Serbia në Dilemë Rreth Tifozëve Kosovarë të Futbollit

Grupi i tifozëve “Plisat”, njëri nga më të mëdhenjtë në Kosovë, e ka bërë të qartë përmes faqes së tyre në Facebook se tifozët dëshirojnë të jenë të pranishëm në stadiumin e Partizanit në Beograd me 14 tetor kur Serbia dhe Shqipëria ndeshen për kualifikimet e Euro 2016.

“Një numër i madh i njerëzve na kanë shkruar dhe na kanë thënë se dëshirojnë të shkojnë në atje për të përkrahur ekipin tonë [ekipin e Shqipërisë]”, është shkruar në një postim në Facebook-un  e “Plisave”.

“Ne jemi duke pritur një përgjigje nga Federata e Futbollit e Serbisë”, thuhet në njoftim. 

Federata e Futbollit e Serbisë deri më tani nuk ka pranuar të komentojë nëse tifozët kosovarë do të lejohen të hyjnë në stadium.  

Tifozët e grupit “Plisat” rrallë mungojnë në ndeshje të Kombëtares së Shqipërisë në të cilën një numër i shqiptarëve nga Kosova luajnë po ashtu.

Mirëpo, Milivoj Mirkov, komisionar për siguri në Federatën e Futbollit të Serbisë, ka deklaruar ditë më parë se ndeshja është e rrezikshme për shkak të konotacioneve politike që ngërthen kjo ngjarje.

“Ne duhet t’u përmbahemi në mënyre rigoroze procedurave të UEFA-s në organizimin e ndeshjes.  Kjo do të thotë se do të jetë shkalla më e lartë e kontrollit e përkrahësve në hyrje, gjatë shitjes së biletave dhe për të siguruar se çfarë do të ndodhë në tribuna, përpara, gjatë dhe pas lojës”, i tha Mirkov gazetës serbe “Veçernje Novosti” më 24 shtator.

Përveç kësaj, Mirkov thotë se pret ende instruksione nga autoritetet shtetërore serbe rreth organizimit të ndeshjes në Beograd. 

“Ne mund ta përgatisim ndeshjen vetëm me ndihmën e shërbimeve të sigurisë dhe shtetit.  Madje edhe para hyrjes në stadiumin e Partizanit, në bashkëpunim me policinë ne do të kemi së paku një pikë kontrolli më shumë sesa zakonisht”, shtoi ai.

Ndeshjet e futbollit kanë histori të gjatë të ngritjes së tensioneve politike dhe etnike në Ballkan.  Ndeshjet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë janë po ashtu problematike duke marrë parasysh mllefin e vazhdueshëm në Serbi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.  

Serbia është betuar se kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve vazhdojnë të jenë të acaruara, edhe pse të dyja palët u janë futur bisedimeve të udhëhequra nga BE-ja për “normalizmin e marrëdhënieve.”

Kosova vetë nuk ka të drejtë të luajë në turne ndërkombëtare të futbollit, përveç ndeshjeve miqësore, meqë ende nuk është anëtare e FIFA-s.  Deri më tani, Serbia ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në shumicën e organizatave botërore të futbollit.