Kamata e Tatimit Në Pronë Llogaritet Gabimisht në Gjakovë

”Me datën 24.02.2014 kam përfunduar të gjitha obligimet tatimore në pronë për vitin 2013 duke përfshirë këtu edhe kamatën ndëshkuese për vonesën 2 muajshe, ku kam vërejtur se në vazhdimësi jam duke u dëmtuar nga kamata”, tha ai.

Për këtë Kabashi ka kërkuar sqarime nga udhëheqësi i Zyrës Tatimore në Gjakovë, Shkëlzen Cërmjani.

Ky i fundit tha për KALLXO.com se Komuna e Gjakovës ka rritur inkasimin e tatimit në pronë për 15 për qind krahasim me vitin e kaluar.

Ndërsa ankesave të Arsim Kabashit, Cërmjani u dha të drejtë.

“Në softverin e tatimit në pronë kamata është duke u llogaritur gabimisht, ose në kundërshtim me legjlislacionin në fuqi. Të gjitha borxheve të vitit të kaluar të paguara në vitin aktual u llogaritet kamata. Kjo ndodh sepse pagesa e cila është dedikuar për borxhin e vitit të kaluar regjistrohet si pagesë e vitit aktual, duke mos marrë për bazë se afati ligjor për kryerjen e këtij obligimi aktual ende nuk ka arritur”, tha Cermjani.

Për këtë gabim softverik Cërmjani thotë se është njoftuar edhe Ministria e Financave.

Ndërsa në këtë ministri thonë se janë takuar me drejtorët dhe menaxherët e tatimit në pronë për të diskutuar këtë çështje.

“Është duke u ngritur sistemi dhe se në vitin 2015 do të bëhet rregullimi që fillimisht të shlyhet borxhi i vjetër, pastaj të paguhet borxhi aktual”, tha Shkëlzen Morina drejtor në Departamentin për Tatim në Pronë pranë Ministrisë së Financave.

Por deri atëherë, Morina tha se secila komunë që ka probleme me këtë sistem duhet të përmirësojnë gabimet përmes sistemit manual.

Ai po ashtu tha se qytetarët që janë dëmtuar do të kompensohen.

Tatimi në Pronë në Republikën e Kosovës ka filluar të mblidhet në vitin 2002 me disa pilot-komuna, ndërsa në vitin 2003 ka filluar në tërë territorin e Kosovës duke përjashtuar Mitrovicën Veriore.

Deri më tani në vitin 2014 Kosova ka afërsisht 600 mijë tatimpagues që ngarkohen vetëm për pronat rezidenciale, industriale, të banueshme dhe bujqësore.

Për digjitalizimin e tatimit në pronë organizata suedeze SIDA ka dhënë 2 milionë euro.