Rasunda- Ana e Errët e Donacionit Milionësh

Trajneri i Kombëtares kosovare në futboll Albert Bunjaki po planifikon të shkruajë libër, e ndoshta të bëjë edhe një dokumentar sesi një stadium i tërë  nga Suedia në të cilin ka luajtur edhe legjenda e futbollit Pele është dhënë donacion në Kosovë. 

Bunjaki – nëpërmjet të cilit Federata e Futbollit në Suedi ka përcjellë donacionin për në Kosovë– thotë se libri do të jetë me 270 faqe dhe se në të do të përfshihen edhe fotografitë nga 500 të tilla sa i ka në koleksion. 

Thotë se ka edhe 3 orë filmime për këtë projekt. 

Por as libri e as dokumentari eventual nuk do të  rrëfejë për histori suksesi. 

Me një karrierë të nisur si trajner i Prishtinës gjatë viteve ’88-92’ Bunjaki është bërë i njohur në Suedi duke qenë trajner i ekipeve elitare të futbollit si “Skovde Aik”, “Orebro SK”, “Kalamar”. 

Nëpërmjet Bunjakit donacioni i Federatës së Futbollit të Suedisë ka ardhur në Kosovë. 

Kësisoj Federata e Futbollit të Kosovës do të bënte shpërndarjen e donacionit që përfshinte krejt elementet e stadiumit ku ka luajtur kombëtarja e Suedisë prej vitit 1937 deri më 2012. 

Donacioni  përfshinte 218 drita HD për ndriçim, 43 kuti elektrike, komplet sistemin e zërimit, 3 kuti për mbajtje të energjisë me kritere të FIFA-s, 10 mijë ulëse, kioskë për shitjen e biletave, mbulesë për fushë, një rimorkio dhe 7 tavolina pune për zyrë. 

“Vlera monetare e këtij stadiumi është e pamundur të thuhet saktësisht, ngase bëhet fjalë për disa milionë euro”, tha Bunjaki.

Të gjitha këto kanë qenë të planifikuara të dhuroheshin për stadiumet në Prishtinë dhe Mitrovicë.

Por gati dy vjet pas pranimit të donacionit, as Prishtina dhe as Mitrovica nuk ia kanë parë hairin kësaj dhurate. 

10 mijë karriget janë shpërndarë nëpër stadiume të qyteteve të ndryshme në Kosovë, por shumica e tyre ende nuk janë vendosur. Ndërsa zërimi dhe ndriçimi që janë dërguar në stadiumin mitrovicas “Adem Jashari” po qëndrojnë në një depo të cilën komuna e Mitrovicës e paguan 450 euro në muaj. Pronari i kësaj depoje është anëtar i PDK-së, parti  që ka qeverisur këtë qytet në kohën kur donacioni ka arritur në Mitrovicë. 

Askush nga përgjegjësit nuk mund të thotë me siguri të plotë se kur ky donacion do të implementohet përfundimisht. 


Zërimi – një nga pjesët e donacionit që rri në depo në Mitrovicë

Donacioni milionësh rri në depo të anëtarit të PDK-së

Elementet më të vlefshme të krejt këtij donacioni që sipas Bunjakit kapërcen shifrën prej disa milionë eurove, janë zërimi dhe ndriçimi të cilat i janë dorëzuar stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, aty ku një vit pas mbërritjes së mjeteve  do të luhej ndeshja e parë e Kosovës nën ombrellën e FIFA-s. 

Madje stadiumi ishte rinovuar përpara ndeshjes së 5 marsit 2014 dhe kishte kushtuar afro 800 mijë euro investim nga Ministria e Kulturës. 

Por ndeshja e parë miqësore e Kosovës përballë Haitit që përfundoi pa gola nuk mundi të luhej natën, e as të kishte një zërim nëpërmjet të cilit do të lajmërohej hyrja e lojtarëve në fushë, apo  lajmërimi i dhënies së ndonjë goli.

Mjetet për ta bërë këtë ka 20 muaj qysh prej muajit shkurt 2013 që ende qëndrojnë në depon e kompanisë “Scampia” pronar i së cilës është Nehat Begu,  atëbotë anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Kosovës në nivel republikan.

Tash ai është pjesë e strukturave të PDK-së në nivel dege në Mitrovicë.   

Komuna e Mitrovicës, që në atë kohë drejtohej nga Avni Kastrati i PDK-së, kishte vendosur që për këtë shërbim të paguajë 450 euro në muaj kompaninë e Begut.

Kontrata mbi qiranë është nënshkruar më 1 mars të vitit 2013 dhe komuna vendosi të aplikojë procedurë të negociuar e jo tenderë të hapur kur angazhoi kompaninë e Begut.

