Shkolla e Dështuar Elitare e Ministrit Buja

Dokumentet e punës së Shemsi Berishës që udhëheq Gjimnazin Special të Matematikës kanë zënë vend te zyra e punëtorit teknik dhe dy rojtarëve në katin e parë të shkollës që gjendet në Lagjen “Kalabria” të Prishtinës. 

Mbi tavolinë është edhe një radio e vogël të cilën e kishte sjellë njëri prej dy pjesëtarëve të sigurimit. 

Ata çojnë bashkë kohën dhe punën me Berishën që e quajnë drejtor. 

Ndonëse zyra e drejtorit gjendet në katin e dytë të kësaj shkolleje trekatëshe, ajo nuk shfrytëzohet nga Berisha.

Zyra e tij e vërtetë ka vetëm një karrige dhe tavolinë, por jo edhe kompjuterë e mjete të tjera të punës, të nevojshme për një drejtor shkolle. 

As në katin  e parë nuk ka kompjuterë, por është një shporet ku ai dhe kolegët e tij ziejnë kafe.

 “Ndoshta edhe duket qesharake, por unë nuk kam kompjuter në shkollë, e nevojë kemi edhe për printer, projektor  e gjëra të tjera”, thotë Berisha. 

Për gjimnazin që ai drejton Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 2 milionë e 234 mijë euro për ndërtim, e 54 mijë euro tjera për pajisje me inventar.

Objekti është përuruar më 22  maj të vitit 2014 nga Ramë Buja, ministër i Arsimit që këtë shkollë e quajti elitare. 

“Gjithmonë e konsideroj veten me privilegj kur përurojmë objekte të tilla …për faktin që do të jetë një shkollë elitare, një shkollë që do grumbullojë nxënës jo nga Komuna e Prishtinës, por nga e tërë Kosova dhe pse jo edhe më gjerë”, deklaroi atëherë Buja. 

Në këtë gjimnaz është paraparë që të regjistrohen vetëm nxënësit që vlerësohen se janë talente të matematikës.  

Por, pesë muaj më pas, Berisha duke treguar për vështirësitë në Gjimnazin e Matematikës,  thotë se nuk e di as emërimin zyrtar të detyrës që ka në këtë shkollë.

“Në MAShT më quajnë koordinator, Komuna e Prishtinës më quan administrator të shkollës, ndërsa unë kam qejf t’i them vetes menaxhues i shkollës, pasi kjo edhe përshtatet më shumë”, thotë Berisha. 

Bën me dije se shkolla ende nuk ka as ditarë për të vlerësuar nxënësit.

Berisha thotë se  më së shumti e brengosin njëzetë e pesë nxënësit e vetëm të regjistruar, të cilët sipas tij po pësojnë nga neglizhenca institucionale.

“Nuk është as ligjore, e as morale të maltretohen nxënësit që vijnë nga qytete të tjera larg Prishtinës, e të sillen nëpër korridore të shkollës”, thotë Berisha duke shtuar se ndjen keqardhje për ta.

“Nxënësit ose të akomodohen si duhet, ose të mos shkohet më tutje”, shton drejtori. 

Mësimi nisi me vonesë

Vetëm 25 nxënës janë bërë pjesë e shkollës elite të matematikës duke krijuar një paralele për të mbushur njërën nga 22 klasat sa ka kjo shkollë. 

Mësimi nisi më 7 tetor të këtij viti, ndonëse ende nuk janë bërë  të gjitha përgatitjet e duhura që nxënësit ta fillojnë këtë proces. 

Ishte paraparë që shkolla të hapej me një shtator, por Komuna e Prishtinës kishte shpallur dy herë konkursin për pranimin e nxënësve. 

Rishpallja e konkursit sipas komunës ishte bërë me qëllimin “që të pranohen nxënës që me të vërtetë i plotësojnë kriteret për regjistrim”. 

Aktualisht nxënës të regjistruar ka vetëm nga Kaçaniku, Gjilani, Vushtrria dhe Prishtina. 

Jo vetëm këta nxënës kanë pasur fatin e keq të kenë probleme në ndjekjen e mësimeve për matematikë këtë vit në Kosovë.  

Shumë të rinj nuk kishin arritur të regjistronin studimet në programin e matematikës, pasi Universiteti i Prishtinës nuk kishte shpallur konkurs për pranim të studentëve.

Agjencia e Akreditimit e Kosovës nuk e kishte akredituar programin, pasi Departamenti i Matematikës kishte aplikuar për këtë me pesë muaj vonesë.

Pati edhe protesta në muajin korrik nga nxënësit që shprehën interesimin për të ndjekur studimet në matematikë, por kërkesat e tyre nuk u realizuan. 

Valdrin Sherifi, njëri nga maturantët organizator të kësaj proteste, kishte thënë se me këtë vendim po u mohohet e drejta shumë nxënësve të studiojnë drejtimin e dëshiruar. Ai kishte bërë  thirrje që paqartësitë mes FSHMN-së dhe Agjencisë së akreditimit të zgjidhen sa më shpejt.

“Ne nuk i dimë problemet e brendshme të tyre por ne kërkojmë zgjidhje. Ne po kërkojmë nga agjencia që ta akreditojë programin”, kishte  thënë Sherifi

Por, Ferdie Zhushi, kryetare e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, kishte dhënë pak shpresa që për vitin akademik 2014/2015 të regjistrohen student të rinjë në programin e matematikës. 

