Punësimi i Dyshimtë i Motrës së Këshilltarit të Bujës

Arbër Morina, këshilltari i ministrit të arsimit Ramë Buja, nuk është personi i vetëm nga familja e ngushtë e tij që punon në Universitetin publik të Gjakovës “Fehmi Agani”. 

Morina, përveçqë që është anëtar bordi që nga tetori i vitit 2013 në këtë universitet tash së fundmi është punësuar edhe motra e tij, Arbëreshë Morina.

Në këtë universitet është i punësuar si profesor edhe  babai i tyre, Zeki Morina.  Por ai është angazhuar aty para vitit 2013 kur universiteti i Gjakovës kishte statusin e shkollës së lartë publike dhe djali i tij nuk mbante postin e këshilltarit politikë. 


Arbër Morina dhe Zeki Morina (babai i tij)

Megjithatë Arbëresha Morina ka arritur të marrë pozitën e bibliotekares në Universitetin e Gjakovës ndonëse ka vetëm shkollën e mesme të përfunduar. 

Raporti i komisionit universitarë që mban datën 20 gusht të vitit 2014 thekson se Arbëresha Morina emërohet në pozitën bibliotekare pasi që kishte arritur më së shumti pikë në testin me shkrim dhe me gojë.

Raporti  thotë se ajo grumbulloi 70.3 pikë duke lënë mbrapa dy kandidatët tjerë Blerim Nakën me 60.5 pikë dhe Alban Idrizaj me 57 pikë. 

Por ajo nuk plotësoi një kriter që kërkohej nëpërmjet konkursit të shpallur më 3 korrik të këtij viti.

Ndonëse në konkurs kërkohej që bibliotekari i zgjedhur duhet të ketë shkollën e mesme të përfunduar si dhe dy vite përvojë punë, Arbëreshë Morina nuk e plotësonte kriterin e fundit. 

Ajo nuk ka përvojë pune dy vjeçare. 

“Përgatitje e mesme shkollore, dy (2) vite përvojë pune, e dëshirueshme njohja e një gjuhe botërore”, thuhej në konkurs për kriteret që duhet plotësuar personi që aplikon për pozitën e bibliotekares. Konkursi nuk specifikonte se a duhet të jetë përvoja e punës e lidhur me fushën e bibliotekarisë.

Qeveria e Kosovës e ka themeluar Universitetin Publik të Gjakovës me gjashtë mars të vitit të kaluar, ndërsa viti i parë akademik i tij ka filluar me një tetor 2013.

Jo vetëm punësimi i motrës së tij por edhe angazhimi i Arbër Morinës në bordin e këtij universiteti ishte i kritikuar.

Përkundër që mban pozitë të këshilltarit politik të  Ramë Bujës, ministrit të Arsimit ai u emërua edhe në bordin e univesitetit që llogaritet të jetë i pavarur në punën e tij.

Morina, i kontaktur më herët nga Gazeta Jeta në Kosovë lidhur me këtë angazhim të tij, kishte mohuar se kjo pozitë e tij paraqet konflikt interesi në raport me punën që bën në ministri. 

“Jam emëruar sikurse edhe këshilltarët e tjerë nëpër universitetet tjera”, tha ai. 

Kryetari i Komisionit- “Me pas dijtë… nuk kisha pranu me qenë në komision”

Visar Muçaj, kryetari i komisionit që e ka bërë përzgjedhjen, i ka thënë Gazetës  Jeta në Kosovë se sikur ta dinte që motra e Arbër Morinës ishte pjesë e konkursit, nuk do të pranonte që të bëhej pjesë e komisionit. 

“Me pas dijtë që motra e atij (Arbër Morinës) merr pjesë në konkurs kurrë nuk kisha pranu me qenë pjesë e komisionit”, ka thënë Muçaj. 

Ai thotë se Arbëresha Morina ka ofruar dëshmi që ka qenë e punësuar, por deklarohet se komisioni nuk e ka bërë verifikimin e punësimit të saj. 

Muçaj nuk ka treguar se ku ka punuar me herët  Morina.              

“Nuk më kujtohet se cilin vend e ka cekur në dëshmi”, thotë ai.

 “Të gjithë kandidatët që kanë qenë në listën e ngushtë kanë pasur përvojë pune duke përfshirë edhe Arbëresha Morinën”, ka thënë Muçaj.

Ai është sekretar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe është caktuar në pozitën e kryetarit të komisionit nga  Bajram Nuraj, ushtrues i detyrës së rektorit.

Gazeta ka kontaktuar edhe me anëtarë tjerë të komisionit. Të gjithë kanë sugjeruar që është përgjegjësi e  kryetarit për të folur lidhur me punësimin e Morinës.

Por përgjegjësinë për të votuar për përzgjedhjen e kanë edhe anëtarët tjerë të komisionit, jo vetëm kryetari.

Nurije Halili, e cila ka qenë anëtare në komisionin vlerësues dhe është asistente  e Bajram Nurajt,  rektorit të universitetit publikë të Gjakovës, thotë se tek pasi është zgjedhur Arbëresha Morina në pozitën e bibliotekares e ka kuptuar se ajo është motra e Arbër Morinës. 

Por ajo ka refuzuar të flas më shumë duke thënë se ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e zgjedhjes.

“Deri ne perfundimin e te gjitha procedurave te konkursit nuk kam çfarë të flas. Për momentin afati i ankesave është i hapur. Kështu që nëse dikush është i pa kënaqur nga rezultati ka të drejten e ankeses”, tha ajo.

Rina Rudi, një anëtare tjetër e komisionit, tha se nuk ka parë dokumente që dëshmojnë për përvojën  e punës së Morinës. 

Por tha se për të gjitha detajet duhet të kontaktohet Visar Muçaj, kryesues i komisionit. 

Blerim Naka, njëri nga ish-kandidatët që ka konkurruar për këtë pozitë, ankohet duke thënë se zgjedhja e Arbëresha Morinës paraqet konflikt interesi. 

Naka i cili ka marrë 10 pikë me pak se Morina, thotë se ajo e ka fituar konkursin vetëm se e ka vëllain në bordin drejtues të universitetit. 

“Ky është konflikt interesi. Si e kam parë se kush është zgjedhur e kam ditë se ka ndikuar vëllai saj që motra e tij të punësohet aty”, ka thënë Naka. 

Arbër Morina, këshilltari ministrit Buja, nuk ka dashur të komentoj punësimin e  motrës së tij në Universitetin e Gjakovës, aty ku ai është anëtar bordi. 

Ai i ka thënë gazetës se nuk është përgjegjës për punësimin e stafit në këtë universitete.

“Nuk jam zëdhënës i Universitetit të Gjakovës e as përgjegjës për punësimin e stafit në këtë institucion”, ka thënë Morina, duke shtuar se për këtë përgjegjës janë komisionet adekuate të institucionit. 

Lidhur me zgjedhjen në pozitën e bibliotekares nuk ka dhënë përgjigje as Arbëresha Morina ndonëse gazeta e ka kontaktuar disa herë. 

Tekstit i ka kontribuar edhe Armend Zenelaj.