Vëllai i Kryetarit të Komunës Punësohet në Stacionin e Autobusëve, Reagon Opozita

Konkursi në këtë kompani ishte shpallur për dy pozita të lira dhe përveç inkasantit, aty duhej të punësoheshin edhe sekretari i kompanisë.

Fatlumi për pozitën e inkasantit ka qenë Naser Asllanaj, vëllai i kryetarit të komunës, Sali Asllanaj, ndërsa partitë opozitare në këtë komunë kanë ngritur dyshime për përgatitjen profesionale të tij në krahasim me konkurrentët tjerë.

Nadire Hoxha nga AAK-ja në opozitë thotë se në këtë rast nuk është pranuar personi adekuat me fakultet.

“Në vendin e punës nuk është pranuar personi i cili e ka pasur fakultetin e kryer dhe dokumentet përkatëse për këtë vend pune, mirëpo është pranuar një person i cili e ka pasur shkollën e mesme, vëllai i kryetarit dhe normalisht që në këtë rast kemi konflikt interesi, duke pasur parasysh që kryetari një herët edhe e menaxhon, ndërmarrjen”, tha Hoxha.

Ndërsa Leonard Shala nga Vetëvendosje, thotë se nuk janë kundër vëllait të kryetarit, por duhet të respektohen rregullat e konkursit.

“Ne nuk jemi kundër vëllait të kryetarit edhe mendojmë që nuk është mirë vetëm pse është vëllai i kryetarit, me qenë i privuan nga e drejta për punë, se edhe ai është pjesë e kësaj qytetarie, mirëpo rregullat e konkursit dhe të ligjit duhet të respektuar”, tha Shala.

Kryetari i komunës Sali Asllanaj, e pranon se në këtë pozitë është pranuar vëllai i tij, por thotë se nuk është punësim politik, pasi është zgjedhur nga një bord, ku LDK-ja është pakicë, ndërsa opozita shumicë.

“Po, është e vërtet që është punësuar vëllai im, por nuk besoj që është punësim politik, sepse ka qenë një bord me përbërje heterogjene, ku LDK-ja kushtimisht i ka vetëm dy anëtarë, ndërsa nga dy anëtarë i kanë PDK-ja dhe AAK-ja. Realisht nuk ka pasur mundësi me ndiku as kryetari dhe askush tjetër”, tha Asllanaj për KALLXo.com.

Ai thotë se askush nuk të drejtë t’ia mohojë dikujt të drejtën e aplikimit.

“Mendoj që asgjë të keqe nuk ka. Edhe vëllai i kryetari ka drejtë me konkurru, nuk mundem me ia mohu të drejtën e konkurrimit”, u shpreh ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Naser Asllanajn, i cili nuk pranoi që të flasë para kamerës, por përsëriti ato që tha vëllai i tij kryetar.

“Edhe unë kam të drejtë të punësohem e jo të më vdesin fëmijët vetëm pse jam vëllai i kryetarit”, tha Naser Asllanaj.

Halit Elshani, Drejtor i Stacionit të Autobusëve në Suharekë, dhe anëtar i komisionit intervistues, tha se vëllai i kryetarit i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara me konkurs.

“Kandidati Naser Asllanaj, vëllai i kryetari aktual të komunës Sali Asllanaj, i ka plotësuar kushtet në të gjitha ato që janë kërkuar në bazë të konkursit”, tha Elshani.

Sipas tij, në këtë rast, kandidati që ka pasur fakultet, nuk ka pasur përparësi, pasi me konkurs është kërkuar që kandidati ta ketë të kryer shkollën e mesme dhe se të gjithë janë trajtuar si të barabartë, pavarësisht nëse dikush e ka të kryer fakultetin.

“Përderisa me kushtet e konkursit është kërkuar të ketë vetëm shkollën e mesme, janë të barabartë të gjithë kandidatët, pavarësisht kualifikimeve tjera superiore që kanë”, u shpreh ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Qëndrim Gegajn, i cili ka qenë kundërkandidat i vëllait të kryetarit të Komunës, por nuk pranoi të flasë me arsyetimin se ka frikë se flet do t’i hakmerren për vendet tjera të punës.