Naser Kelmendi

Drogë, para, vrasje dhe miq me ndikim

Bazuar në aktakuzën 49-faqëshe të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ai është udhëheqës i trafikimit të drogës që mes viteve 2000 dhe 2012 ka fituar miliona duke kontrabanduar heroinë, ecstasy, speed dhe droga tjera përmes një rrjeti që lidhte Afganistanin dhe Turqinë me Bashkimin Evropian.

Shtatë nga nëntë pikat e aktakuzës kanë të bëjnë me operacionin e drogës që udhëhiqte Kelmendi. Prokurorët thanë se ai operacion ishte efektiv dhe se hetimet e tyre “kanë zbuluar se ai dhe djemtë e tij kanë prona me vlerë prej miliona eurosh në Bosnjë, Mal të Zi, Kosovë dhe gjetiu.” 

Dy pikat tjera të aktakuzës e ngarkojnë Kelmendin se kanë përgatitur komplotin, së bashku me anëtarë tjerë të grupit të krimit të organizuar, përfshirë ish-Ministrin e Mbrojtjes të BeH dhe kandidatin aktual për kryetar të vendit Fahrudin Radonqiq, për ta vrarë mafiozin rival – Ramiz ‘Celo’ Delaliqin në vitin 2007. 

Kelmendi po mbahet i burgosur në Kosovë qe më shumë se një vit, në pritje të gjykimit i cili pritet të fillojë në tetor, në po të njëjtin muaj kur Radonqiqi shpreson të zgjedhet Kryetar i BeH. 

Prokurorët kanë kërkuar që Kelmendi të mbahet në paraburgim për t’ia parandaluar largimin, ndikimin tek dëshmitarët apo shkatërrimin e dëshmive. 

Aktakuza vë në pah një sërë ngjarjesh në të cilat përfshihen disa dhjetëra persona nga disa kontinente e të cilat shtrihen në hapësirë kohore prej më shumë se një dekade. 

Pjesëmarrësit e këtyre ngjarjeve tregojnë inovacion dhe kreativitet në zgjidhjen e problemeve të shumta që u janë shfaqur gjatë bartjes së sasive të mëdha të mallrave të kontrabanduara mes vendeve të ndryshme. 

Për shembull, në pikën 3 përmenden ngjarje nga viti 2000, kur dëshmitarët thonë se e kanë ditur se Kelmendi “është person me shuma enorme parash” i cili mund t’u sigurojë atyre heroinë të pastër. Prokurorët e përshkruajnë Kelmendin në këtë pikë të aktakuzës si “një person tejet të kujdesshëm… në majë të piramidës së kontrabandimit të drogës dhe aktiviteteve tjera kriminale në regjionin e Ballkanit e edhe më gjerë.”

I biri i Kelmendit, Besniku 31-vjeçar, mohon këto pretendime duke thënë për PRKOK/CIN se babai i tij nuk ka kurrfarë lidhje me tregtinë e drogës dhe se po përndiqet për arsye politike nga Kryetari i BeH Bakir Izetbegoviq, rival i mikut të Kelmendit. 

Kësisoj edhe është vendosur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara si trafikant i drogës, thotë i biri i tij. “Më besoni, e tërë kjo është lojë politike. E çka ka lidhje Naseri me politikën?” 

Rrëfimi i dëshmitarëve për ngritjen e Kelmendit 

Megjithatë, aktakuza thirret në dëshmi të detajuara të një sërë dëshmitarësh – disa me emër e disa të identifikuar me shifra nga K1 deri K5, të cilët thonë se kanë punuar drejtpërsëdrejti me Kelmendin në disa tregtime të mëdha të drogës gjatë viteve të fundit. 

Dëshmitari i identifikuar si K3, “një diler i drogës nga Beogradi”, thotë se ngritja e Kelmendit fillon “pas shpartallimit të sindikatës kriminale të Beogradit të njohur si Klani i Zemunit, që ndodhi pas vrasjes së Kryeministrit Gjingjiq në vitin 2003.” K3 tha se karriera e Kelmendit mori hov edhe pas shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia në vitin 2006, “gjë që i dha Kelmendit monopol mbi tregun e drogës dhe kontrabandimit të cigareve.” 

Në vitin 2009, K3 tha se blinte mes 1-4 kilogramë heroinë dhe ecstasy në muaj, si dhe sasi të papërcaktuara të kokainës, speed-it dhe marihuanës, dhe se kishte marrëdhënie afariste me organizatën e Kelmendit deri në tetor të vitit 2012.

Një tjetër dëshmitar, i identifikuar si “K1” tha se ai kishte filluar të shiste drogë për Kelmendin në vitin 1996 kur Kelmendi veç po importonte heroinën afgane përmes Turqisë në Kosovë, BeH, Mal të Zi, Austri, Zvicër ‘dhe vende tjera evropiane’. K1 kishte deklaruar se “sasi enorme” të drogës, kryesisht të heroinës së bardhë dhe ecstasy po barteshin nga Turqia drejt Evropës perëndimore. 