Derisa autoritetet komunale paguajnë për këtë shërbim, është kryesia e klubit të qytetit që pret të shfrytëzojë donacionin.

 “Ne jemi në pritje të rregullimit të kësaj çështjeje që gati dy vjet, por komuna është duke e bërë një projekt për vendosjen e tyre”, tha Nexhmedin Haxhiu, kryetar i Klubit “Trepça” që luan në stadiumin “Adem Jashari”.  

Haxhiu, tha se nuk ka informacione zyrtare për ndonjë datë se kur donacioni për Mitrovicë do ta shohë dritën.  

Sipas Haxhiut vendosja e ndriçimit dhe zërimit kushton përafërsisht 50 mijë euro, ndërsa sipas Kujtim Isës, drejtorit të Departamentit për Sport në Mitrovicë, projekti për vendosjen e tyre është gati në përfundim, por nuk dha ndonjë datë se kur kjo pjesë e donacionit do të instalohet përfundimisht. 

Kur Isa u pyet se mbi bazën e cilave arsye është vendosur që të dërgohet donacioni në depon e kompanisë së Begut që tash është anëtar i strukturave të larta të PDK-së në Mitrovicë, ai nuk pat përgjigje. 

Përgjigje për këtë nuk ka pasur as ish-kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati, i cili ka nënshkruar vendimin. Tha se nuk e ka ditur që Begu është anëtar i PDK-së kur është vendosur për t’i dërguar në atë depo, ndriçimin dhe zërimin. 

 “Nuk e di këtë detaj se ai ka qenë në PDK, por nuk çuditem, sepse në Mitrovicë mbi 50 për qind e banorëve janë me PDK-në”, tha ish-kryetari Kastrati. 

E vetë Begu tha se për faktin që është anëtar i PDK-së do të kishte mundur të përfitonte në të tjera projekte, pasi sipas tij 450 euro në muaj nuk janë asgjë. 

“Madje për mua është barrë kjo që po bëj sepse veç sigurimi fizik më kushton aq, plus që donacioni duhet të ruhet mirë se ka vlerë miliona euro dhe është i ndjeshëm”, tha Begu. Sipas tij, depoja e kompanisë së tij ka plotësuar të gjitha kushtet duke përfshirë mungesën  e lagështisë dhe sigurinë e tyre. 

“Bile u kam thënë atyre në Komunë që t’i vendosin në stadium ato mjete ma shpejt, por tash më kanë thënë se do të bëhet muajve në vazhdim, por nuk e di kur”, tha Begu.

Pse ky donacion rri ende në depo nuk kanë informacione as Federata e Futbollit të Kosovës, as Ministria e Kulturës e as vetë Albert Bunjaki, i cili ka folur në emër të Federatës së Futbollit të Suedisë, pasi gazeta i ka drejtuar këtij institucioni pyetjet për këtë donacion. 

Komuna e Mitrovicës thotë se po pret përfundimin e një projekti për vendosjen e ndriçimit dhe zërimit. 

“Ka qenë i nevojshëm ai projekt sepse teknologjia ka qenë e ndjeshme dhe duhet të vendosej në mënyrë profesionale”, ka thënë ish-kryetari Kastrati. 

E hartimi i këtij projekti sipas zyrtarit të Departamentit të Sportit në Komunë është në përfundim e sipër.

Por depoja në Mitrovicë nuk është e vetmja depo në Kosovë që mban pjesë të donacionit nga stadiumi “Rasunda” në Mitrovicë. Edhe plot depo të tjera nëpër Kosovë janë bërë vend për vendosjen e këtij donacioni. 


Ulëset e stadiumi Rasunda, që janë shpërndarë në 5 stadiume nëpër Kosovë.

Vetëm 2 mijë prej 10 mijë karrigeve shfrytëzohen

Në Federatën e Futbollit të Kosovës çështja e implementimit të donacionit nga Suedia ka dy vjet që është ende e pambyllur, por nuk japin shumë detaje për shpërndarjen e donacionit. 

Madje Federata nuk tregon as ku janë dorëzuar për shembull, karriget e konferencave, tavolinat e punës, e as shportat për topa. 

“Janë shpërndarë nëpër Federatë apo institucione të tjera sportive”, tha Eroll Salihu, sekretar gjeneral i Federatës.

Probleme kishte pasur edhe me shpërndarjen e 10 mijë karrigeve të cilat ishin planifikuar të vendoseshin në stadiumin e Prishtinës. 

Një vit pasi që karriget kishin qëndruar në një depo në kryeqytet, klubi “Prishtina” dhe Komuna e Prishtinës që këtë vit ka investuar mbi 30 mijë euro në stadiumin në kryeqytet, kishin  konstatuar se shkallët apo baza e stadiumit të Prishtinës nuk u përshtaten karrigeve. 

