Nuk Mbikëqyren OJQ-të Që Përfitojnë nga Kryeministria

Klubi “Pasjane 011” nga Komuna e Parteshit pranë Gjilanit, pjesëmarrës i vitit të kaluar në turneun më të madh të futbollit për të rinjtë-“Kupën e Norvegjisë” (NC), qëndroi në vendin skandinav nga 23 korriku deri më 5 gusht 2013 me paratë e dhëna nga Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë kryeministrit. 

Miodrag Guzhviq, anëtar i këtij ekipi futbollistik i tha Gazetës “Jeta në Kosovë” se nga Norvegjia klubi solli medalje. 

Por Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, një institucion që kontrollon shpenzimin e parave publike, duke marrë për mostër projektet e tetë organizatave joqeveritare të ndihmuara nga Zyra e Komuniteteve, nuk ka gjetur te to raporte të shpenzimeve, ndërsa në katër prej tyre mungonte argumentimi i harxhimeve. 

Auditori ka publikuar gjetjet në raportin për Zyrën e Kryeministrit të publikuar në korrik të këtij viti. 

Organizatat që përfitojnë ndihma duhet të ofrojnë raporte të detajuara për shpenzimet dhe fatura me të cilat i argumentojnë paratë e harxhuara për realizimin e projekteve. 

Sipas auditorit, njëri nga subjektet që nuk ka respektuar marrëveshjen me Zyrën e Komuniteteve është edhe Klubi “Pasjane 011”. 

Këtë e mohon Miodrag Guzhviq nga ekipi futbollistik i komunës me shumicë serbe të themeluar në gushtin e vitit 2010. 

“Me sa jam në dijeni, ne kemi dërguar raportet e shpenzimeve në Zyrën e Komuniteteve”, thotë Guzhviq. 

Srgjan Popoviq, kryesues i Zyrës së Komuniteteve arsyeton për moskompletim të dokumentacionit organizatat e ndihmuara nga institucioni që drejton me fjalët se disa projekte janë në vazhdim, ndërsa disa OJQ kanë dorëzuar raportet pas auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. 

Popoviq përmend një ngjarje tjetër- seminarin për futbollin të mbajtur në Maqedoni, për pjesëmarrje në të cilin me mbështetje nga Zyra e Komuniteteve, Klubi “Pasjane 011” sipas tij ka sjellë dëshmi. 

“Klubi ka sjellë raport dhe fatura. Zyrës më pas do t’i dërgohen dëshmitë për shpenzimet e rrugës”, shpjegon Popoviq. 

Zyra e Kryeministrit pa strategji për OJQ-të 

Zyra e Kryeministrit, së cilës i jep llogari ajo e komuniteteve, vitin e kaluar për subvencione dhe transfere ka pasur një buxhet prej 1 milion e 300 mijë eurosh. 

Ajo dështoi t’ia ofrojë Gazetës “Jeta në Kosovë” listën e plotë të OJQ-ve që ka ndihmuar, edhe pse gazeta më 29 korrik bëri kërkesë për qasje në dokumente publike.  

Zyra e kryeministrit ofroi listën vetëm me OJQ-të minoritare.  

Auditori i Përgjithshëm kritikoi Zyrën e Kryeministrit se nuk po merr masa që të kontrollojë marrëveshjet që i bën me OJQ-të, projektet e të cilave i ndihmon me mjete materiale. Një kritikë të tillë nga auditori ZKM-ja kishte marrë edhe në raportin për vitin 2012. 

“ZKM-së i mungon strategjia e shkruar që do të maste arritjet e organizatave joqeveritare në punën e tyre. Nuk kishte kritere të qarta përmes të cilave do të përzgjidhej përfituesi i subvencioneve”, thuhet në raportin për Zyrën e Kryeministrit. 

Auditori rekomandon që subvencionet duhen të ndahen në këste dhe paratë të alokohen në xhirollogaritë e OJQ-ve vetëm pasi që të kushtëzohen pas çdo kësti me raportim. 

ZKM-ja subvencionet për OJQ-të i jep me vendime të kryeministrit, ose nëpërmjet marrëveshjeve të zyrës me subjektet që kërkojnë para për projektet e tyre. 

Auditori ka vërejtje edhe për paratë që vetë kryeministri ua ndau organizatave. I pari i ekzekutivit sipas auditorit me vendime të tij dha për OJQ-të 140 mijë e 620 euro, ose 11 përqindëshin e shumës së përgjithshme për subvencione dhe transfere. 

“Në subvencionet e dhëna me anë të vendimeve të Kryeministrit në vlerë prej 140,620 eurosh mungon argumentimi i shpenzimeve dhe raporteve, të cilat do të mbështetnin vlefshmërinë e shpenzimit për subvencionet e dhëna”, thuhet në raport.

