Shpërfillja e Kryqit të Kuq nga Kryetari i Tij

Kur Adem Nura u zgjodh në krye të Kryqit të Kuq të Kosovës deklaroi se kjo pozitë ishte një nga gjërat më të rëndësishme për të.

Ai premtonte se do të angazhohet dhe do të bëjë të pamundurën për të udhëhequr mirë këtë organizatë humanitare.

“Për këtë mandat unë shpresoj që Qeveria e Kosovës ta mundësojë implementimin e Ligjit për Kryqin e Kuq si dhe të bëhemi së paku vëzhgues në familjet e kryqeve të kuqe të mëdha si në Gjenevë”, tha Nura më 15 shkurt të vitit 2014.

Kryqi i Kuq i Kosovës ende nuk është bërë vëzhgues në Gjenevë dhe po ashtu ligji për këtë organizatë humanitare nuk është duke u zbatuar në tërësi.
Kryqi i Kuq i Kosovës më 28 shkurt 2014 ka ngritur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Sigurimi i një veture në Kosovë kushton mesatarisht rreth 100 euro, ndërsa kompanitë e sigurimeve janë të obliguara të ndajnë një për qind të kësaj shume për Kryqin e Kuq.

Mbi 1 milion e 200 mijë euro, Kryqi i Kuq nuk i ka marrë asnjëherë nga 10 kompanitë e sigurimeve edhe katër vjet e tetë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Megjithatë, Nura trembëdhjetë muaj pas zgjedhjes së tij në krye të kësaj organizate humanitare,  thotë se angazhimi i tij në këtë organizatë për të nuk është primar, nuk merr rrogë aty dhe nuk e sheh si post të rëndësishëm.

Ai pohoi kështu kur u intervistua nga Gazeta Jeta në Kosovë dhe u pyet se si mund të mbajë katër vende të punës.

Nura përveç angazhimit në Kryqin e Kuq është edhe profesor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv në Universitetin e Prishtinës,  anëtar i Bordit në Universitetit “Isa Boletini” në  Mitrovicë si dhe është drejtor i Qendrës për Mjekësi Sportive që është nën kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë pozitë menaxheriale u zgjodh në nëntor të vitit të kaluar.

“Në Kryqin e Kuq, angazhohem aq sa kam kohë”, tha Nura për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai shtoi se Kryqi i Kuq ende është duke u përpjekur që të fitojë në gjykatë rastin kundër kompanive të sigurimit.

Angazhimet tjera të Nurës

Nura në qershor të vitit 2009 filloi të punojë në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv si profesor  i asociuar.

Ai është profesor i lëndës zgjedhorë “Mjekësi Sportive”, e cila mbahet çdo ditë të premte nga ora dhjetë e tridhjetë deri në orën trembëdhjetë e tridhjetë.

Në këtë kohë Nura duhet të jetë çdo të premte në Fakultet duke i lënë anash dy angazhimet e tij të tjera, atë të drejtorit të Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive në Prishtinë, si dhe atë të Kryetarit të Kryqit të Kuq.

Mosrespektimi i orarit për Adem Nurën nuk është problem.

“Unë në Qendrën Sportive nuk jam roje, që të rri te dera gjatë gjithë orarit,  muj me shku dhe me dalë kur të dua”, tha Nura për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai u zgjodh drejtor në këtë qendër në nëntor të vitit 2014.

Kjo qendër është nën autoritetin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (ShKSUK).

Me deklaratën e Nurës se mund të hyjë dhe dalë kur të do, nuk pajtohet Curr Gjocaj, drejtor i SkKSUK-së.
Ai thotë se orari i punës në këtë qendër duhet të përfillet dhe sipas tij i punësuari mund të dalë vetëm kur ka angazhime akademike.

“Prej orës 7 deri ne orën 3 është orari i punës në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive. Çdokush që ka kontrata pune duhet me i respektu”, thotë Gjocaj.

Ai thotë se edhe drejtorët e klinikave brenda QKUK-së e kanë sekondar angazhimin e tyre dhe marrin vetëm gjysmë page.

Ai thotë se ky lloj angazhimi do të rishikohet, por nuk tregoi se si dhe kur do të bëhet kjo nga ana e ShKSUK-së.

Ndërkohë Adem Nura  merr 420 euro në muaj nga puna në këtë qendër. Thotë se ky është angazhim sekondar i tij dhe se angazhim primar e ka punën në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv në Universitetin e Prishtinës.

Rroga e tij në UP është 1 mijë e 119 euro.

Sadik Krasniqi, dekani i këtij fakulteti, ka komentuar lidhur me angazhimin e katërfishtë të Nurës.

“I kam thënë që le të vendosë ku dëshiron të punojë, por ai më ka thënë se një punë të tillë kam të drejtë ta mbaj, sepse unë punoj vetëm edhe në Qendrën Sportive, pasi që në Kryqin e Kuq jam vullnetarisht”, tha Krasniqi.

Ai tha se puna e Nurës në Universitetin e Mitrovicës është punë pa angazhim të plotë.
“Ai aty është vetëm anëtar i bordit, s’ka pse shkon çdo ditë në Mitrovicë”, tha Krasniqi.
Njësoj për një gjë të tillë mendon edhe Nura.

“Unë aty jam vetëm anëtar i Bordit, çka me bie të kem angazhim një herë në muaj apo dy muaj dhe një gjë e tillë s’më pengon në punët e përditshme të tjera”.

Nura për punët në këtë Universitet paguhet 150 euro në muaj. Të hyrat totale të Nurës në muaj janë 1 mijë e 689 euro.