Kush Është Kush Në Ekipin e Rektorit të UP-së?
Fetah Podvorica, Eda Vula, Arbnor Pajaziti dhe Lindita Tahiri janë profesorët e përzgjedhur nga rektori Zjenullahu për të menaxhuar me shkencë, buxhet e financa në Universitetin e Prishtinës.
Fetah Podvorica, ish këshilltar për arsim i kryeministrit, Hashim Thaçi, tashmë ka marrë pozitën e prorektorit për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës. Përveç lidhjeve që ka pasur me kryeministrin Thaçi, Podvorica është edhe baxhanak me anëtarin e kryesisë së PDK-së dhe deputetin e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Rrustem Mustafa.
Podvorica është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe ka një numër të madh të punimeve shkencore me impakt faktor, ndërsa sipas Google Scholar deri më tani punimet e tij janë cituar 1973 herë nga autorët e tjerë.
Ka doktoruar në fushën e elektrokimisë në Universitetin e Parisit “Denis Diderot”, në të njëjtin universitet ku i kishte përfunduar edhe studimet e magjistraturës.
Prej vitit 2005, Podvorica është anëtar i Shoqatës së Kimistëve Amerikanë, ndërsa nga viti 2009 u anëtarësua në Shoqatën Ndërkombëtare të Elektrokimistëve.
Lindita Tahiri, prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar, është e besueshmja tjetër e rektorit Zjenullahu për ekipin e tij të ngushtë.
Tahiri me të njëjtën pozitë e kishte mbajtur edhe gjatë kohës kur në krye të Universitetit të Prishtinës ka qenë Ibrahim Gashi. Këtë punë e kishte bërë për dy vite deri në dorëheqjen e ish-rektorit Gashi.
Lindita Tahiri është gruaja e Ramush Tahirit, ish-analistit politik, tashmë këshilltarit të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga
Tahiri është profesoreshë e asocuar dhe ligjëron në Departamentin e Gazetarësi në Fakultetin Filologjik por jep edhe lëndët e gjuhës angleze.
Nga viti 2003 e deri në vitin 2010, ajo ka qenë koordinatore e programit Tempus të Komisionit Evropian për Kosovën.
Ngjashëm si prorektorja Tahiri, edhe prorektorja Eda Vula mban titullin e profesoreshës së asocuar.
Ajo ligjëron lëndët e matematikës në Fakultetin e Edukimit ndërsa kishte qenë prodekane në këtë fakultet gjatë viteve 2006-2009. Vitin e kaluar ka qenë edhe nënkryetare në e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës.
Ka qenë anëtare e grupit të ekspertëve për hartimin e planeve dhe programeve mësimore në MASHT, e po ashtu ka marrë pjesë në shumë grupe për hartimin e strategjive në arsim.
Arbnor Pajaziti, prorektori tjetër i përzgjedhur nga Ramadan Zejnullahu, është inxhinier i diplomuar i makinerisë. Ai mban gradën e profesorit të rregullt dhe ligjëron në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Por, përveç në Kosovë, ai ka qenë mësimdhënës edhe në universitete të huaja si në atë të Gjenovës, në Universitetin e Shkencave Aplikative në Gracë të Austrisë si dhe në Universitetin e Tetovës.
Ka doktoruar në Universitetin e Teknologjisë në Vjenë ndërsa magjistraturën e ka përfunduar në kryeqytetin e Kroacisë, në Zagreb.
Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ka qenë bashkëpunëtor për marrëdhënie me jashtë në rektoratin e Universitetit të Prishtinës ndërsa gjatë viteve 2007-2009 ka qenë zëvendës president i Agjencionit për Akreditim të Kosovës.
Përzgjedhja e prorektorëve në Universitetin e Prishtinës është bërë pas propozimeve që i ka dhënë rektori Ramadan Zejnullahu para senatit dhe Këshillit Drejtues të UP-së.
Disa herë rektori nuk kishte arritur të zgjedhtë bashkëpunëtorët e tij pasi në senat dhe në Këshillin Drejtues nuk kishte pasur kuorum të mjaftueshëm për t’ia votuar prorektorët.