësisë ka rritur buxhetin për 130 gjyqtarë, 45 prokurorë, në mënyrë që ata të zvogëlojnë numrin e lëndëve; është formuar sistemin e noterisë, ndërmjetësimit dhe arbitrazhit që do të ndikojë që jo çdo lëndë, në veçanti e procedurave jokontestimore, të mos shkojë në gjykata, por të shqyrtohet përmes tyre. Po ashtu kjo ministri ka biseduar edhe me Bankën Botërore dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë që t’i paguajnë gjyqtarët dhe prokurorët për punën mbi normë dhe që ata të punojnë edhe të shtunave.

Kuçi premton kushte për zvogëlimin e lëndëve

Sipas statistikave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, numri i lëndëve është rritur nga 209 mijë në 211 mijë.

Ministri Kuçi tha se do të mundohet që ta plotësojë infrastrukturën dhe të punësojë bashkëpunëtorë profesionalë dhe të rritet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Paga që e marrin aktualisht është dinjitoze dhe është mundësi që ata të mos ankohen”, u shpreh ai.
 
Ka disa vjet që KEK-u ankohet se lëndët e tyre për vjedhje të rrymës, gjykatat nuk po i procedojnë. Kuçi tha se e kanë përgatitur ligjin për përmbaruesin privat, i cili do të procedohet në Kuvend. Në bazë të këtij ligji do të ekzekutohen lëndët shumë më shpejt.

Sa i përket mosplotësimit të vendeve të lira për prokurorë, Kuçi, ndonëse është edhe anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se nuk ka kompetenca për vlerësimin dhe përzgjedhjen e
prokurorëve. “Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të gjyqtarëve, dhe në procedurën e disiplinimit të tyre, më nuk marrë pjesë, sepse besoj se çdo pjesëmarrje e imja mund të keqkuptohet”, tha ministri.

Me anë të një vendimi, i cili ka kaluar dhe është nënshkruar në Ministrinë e Financave, Këshilli Prokurorial ka bartur mjetet që janë destinuar për prokurorë të rinj për rritjen e pagave të
prokurorëve për katër muaj. Kuçi tha se ka marrë pjesë në mbledhjen ku është marrë ky vendim, por aty ishte thënë se vendimi do të koordinohet me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Administratës Publike. Thotë se nuk e ka ditur se po zbatohet ky vendim, derisa është bërë “e madhe” nga mediat dhe ka kërkuar që ky vendim të ndalet dhe të shikohet gjendja.

Rritjen që iu jepet prokurorëve, ministri e sheh si shpërblim për punën e tyre sa më të pavarur. Në vendim thuhet se shtesat merren për rrezikshmërinë dhe luftën që kanë bërë kundër korrupsionit. Lidhur me këtë, Kuçi tha e ka marrë një vendim për Task Forcën Anti-Korrupsion, që ata të kenë paga të dyfishta. “Çdo vendim që ka të bëjë me prokurorët do të mbështes”.

KGJK kishte reaguar duke e quajtur joligjore bartjen e të ardhurave, që kanë qenë të destinuara për prokurorët e rinj. Kuçi tha se Këshilli Prokurorial është organ i pavarur dhe me Kushtetutë është i ndarë edhe prej Këshillit Gjyqësor.

Ministri i Drejtësisë ka folur edhe për procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të qendrave korrektuese në vend. Ai saktëson se në katër qendra është rishpallur konkursi për drejtor, pasi të deritanishmit kanë qenë ushtrues detyre ose iu ka skaduar mandati.

Kuçi paralajmëron se nëse drejtorët që janë në këto poste nuk e kryejnë punën e tyre me përgjegjësi ndaj ligjit dhe nuk kanë performancë të mirë do t’i largojë nga puna.

Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Pejë e ka të përfunduar vetëm shkollën e mesme. Atij i është shpallur vendi i punës, ndonëse fillimisht i është premtuar nga ministri se do t’ia zgjatë mandatin, si shpërblim pasi e ka informuar ministrin për rastin e kontrabandës me naftë.

“Nuk e kam ditë që nuk e ka fakultetin e përfunduar dhe nuk kam menduar asnjëherë se dikush e ka emëruar dikë drejtor pa fakultet”, tha Kuçi.

“Personat që janë arrestuar për kontrabandën e naftës i kam suspenduar dhe sa të jenë në hetime, ata nuk do të kthehen në shërbim korrektues; sa të jem unë ministër”, shtoi ai.
 
Në Qendrën Korrektuese në Gjilan ka qenë ushtruesi i detyrës së drejtorit, prej muajit shtator, ndërsa konkursi për plotësimin e vendit të punës është hapur në dhjetor. Mirëpo, ai është anuluar dhe është rishpallur prapë në dhjetor.

