‘Ura e lotëve’ që ndante Shqipërinë me Kosovën

Urat kanë qenë gjithmonë nyje lidhëse midis popujve dhe kombeve. Por ura e Morinit, për më shumë se 20 vjet shërbeu si vijë ndarëse midis vëllezërve të një gjaku, që jetonin të ndarë në Shqipëri dhe Kosovë.

“Kishte ditë, madje dhe javë ku qetësia dhe heshtja mbretëronte në urë,” kujton Beqir Cena, oficer në pension i ushtrisë shqiptare dhe ish- komandant i pikës së kufirit.

Zanafilla e ndërtimit të urës së Morinit daton në 1978, kohë kur në Shqipëri po ndërtohej hidrocentrali i Fierzës dhe Liqeni përmbyti gjithë luginën e Drinit të Bardhë e të Zi.

Edhe pse ura duhej të shërbente si vepër lidhëse midis dy vendeve, ajo u kthye në një pikë mosmarrëveshjesh që në nisje, me ndarjen e saj në tokë Shqiptare dhe Jugosllave.

“Jugosllavët kanë pretenduar se janë bërë gabim matjet topografike dhe pala Shqiptare u ka “ngrënë” rreth 40 centimetër,” tregon Cena.

Megjithatë, në pak raste çdo vit, kjo urë kthehej në një pikë takimi për familjet shqiptare që kishin të afërm në të dyja anët e kufirit dhe nuk lejoheshin të udhëtonin në vendet reciproke.

Takimi bëhej në vijën ndarëse të shënjuar nga një shufër hekuri e salduar në parmakët e urës dhe e bojatisur me të bardhë.

“Edhe pse ishim të pajisur me leje, ndjeheshim shumë të frikësuar dhe nuk guxonim t’i afroheshim vijës,” kujton Fadil Rexha, drejtor i Shkollës në fshatin Bardhoc.

“Distanca mes njeri tjetrit ishte 10 metra dhe vetëm dy persona, një nga secila palë kishte të drejtë të fliste, me kusht vetëm prezantimin,” shton ai.

Rexha tregon se shumë vajza nga Morini qenë martuar në fshatrat e Kosovës, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore deri në mbylljen e kufirit në vitin 1947.

Martesat kryesisht kanë qenë në fshatrat Vermicë, Zhurit, Vlashnjë dhe fshatrave të tjerë të Vërrinit, por edhe në rajonin e Hasit që shtrihet në Kosovë.

Pas mbylljes së kufirit, shumë nga këto vajza dhe fëmijët e tyre nuk mund t’i takonin familjarët e tyre përtej kufirit në Shqipëri.

Sipas Rexhës, takimet që realizoheshin në urën e Morinit ishin të vështira, sepse shumë nga familjarët në të dy anët e kufirit nuk e njihnin njëri tjetrin.

Dita e takimit lihej përmes vizitorëve të rastësishëm që udhëtonin për në Kosovë, që shpeshherë ishin nga Tirana apo Durrësi.

“Në ndonjë rast, polici që fliste gjithnjë serbisht lejonte që edhe t’i jepnim dorën njeri tjetrit, por pa mundur të flisnim asnjë fjalë,” kujton Rexha.

“Megjithatë, ky ishte momenti më i lumtur për ne. Edhe pse nuk njiheshim, në çdo takim kishte vetëm lot dhe vaj,” shtoi ai.

Fadili tregon se familja e tij kishte të martuar ‘hallën e babës’ në fshatin Planejë të Kosovës para vitit 1947. Kjo ka qenë arsyeja që ai ka qenë disa herë vizitor i asaj që e quan “Ura e Lotëve”.

Ai thotë që halla e tij nga Kosova kishte udhëtuar për herë të parë në Shqipëri në vitin 1972. Në Morinë kishte kontroll të rreptë doganor dhe dhuratat taksoheshin shtrenjtë. Këtë fakt e dinin të gjithë shqiptarët e Kosovës, që niseshin tek të afërmit e tyre në Shqipëri.

Fadili tregon se halla e tij kishte fshehur në veshjen e saj të krahinës së Hasit orën “Darvil” zvicerane, që e kishte dhuratë për të vëllanë.

Po të zbulohej fshehja e mallit nga ana e doganiereve, malli konfiskohej dhe vizitori nuk lejohej të hynte në Shqipëri, madje nuk pajisej më me vizë nga ambasada shqiptare në Beograd.

”Dhuratat ne i ruanim si sytë e ballit, madje kjo orë ende sot është në shtëpinë tonë,” tregon Fadili.

Për herë të dytë, e moshuara nga Planeja kishte takuar të afërmit e saj në urën Morinit në vitin 1979. Kësaj radhe ajo kishte ardhur bashkë me djalin e saj të vetëm, Shaqirin.