Bunjaki edhe atëherë, por edhe tash, mendon ndryshe. 

“Është fakt se stadiumi në Prishtinë ka një bazë të dobët dhe që së pari duhet të rregullohet ajo bazë, por që nuk ka qenë e pamundur të vendosen aty, nuk është e vërtetë”, tha Bunjaki, i cili është ngarkuar si përgjegjës për shpërndarjen e këtij donacioni nga Federata e Futbollit të Suedisë. 

“Obligimi im moral përfundon me nisjen e anijeve nga Stockholm-i dhe nga ai moment FFK-ja është ajo që ka vendosur ku dhe si të ndahet ky donacion”, tha Bunjaki. 

Në procesin e bartjes së këtij donacioni nga Suedia në Kosovë kishte qenë e përfshirë edhe Ministria e Kulturës, e cila ka shpenzuar 200 mijë euro për transportin e tyre. 

Sipas Shkëlzen Dragajt, shef i Kabinetit të Ministrit të Kulturës Memli Krasniqi, përgjegjësia e MKRS-së ka qenë në këtë rast vetëm mbështetja financiare, për të sjellë ato pajisje në Kosovë.

“Procesi tjetër, shpërndarja dhe vendosja e tyre ka qenë përgjegjësi e federatës, si një institucion i pavarur”, tha Dragaj. 

E pasi stadiumi i Prishtinës përfundimisht nuk i kishte pranuar këto karrige, Federata do të vendoste që 10 mijë karriget t’i dërgojë donacion në stadiume të tjera në Kosovë. 

“Pasi Prishtina nuk ka mundur t’i instalojë karriget për shkak të bazës së dobët në tribuna, FFK-ja ua ka shpërndarë këto ulëse klubeve të tjera si ‘Besa’, ‘Ferizaj’, ‘Drenica’, ‘Vëllaznimi’ e ‘Gjilani’”, tha Eroll Sadiku. 

Por sekretari gjeneral i Federatës tha të mos ketë informacione të sakta nëse ato ulëse janë vendosur në ato stadiume, por Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se vetëm afër 2 mijë prej 10 mijë karrigeve janë vendosur nëpër këto stadiume. 

I vetmi stadium që ka vendosur karriget është ai i klubit “Besa” në Pejë. 

“Diku 1800 ulëse janë vendosur nga gjithsej 2 mijë e ca që i kemi marrë donacion. Të tjerat kanë qenë të dëmtuara”, tha Shemsedin Muhaxhiri, kryetar i klubit pejan. 

Dy vjet më parë mediet lokale në Kosovë kishin raportuar sesi në ndeshjen e fundit në stadiumin “Rasunda”, përpara se ai të çmontohej e të dërgohej në Kosovë, ulëset janë demoluar nga një grup huliganësh. 

Megjithatë, në katër stadiumet e tjera që janë dërguar karriget, ende nuk është bërë vendosja e tyre. 

Në stadiumin e Ferizajt, sipas Naim Sojevës, trajner i klubit nga ky qytet, vendosja e karrigeve nuk është bërë për shkak se ato nuk po i përshtaten bazës së stadiumit. 

“Ato  karrige janë të vjetra gati gjysmë dekade dhe nuk po bëjnë për stadiumin tonë. Veç po na zënë rrugë”, tha Sojeva.

Karriget ishin përdorur qysh nga viti 1937 ku kanë luajtur ekipi nga Stockholm “AIK” dhe Kombëtarja suedeze deri në vitin 2012. 

Kolegu i tij nga Skenderaj, Tahir Lushtaku që drejton klubin e “Drenicës” tha se karriget po qëndrojnë në depo, pasi nuk ka mjete për t’i vendosur ato. Të njëjtën arsye e përmend edhe Genc Hoxha, trajner i klubit “Vëllaznimi” nga Gjakova edhe klubi nga Gjilani. 

Në Federatën e Futbollit të Kosovës thonë se do të rishikojnë implementimin e këtij donacioni dhe do të kërkojnë llogari nga pranuesit e donacionit për mosvendosjen e tyre. 

“Ekziston mundësia që edhe në Mitrovicë, por edhe në qytete të tjera, ky donacion të tërhiqet dhe t’i dërgohet ndonjë stadiumi a qyteti që është i gatshëm të bëjë vendosjen e karrigeve apo ndriçimit e zërimit, nëse përfundimisht këto stadiume që i kanë tash nuk i vendosin vetë”, tha Eroll Salihu nga FFK-ja. 

E në ndërkohë, Albert Bunjaki duhet të presë përfundimin e kësaj historie që libri apo dokumentari i tij të kompletohet.