Sipas aktakuzës Grupi i Kelmendit ishte mjaft inovativ gjatë kontrabandimit. Ata vendosnin drogën në tavolina dhe dyer boshe të kompensatës, e fshihnin atë në kamionë të ngarkuar me limonë e tekstil. Dërgesat ndodhte të fshiheshin edhe deri në 10 kamionë njëkohësisht. 

Dhe kishim të bënim me cilësi të mirë, me heroinë të klasit të parë i cili ishte “shumë i fortë se i rëndomti”. “Përdoruesit e drogave i thoshin K3 se heroina e rregullt ua jepte një shtytje, ndërsa heroina e bardhë i rrëzonte fare,” thuhet në aktakuzë. 

Kontrabanduesit sillnin deri në 100 kilogramë drogë përmes zonave malore kufitare. 

Ecstasy, në formë pilule, trajtohej ndryshe. Në aktakuzë thuhet se grupi pranonte dërgesa deri në 200,000 tableta nga Holanda, në shishe të plastikës që mbanin deri në 4,000 tableta për copë. Shishet më pas mbuloheshin me shirit të teflonit të bardhë para se të paketoheshin në rezervuarë të modifikuar të naftës; deri në pesë vozitës në ditë niseshin nga Holanda drejt destinacioneve të ndryshme anembanë Evropës. 

Dërgesat më të vogla transportoheshin me vetura, në rezervuarë të naftës, brenda kulmit apo në pjesë të ndërtuara enkas për këtë qëllim, ndërsa dërgesat më të mëdha vendoseshin nëpër rezervuarë të kamionëve të mëdhenj apo në xhepa të posaçëm të ndërtuar në katramatë të kamionëve. Në aktakuzë gjithashtu thuhet se grupi ka shfrytëzuar transfere të imta parash nga Kosova drejt Turqisë, për të sinjalizuar pranimin e suksesshëm të dërgesës së drogës. 

Aktakuza flet për gjithashtu për këmbim të SMS-ve të shifruara mes anëtarëve të grupit, të cilët sinjalizonin se një dërgesë e caktuar e ka kaluar kufirin. 

Transaksionet

Ajo më tej trajton dosjet financiare të familjes Kelmendi, përfshirë dokumentacionin e konfiskuar nga shtëpia familjare e tij në Pejë, Kosovë, më 13 dhjetor 2013, i cili dëshmon mbi “transaksione me vlerë prej qindra mijëra USD e EURO.”

Dëshmitarët u thanë hetuesve se Kelmendi “fitonte miliarda e miliona nga organizimi i trafikimit të drogës; një tha se Kelmendi ka mundur t’ia japë djalit të tij Elvisit 5 milionë euro (6.6 milionë USD) për të filluar një biznes të ri, si dhe disa apartamente në Sarajevë.

Por, nuk është e qartë se ku kanë shkuar paratë. Pas shqyrtimit të regjistrave bankarë, transaksioneve dhe të dhënave të tatimit në pronë, aktakuza arrin të zbulojë mes viteve 2011 dhe 2013 gjithsej transaksione në vlerë prej 4,412,406 euro (5.8 milionë dollarë). 

Më tej, aktakuza shtjellon punët individuale, disa prej të cilave në ditët e hershme të Kelmendit në BeH. 

Besnik Kelmendi thotë se babai i tij ka ardhur në BeH n vitin 1988 për të hapur një shitore të lëkurës në Skenderija, që atëbotë ishte qendra kryesore kulturore dhe sportive në Sarajevë. Gjatë luftës ai u kthye në Kosovë dhe pas përfundimit të luftës ai “punoi këtu si tregtar me lëkura, rroba e të ngjashme,” thotë ai.

Aktakuza përshkruan një rrjedhë tjetër të ngjarjeve. 

Dëshmitari i identifikuar si K2 pretendon se Kelmendi së pari iu drejtua atij në Mal të Zi, kur K2 trafikonte armë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe i ofroi atij një vend pune – vozitës i heroinës për në Angli. K2 refuzoi ofertën, por Kelmendi nguli këmbë me ofertën e vet të punësimit.

Në vitin 2000 në Kosovë dhe më pas në Turqi, Kelmendi kishte kërkuar nga K2 të organizojë vrasjen e një njeriu që kishte tradhtuar Kelmendin duke mos ia paguar 100 kilogramë heroinë. K2 refuzoi, por më vonë dëgjoi se Muzafer Kaliq u vra në Bosnjë, dhe se ky ishte njeriu që nuk ia kishte paguar heroinën Kelmendit.