Sipas saj, vendimi për akreditim nuk mund të merret deri me gjashtë nëntor. 

Por, ndonëse nxënësit në Gjimnazin Special të Matematikës patën mundësinë të fillojnë mësimin në këtë shkollë, ajo ende nuk po funksionon normalisht.

Teksa tregon sallën e arsimtarëve që është e zbrazët, drejtori ankohet edhe për profesorët të cilët sipas tij “nuk ka ditë që nuk bëjnë ndonjë mungesë”. Ai ankohet se për disa profesorë ende nuk e di se çfarë lënde do t’u japin atyre që e duan matematikën.

“Nuk ka ditë që ndonjë profesor nuk mungon në ndonjë orë, e më keq është se për disa lëndë ende nuk e di se kush do t’i ligjërojë, pasi ende nuk na janë sjellë emrat e tyre”, thotë Berisha. 

Për këto mungesa të profesorëve, Berisha thotë ta këtë njoftuar MASHT-in dhe Komunën e Prishtinës gjatë këtyre dy javëve të mbajtjes së mësimit dhe se po pret vendimet e tyre lidhur me këtë problem. 

Ai tregon se si çdo ditë përballet me ankesat e nxënësve që e pyesin për ardhjen e profesorëve dhe literaturën me të cilën ata duhet të mësojnë. Berisha thotë që në të shumtën e rasteve nuk mund t’u japë përgjigje, pasi nuk varet nga ai. 

Vendimmarrja në këtë shkollë i përket Komunës së Prishtinës.

Për sigurimin e mësimdhënësve të gjimnazit ishin obliguar Drejtoria e Arsimit e Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës.

Arbërie Nagacvi, drejtoresha komunale e Arsimit, thotë se Prishtina obligohej të siguronte vetëm mësimdhënësit e lëndëve joshkencore, ndërsa UP-ja obligohej që të siguronte mësimdhënësit e lëndëve matematikore dhe të shkencave natyrore. 

Nagavci thotë se po pret raportin e administruesit të shkollës (Shemsi Berishës) për ta parë vijueshmërinë e mësimdhënësve.

Ndarja e obligimeve

Ministria e Arsimit, Komuna e Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës më 27 gusht 2014  nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, me të cilën i ndanin obligimet që kishin ndaj gjimnazit. 

Detyra më të mëdha merrte përsipër Ministria e Arsimit, e cila obligohej të siguronte buxhetin për funksionimin e shkollës,  programet e gjimnazit si dhe të financonte një punëtor teknik dhe një administrativ. 

Ministria e Arsimit, nëpërmjet këshilltarit të ministrit Buja Azem Gurit ka mohuar që shkolla të ketë mungesë të inventarit, ndonëse diçka të tillë e ka deklaruar vetë drejtori i shkollës.

“Shkolla nuk ka mungesë  të inventarit, e cila është pajisur  nga  MAShT-i”, thotë   Azem Guri, edhe pse kabineti i fizikës dhe i informatikës është i zbrazët. 

Ai nuk ka dhënë përgjigje për mungesën e kompjuterit në zyrën e drejtorit.

Në anën tjetër, Arbërie Nagavci,  drejtoreshë e Arsimit në Komunën e  Prishtinës,  thotë të jenë dërguar ditarët në këtë shkollë, ndonëse një gjë të tillë e mohon drejtori i shkollës. 

“Ditari është dërguar në shkollë nga administruesi, po ashtu kemi autorizuar edhe marrjen e materialit zyrtar dhe atij për punë me nxënës”, ka thënë Nagavci. 

Banimi, transporti e shujta vetëm premtime

Nxënësve të cilët do të bëheshin pjesë e Gjimnazit Special të Matematikës u ishte premtuar edhe mbulimi i shpenzimeve të transportit, të banimit, e po ashtu edhe një shujtë ditore. 

Por deri më tash asnjëra nga këto nuk janë bërë. 

Shemsi Berisha, tregon se si nga fjalët që kishte marrë nga MAShT-i ua kishte dhënë këtë premtim nxënësve, e për të cilin i vjen keq që nuk është realizuar.

“Që në fillim i kam lajmëruar nxënësit e fëmijët se do t’u mbulohen shpenzimet e banimit, udhëtimit dhe një shujtë ditore, kjo ende nuk është bërë, por shpresoj që së shpejti të realizohet”, thotë Berisha. 

MAShT-i thotë se do të mbajë këtë premtim. 

“Shpenzimet e udhëtimit, strehimit dhe ushqimit do t’u mbulohen nxënësve nga MAShT-i, për këtë janë njoftuar nxënësit dhe  prindërit në fillim të kësaj  jave. Mbulimi i shpenzimeve do të bëhet nga tetori deri në qershor,sa do të zgjasë viti shkollor”, tha të premten Azem Guri, këshilltari i ministrit Buja, nëpërmjet një përgjigjeje të shkruar. 

Por muaji tetor po shkon drejt përfundimit dhe nxënësit e Gjimnazit Special të Matematikës ende të gjitha shpenzimet që lidhen me këtë shkollë, i mbulojnë me të hollat e familjarëve të tyre.