Për herë të parë, Fadili ka vizituar të afërmit e tij në Kosovë në vitin 1994 duke udhëtuar përmes Malit të Zi.

“Megjithëse vendi ku unë do të shkoja për vizitë ishte vetëm pak kilometra, jam detyruar të udhëtoj përmes Malit të Zi për të dalë në Pejë dhe më pas në Prizren,” tregon Fadili.

“Ashtu si nipat e Planejës, kam edhe nipa të tjerë në Kukës, por ato të Kosovës i respektoj më shumë dhe kam më shumë hyrje-dalje për të kompensuar kohën e humbur,” thotë ai.

 

Hedhja nga ura

Ura e Morinit, gjatë kohës së regjimit komunist nuk shërbente vetëm si pikë takimi midis familjarëve të ndarë në të dy anët e kufirit.

Ajo ishte gjithashtu pika kufitare ku shumë shqiptarë të Kosovës të arratisur, iu dorëzoheshin nga ish-Sigurimi i Shtetit, autoriteteve Jugosllave dhe UDB-së, policisë sekrete Jugosllave.

Shumë të rinj, një pjesë e tyre edhe studentë, arratiseshin nga Kosova për në Shqipëri për shkak të represionit serb, apo me dëshirën për të studiuar.

Por kufitarët shqiptarë i arrestonin dhe i dorëzonin në polici. Afër godinës së policisë së Kukësit, në katin e pestë të një pallati ka qenë një apartament i rrethuar me hekura, ku strehoheshin të arratisurit nga Kosova.

Pasi merreshin në pyetje nga organet Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit, ata izoloheshin në apartament për t’u marrë në pyetje përsëri. Në ndonjë rast, nxirreshin edhe në shëtitje në qytetin e Kukësit, nën shoqërinë e një polici me emrin Qerim Deda.

Kur shihnin të rinj të shoqëruar me Qerimin, të gjithë kuksianët e dinin që janë nga Kosova dhe i përshëndesnin, madje shkëmbenin edhe ndonjë fjalë me ta. Disa prej tyre dërgoheshin në Tiranë, apo Fier, por në të shumtën e rasteve ktheheshin në Kosovë.

I tillë ka qenë dhe rasti i një të riu të arritur nga Kosova, të quajtur Xhavit Bala në vitin 1987, historia e të cilit ende tregohet në qytetin verior.

Pas hetimeve dhe kombinimeve me UDB-në jugosllave, organet e Sigurimit në Shqipëri kishin vendosur që të deportonin për në Kosovë Xhavit Balën.

I riu nga Doberdelani i Suharekës iu lut ish- punonjësve të Sigurimit të Shtetit që të mos e dorëzonin tek Jugosllavët, por vendimi ishte marrë dhe nuk kthehej mbrapsht.

Megjithatë, në momentin e dorëzimit në urën e Morinit, Bala është hedhur nga ura duke rrezikuar jetën për t’i shpëtuar deportimit. Akti i Balës ka mbetur gjatë i shënjuar në memorien e Beqir Cenës.

Cena kujton se të riun nga Kosova e sollën për ta dorëzuar në Morinë. Rojet kufitare dolën jashtë repartit dhe ngritën flamurin e bardhë, një praktikë që përsëritej në rastet kur dorëzoheshin të arratisurit.

Përfaqësuesit Jugosllavë janë paraqitur në afërsi të vijës së kuqe, 10 metër larg saj, ndërkohë që pala shqiptare ka vepruar në të njëjtën mënyrë.

Personi që do të dorëzohej, në bazë të rregullave duhej të ecte i pashoqëruar në territorin e askujt që ndante Shqiptarët nga Serbët, por Bala nuk kishte ndër mend të kthehej në Jugosllavi.

“Sapo ka filluar të lëvizë, i riu nga Kosova me një shpejtësi rrufe është hedhur nga parmakët e urës duke rënë poshtë në një ferrë,” kujton Cena

“Për pasojë ai pësoi fraktura në të dyja këmbët dhe gërvishtje në trup e fytyrë,” shtoi ai.

Sipas Cenës, vendi ku Bala u hodh ishte në territorin e Kosovës, por rojet kufitare nuk pranuan ta merrnin të plagosur. Ai është marrë mbrapsh nga policia shqiptare dhe është transportuar për në spitalin e Kukësit, ku ka qëndruar atje derisa është shëruar.

Pas daljes nga spitali, Bala u dërgua në qytetin e Fierit, ku vendoseshin kryesisht të arratisurit nga Kosova dhe mbaroi aty shkollën e mesme.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, ai ka vazhduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës dhe më pas është larguar për në Zvicër, ku gjendet edhe aktualisht.