Zhvarrimi i së Vërtetës për Fëmijët e Vdekur në Lubovec

Një ngjarje e rëndë ka kthyer vëmendjen tek fshati Lubovec i Skënderajit.

Policia e Kosovës më 23 shtator arrestoi çiftin bashkëshortor nga Luboveci, Smajl Ramën dhe gruan e tij F. B., nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje e rëndë në tentativë” të të dy fëmijëve të tyre. 

Gjithçka u zbulua rastësisht së pari nga mjekët, e pastaj edhe nga organet e ndjekjes, kur Smajl Rama, babai i këtyre fëmijëve-vajzave binjake të moshës tremuajshe, solli njërën prej tyre për trajtim në Klinikën e Pediatrisë më 15 shtator 2014, ndërsa tregoi se tjetra kishte vdekur dhe ai e kishte varrosur po atë ditë. 

Vajzat e vogla, të dyja me inicialet A.R., nuk ishin të panjohura për mjekët e kësaj klinike, ngase kishin qëndruar në pediatri dy javë- nga fundi i gushtit deri më 9 shtator, pasi kishin peshë të vogël kur lindën.

Por natën e 15 shtatorit rreth orës 20:00, sipas fletëlëshimit të Klinikës së Pediatrisë, njëra prej vajzave të Smajl Ramës u pranua për kurim me kokë të ënjtur. 

Kjo e shtyri mjekun kujdestar Halim Toro që të nesërmen të kërkojë fotografim radiologjik të kokës së foshnjës. Nga fotografimi, ky mjek dyshoi se ajo ka thyerje të kafkës. 

Për ta konstatuar këtë, ai kërkoi që fëmijës t’i bëhet CT-ja (e njohur si fotografim i thellë). Nga kjo doli se fëmija i ka dy thyerje të ashtit të kokës – djathtas dhe majtas, por thyera është më e theksuar majtas. 

Mjeku Toro nuk deshi të flasë për Gazetën Jeta në Kosovë, por gazetës iu treguan fotografimet e kokës së vajzës, pa iu dhënë ato, pasi rasti është nën hetime. 


Smajl Rama

Ushtrim dhune edhe te foshnja e vdekur 

Fotografimet bindën drejtorin e Klinikës së Pediatrisë Muharrem Avdiun që rastin ta lajmërojë në polici, ndërsa policia aktivizoi prokurorinë. 

Duke parë konstatimin mjekësor për thyerje të kafkës të foshnjës së gjallë, prokurorja Vahide Badivuku kërkoi zhvarrimin për autopsi edhe të foshnjës tjetër, tashmë të vdekur. 

“Unë si prokurore ia kam bërë një kërkesë gjykatës që të bëhet zhvarrimi i kufomës e cila ka vdekur, për shkak se të njëjtën ditë kur njëra është dërguar në spital, ajo tjetra ka vdekur”, tregon prokurorja Badivuku. 

Zhvarrimin e konfirmon edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. 

“Me urdhër të prokurorisë dhe të gjykatës është bërë ekshumimi i kufomës, e cila është dërguar për ekzaminim mjekësor (obduksion)”, thotë Zahiti. 

Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, pas analizave konstaton se fëmija (njëra binjake A. Rama) ka vdekur si pasojë e përdorimit të dhunës.

Këtë e thotë edhe zëdhënësi Zahiti. 

“Rezultati i obduksionit ka dalë që tek ajo kufomë janë vërejtur gjurmë evidente të dhunës”, deklaron  Zahiti. 

“Nga hetimet ka rezultuar që aty bëhet fjalë për dyshimet e ngritura për vrasjen e njërës nga foshnjat e tyre dhe për tentim-vrasjen për foshnjën tjetër”, shton ai. 

Pas prangosjes dhe qëndrimit prej dyzet e tetë orësh nën arrest, çiftit nga Luboveci prej 25 shtatorit në Gjykatën Themelore të Mitrovicës i është caktuar paraburgimi tridhjetëditësh. Një muaj më vonë më 25 tetor atyre iu vazhdua paraburgimi edhe për dy muaj deri më 25 dhjetor të këtij viti.

Por avokatët e të dy prindërve, Fatmire Braha e F.B.-së dhe Isa Hyseni i Smajl Ramës thonë se klientët e tyre kanë mohuar në tërësi veprat penale me të cilat ngarkohen. 