“Është shpallur më herët, por paneli ka dhënë se asnjë nga kandidatët nuk është i denjë për pozitën në fjalë, prandaj duhet të përsëritet. Herën e dytë nuk kërkohet të jetë dikush nga komunitetet, apo nga gjinia femërore, por unë jam i interesuar që të zgjidhet më i miri”.

Lidhur me rastin e dërgimin të policisë për bastisje në Burgun e Dubravës, nën dyshimin që aty janë gjetur thikë dhe armë të tjera të ftohta, sikurse dhe lëndë narkotike, Kuçi tha se dikush atje iu ka treguar se policia do të vijë tash, prandaj nuk kanë gjetur kurrgjë.
 
“Policia bashkë me EULEX-in më kanë njoftu pas përgjimeve që i kanë bërë se në këtë burg po
bëhen kështu-kështu, dhe më kanë pyet ‘a prish punë me hy me bastis’. Unë ju kam thënë: ‘Jo, përkundrazi. Ja nënshkrimi, veç vazhdoni’”, vazhdoi ai.

Për krijimin e Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Qeverisë i është dashur t’i nxjerrë dy vendime, për shkak të çështjes se si të trajtohen punëtorët, si shërbyes civilë, apo shërbyes shkencorë.

Kuçi tha se ky ka qenë problemi kryesor dhe është konstatuar se ata janë punëtorë shkencorë, dhe më pas është menduar që disa mund të jenë edhe shërbyes civilë, siç janë stafi administrativ dhe arkivat.

“Njerëzit e emëruar janë njerëz të ndershëm, unë e kam emëruar një profesor të së drejtës ndërkombëtare, e kam emëruar kryetarin e KMDLNJ-së, e kam emëruar Ismet Salihun, politikisht mundem me thënë se kurrë nuk kanë qenë me PDK-në”, tha Kuçi.
Sipas tij, po të kishte shkruar me konkurs, do të zgjidheshin ata që kanë lidhje me parti. “I kemi zgjedhur ata njerëz që janë zanatli, që Kosova i identifikon me punë”.

Ministri Kuçi tha se nga 11 ligjet që i ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, 9 prej tyre janë të lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai thotë se MD është duke punuar për hartimin e Ligjit Anti-Mafia, i cili mes tjerash parasheh sekuestrimin e pasurisë së paligjshme. Ai tha se ka marrë vërejtje nga Komisioni Evropian dhe nga ekspertë të EULEX-it që të mos merret si model ligji i Shqipërisë, për arsye se nuk është adekuat.

Më 2012, bartja e kompetencave nga EULEX-i?

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka bërë të ditur se së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, kryeprokurorin e Shtetit, me gjyqësorin dhe me drejtorin e Policisë së Kosovës, e kanë përpiluar një dokument për bartjen e kompetencave nga EULEX-i tek organet vendore, me kujdes dhe me një bashkëpunim të plotë, për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve vendore.

“Është një dokument serioz që po diskutohet me BE-në dhe besoj që në fund të janarit që vjen, do ta marrë vizën pozitive edhe në Këshillin e Ministrave të BE-së. Pra po flitet për sferën e drejtësisë, në veçanti për drejtësinë, për policinë dhe për doganat”, tha Kuçi.

Sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave me BE-në, Kuçi tha se Kosova tashmë ka marrë një pëlqim për fillimin e dialogut më 19 janar, kur në Kosovë do të qëndrojë eurokomisionerja Cecilia Malmström, e cila do t’ia dorëzojë formalisht kryeministrit udhërrëfyesin dhe pastaj në fund të vitit do të ketë vlerësime. Ai shprehet i bindur se Kosova do t’i realizojë detyrat për plotësimin e kërkesave të BE-së që lidhen me këtë proces.
 
“Çështja e vizave është për qytetarin e Kosovës, jo si vizë për të shkuar në Evropë, por si vizë për t’u barazuar me qytetarin evropian dhe për të qenë konkurrent, qoftë në punë, qoftë në arsim, apo kudo tjetër”, tha Kuçi.

Ai tha se për vitin 2012 do të angazhohet për rritjen e infrastrukturës ligjore, për vendosjen e rendit dhe ligjit, do të angazhohemi shumë për transferimin e kompetencave nga institucionet ndërkombëtare te ato vendore.

“Viti 2012 është vit i reformimit të thellë të sistemit gjyqësor dhe 1 janari i vitit 2013, sistemin gjyqësor do ta gjejë ndryshe; me ligje të reja, me organizim me gjykata themelore. Kushtet ne do t’i kryejmë, krejt kërkesat e mundshme ligjore do t’i kenë të plotësuara”, thotë Hajredin Kuçi.