Përballja e Prindit me Sëmundjen e Rëndë të Vajzës dhe QKUK-në

Prindi i një vajze që po trajtohet në QKUK po ankohet për papërgjegjshmëri të stafit të spitalit. Sylejman Likaj bën me gisht kah Ramush Beiqi, doktor në QKUK, i cili, sipas tij, nuk e mjekoi vajzën e tij në spitalin publik, por e bëri atë në klinikën e tij private. Beiqi thotë se trajtimi në klinikën e tij private u bë pasi që radha e pacientëve për diagnostifikim në spitalin publik është e gjatë.

Sylejman Likaj nga fshati Krajk i komunës së Prizrenit ka më shumë se një javë që  po qëndron në QKUK.

Vajza e tij 12 vjeçare Arlinda Likaj është diagnostifikuar në muajin nëntor me hipertension të mushkërive, një sëmundje e rëndë dhe vështirë e shërueshme në tërë botën.

Likaj i tronditur nga sëmundja e vajzës po përballet edhe me shumë vështirësi gjatë trajtimit të saj  në repartin intensiv të Klinikës Pediatrike. 

Ai tregon se problemet me QKUK-së kanë filluar në muajin dhjetor kur e ka sjellë vajzën e tij në spitalin publik. 

Arlindës i është thënë ta bëjë një eko të zemrës që është një lloj ekzaminimi i cili edhe mund të jetë parandalues i zhvillimit të sëmundjes pasi që tregon nivelin e zhvillimit të sëmundjes, por në QKUK sipas babait të saj është dashur të presë dy muaj për një ekzaminim të tillë.

Por  dy muaj kanë qenë kohë e gjatë për të pritur për një ekzaminim të tillë, pasi që gjendja e Arlindës është e rëndë, ndërsa tregon se nga stafi ka marrë përgjigjen se nuk është vetëm Arlinda që ka nevojë për këtë shërbim dhe le të presë.

Ai thotë se ata nuk e kanë kuptuar seriozitetin e sëmundjes me të cilën përballet vajza e tij.

Mjeku i QKUK-së gjen kohë për trajtim në klinikën e tij private

Derisa në QKUK i ishte thënë se nuk ka termine të lira për ekzaminim të vajzës së tij, ngjashëm nuk ndodhi edhe në një klinikë private.

Ai e ekzaminoi vajzën e tij pikërisht në klinikën  “Echo Scan”, që është në pronësi të mjekut Ramush Beiqi, mjek në QKUK, i cili nuk kishte kohë për ta ekzaminuar në spitalin publik.

“Dy herë nga pesëdhjetë euro. Këtu mund të bëhet pa asnjë cent, por për shkak të terminit u desht me dalë privat ta bëjë atë,” u shpreh ai.

Sipas tij, për dallim nga trajtimi shumë i mirë në klinikën private, në QKUK dr.Beiqi nuk ishte i njëjtë.

Madje thotë se dr.Beiqi i ka premtuar edhe shërim jashtë vendit për vajzën e tij, por kjo nuk ka ndodhur.

“Tu prit prej Ramush Beiqit që ai e ka në dorë me transferu jashtë dikund, po pres prej atij me disa mjekë të huaj,” u shpreh ai.

Ai tregon se Arlindës po i ndërrohet dhoma disa herë gjë që sipas tij po e keqëson gjendjen e saj pasi që ajo po qan dhe po preket emocionalisht, e kjo po ndikon edhe në shëndetin e saj . 

 “Hala një javë është në spital, tri herë ia ndërruan dhomën ajo me oksigjen. S’po di qysh po munden me ia ndërru dhomën që tri herë,”shprehet ai.

Beiqi: Prindi  flet me emocione

Nga ana tjetër dr.Beiqi mohon ta ketë premtuar largimin e Arlindës jashtë vendit dhe thotë se ajo po trajtohet në QKUK si në çdo vend tjetër të botës. 

“Arlinda si paciente është e prezantuar te ekipet që vijnë te ne në konsultime dhe ne në bashkëpunim me ta dhe në bazë të njohurive që kemi i japim terapi. Trajtimi i Arlindës bëhet si në Kosovë, si në Amerikë në këtë shkallë që është për momentin”u shpreh ai.

 Ai thotë se në këto raste kur sëmundja avancon duhet të bëhet transplantim i ashtuquajtur mushkëri-zemër që është shumë i rrallë në botë.

Beiqi e pranon që Arlinda është trajtuar në klinikën e tij private, por thotë se për shkak të numrit të madh të pacientëve të cilët presin në radhë për të bërë një ekzaminim të tillë në QKUK  edhe ajo është dashur të presë, por prindi i saj ka vendosur ta sjellë në klinikën e tij private në të cilën e ka ekzaminuar. 

Sa u përket pakënaqësive të prindit të saj, doktor Beiqi thotë se janë keqkuptime dhe se Likaj, sipas tij, po merr interpretime të ndryshme nga mjekët që gjenden në QKUK. 

“Mendoj se janë më shumë keqkuptime sesa pakënaqësi. Edhe ekipi i intensivës që e trajtojnë fëmijën, edhe ne kardiologët në ikjen nga realiteti se si t’i tregojmë prindit për gjendjen e fëmijës nuk i japim informata të mjaftueshme, ose prindi i beson një mjeku më tepër.  Por kur nuk janë kushtet, fëmija duhet të trajtohet dikund tjetër . Mendoj se është keqkuptim në mes të ekipit ku qëndron pacientja (reparti intensiv) dhe ekipit ku ajo do të vijë (reparti pediatrik),” u shpreh dr.Beiqi.

Ai thotë se për shkak të mungesës së oksigjenit në repartin e tij, Arlinda është në repartin intensiv. Sipas tij, me rregullimin e kushteve në Repartin e Kardiologjisë  ai do e marrë Arlindën aty. 

Ndërsa arsyeton pakënaqësitë e prindit të Arlindës.

“Prindi ka të drejtë gjithmonë të ketë pakënaqësi. Së pari ka një fëmijë të sëmurë dhe emocionet e tij janë më të mëdha dhe çdo gjë kuptohet gabimisht, edhe pse unë mendoj së fëmijës i është ofruar maksimumi që dy herë u është prezantuar ekipeve nga jashtë,“u shpreh ai. 

Po ashtu i jep të drejtë prindit që është i shqetësuar që fëmijës i ndërrohet dhoma, po sipas tij kjo është njësia intensive ku patologjia ndryshon prej momentit në moment dhe ata duhet të veprojnë për të mirën e pacientëve, pasi që në dhomë nuk janë vetëm. 

Tashmë së fundi kërkesa e Arlindës ndaj familjes së saj ka qenë që t’i sillen librat në spital pasi që asaj i mungon shkolla dhe jeta e mëparshme.