Shtëpia e Ramës

Babai akuzon spitalin për lëndimin e vajzës 

Babai i foshnjave, Smajl Rama, dyshon se vajza e tij që është në Pediatri mori lëndime aty, edhe pse në fletëlëshimin nga kjo klinikë thuhet se fëmija erdhi me kokë të ënjtur. 

Rama megjithëse e pranon se foshnjën e tij e çoi në spital me një ënjtje të vogël pas qafe, thotë se vetëm pas tri ditësh mjekët e thirrën policinë. 

“Sikur ta kisha sjellë vajzën me çivita e me kokë të çame e të përgjakur, ditën e hënë (më 15 shtator) mjekët në pranim ishin kanë të detyruar m’i thirrë policinë. Por pas tri ditësh e thërrasin policinë dhe thonë se gjoja ne e kemi rrëzu”, thotë Rama. 

Ai deklaron se vajza e tij ka mundur t’i bie nga dora dikujt nga personeli mjekësor i klinikës. 

“Të gjitha këto dyshime më çojnë në spital, në Repartin e Intensivës ku edhe qëndron fëmija (Pediatri). “Unë du me shku me një akuzë direkte për z. Avdiun dhe spitalin. A ju ka rrëshqitur fëmija prej dore, a qysh ka ndodhë nuk e di…, se nuk besoj se dikush ka zemër me ia bo atë punë një fëmije”, shfaq dyshimet Smajli. 

Por drejtori i Pediatrisë Muharrem Avdiu thotë se pavarësisht për çka akuzon prindi i vajzave, për këtë punë më së miri flasin letrat.

“Na komunikojmë me dokumentacion mjekësor. Ky dokumentacion nuk është shkruar as prej anës sime, e as për qejfin tim. Është shkruar në mënyrë besnike edhe kur janë pranuar”, deklaron ai. 

“Më 15 shtator njërën vajzë babai e sjell në Klinikë, kurse për vajzën tjetër ai ka thënë se ka vdekur dhe e kanë varrosur. Fëmijët nuk janë ushqyer në mënyrë adekuate”, kujton dr. Avdiu. 


Muharrem Avdiu

Çiftit i vdiqën pesë fëmijë nga 2009-ta 

Rasti i Lubovecit ishte raportuar në Kallxo.com më 17 shtator 2014, në kohën kur vajza e vdekur ishte varrosur dhe motra e saj ishte dërguar në Klinikën e Pediatrisë për shërim.

Përveç A.R.-së që ndodhet në Pediatri, ky çift tash e ka vetëm edhe një vajzë 14 muajshe, të lindur në vitin 2013. Ajo jetonte me prindërit kur ata u arrestuan nga policia. 

Ajo në fillim iu dorëzua Qendrës për Punë Sociale në Skenderaj, kurse tash gjendet te gjyshi i saj, rreth 500 metra larg shtëpisë ku jetonte . Gazetarët e Gazetës Jeta në Kosovë e kanë parë vajzën në shtëpi te gjyshi. 

Smajl Ramës dhe gruas së tij deri tash u kanë vdekur pesë fëmijë- dy binjakë meshkuj në vitin 2009, një djalë në vitin 2010, dy binjakë – njëri mashkull dhe tjetri femër në vitin 2012, si dhe vajza e fundit që lindi dhe vdiq në vitin 2014.

Policia ka njohuri për këto vdekje. 

“Policia i ka këto informacione për një historik jo të mirë (të çiftit), pasi që, ata janë deklaruar se u kanë vdekur edhe pesë foshnje tjera”, thotë zëdhënësi i policisë, Avni Zahiti. “Por se si ka ardhur deri te kjo, ende nuk kemi ndonjë verdikt zyrtar”, bën me dije ai. 

Prokurorja e rastit, Vahide Badivuku, thotë se ende nuk kanë informacione se si kanë vdekur fëmijët tjerë.

“Sa u përket fëmijëve tjerë, ne ende nuk kemi informata se si ka ndodhur”, thotë ajo. “Sigurisht se do t’i hetojmë edhe ato raste me ekzaminime mjekoligjore”, shton prokurorja. 

Ajo nuk e përjashton mundësinë që të hetohen edhe mjekët, pasi prindi i foshnjës pretendon se vajza e tij u lëndua në pediatri. 

“Sigurisht se nuk përjashtohet as ajo mundësi, të hetohet në detaje, si në aspektin e kujdesit të mjekëve, ashtu edhe të prindërve”, shpjegon prokurorja Badivuku. 

“Gjaku nuk hup, thotë një fjalë popullore”, thekson ajo.


Vahide Badivuku