Kontrolluesit e mënyrës së shpenzimeve të parave publike nëpër institucione, i rekomandojnë sekretarit të përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit që të sigurojë hartimin e një politike e cila  në fund të vitit do të tregonte se çfarë ndryshimesh kanë sjellë OJQ-të e subvencionuara për projektet e tyre.

Sekretari Fitim Krasniqi pranon gjetjet e auditorit, ndërsa premton forcim të kontrollit për organizatat e ndihmuara. 

“Nuk është zbatuar rregullorja e brendshme. Do të forcojmë kontrollin drejt kësaj për të parë se a po arrihen qëllimet e projekteve”, thotë Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Blejnë në vendet amë materialet e projekteve

Vitin e kaluar shumica e parave të destinuara për subvencione dhe transfere rodhën te OJQ-të nëpërmjet Zyrës për Çështje të Komuniteteve. 

Kjo zyrë në kuadër të Kryeministrisë, shpenzoi 981 mijë e 610 euro, ose 75 për qind të buxhetit për donacione. 

Nga ajo nuk u përkrah vetëm Klubi Futbollistik “Pasjane 011”, por edhe organizata dhe grupe tjera të popullsive joshumicë të Kosovës. 

Raporti i Zyrës së Auditorit për 2013-ën zbuloi se edhe organizata tjera joqeveritare të ndihmuara nga Zyra e Komuniteteve nuk dhanë raporte të plota, e as argumentim shpenzimesh të detajuara për projektet. 

OJQ-ja “Future Ëithout Fear” (E ardhmja pa frikë) nga Shtërpca për projektin  “Ngritja e kapaciteteve të të rinjve të komuniteteve joshumicë” mori 7 mijë e 880 euro nga Zyra për Çështje të Komuniteteve.

Udhëheqësi i saj Igor Saviq tha se OJQ-ja e tij ka dërguar raportin te dhuruesi i mjeteve. “Unë mendoj se kemi dërguar diçka”, tha ai, duke refuzuar të japë detaje më shumë, pasi nuk ndodhej në zyrë. 

“Tani jam në pushime”, shtoi Saviq. 

Por dërgimin e raportit nga kjo OJQ, e demantoi drejtuesi i Zyrës për Komunitete Srgjan Popoviq. 

“Projekti është në vazhdim e sipër prej se është nënshkruar në mesin e dhjetorit 2013. Pas përfundimit do të sillen të dy raportet”, tha Popoviq. 

Edhe OJQ-ja “Kolo” (Vallja) që promovon kulturën malazeze, nuk ka kryer ende obligimet ndaj Zyrës për Komunitete, edhe pse është ndihmuar nga ajo me 4 mijë e 800 euro për blerje të veshjeve kombëtare. 

Srgjan Popoviq thotë se “Kolo” ka raport financiar, ndërsa ende nuk e ka dërguar në zyrë faturën e shpenzimeve për materialet e përshkruara në projekt. 

“Sa i përket faturës, zyra pret që ta pranojë, sepse malli për nevojat e projektit (veshje kombëtare) është blerë në Mal të Zi”, shpjegon Popoviq. 

Edhe një OJQ tjetër e subvencionuar nga Zyra e Komuniteteve edhe pse ka dorëzuar faturat e shpenzimeve te donatori, figuron në listën e organizatave të monitoruara nga auditori i përgjithshëm që nuk kanë respektuar marrëveshjen me Zyrën për Komunitete. 

Shoqata e Grave Afariste “Avenia” nga Llapnasella, e udhëhequr nga Gordana Doriq është ndihmuar me 4 mijë e 500 euro për projektin “Aftësimi i grave të komunitetit pakicë për punë dore”. 

Doriq tregon se në këtë projekt kanë marrë pjesë 32 gra të ndara në katër grupe për të mësuar se si qëndiset dhe qepet.

“Në Beograd kemi blerë materialin për të cilin kemi pasur nevojë për trajnim dhe për bërjen e gjërave të caktuara”, thotë udhëheqësja e shoqatës. 

Zyra e Komuniteteve e ka dokumentin që e dëshmon një blerje të tillë. 

“Komisioni në terren ka vërtetuar se organizata posedon faturën me numër 0120/136a të datës 13 dhjetor 2013 dhe të paguar në dinarë nga Dyqani i Pavarur për Hoteleri ‘Beli Narcis’, me adresë Bulevardi “Kralj Aleksandar”, 352 në Beograd. Fatura është dorëzuar në zyrë”, thotë Popoviq.

Shkelje të kontratave për subvencione edhe në dy ministri 

Zyra e Auditorit ka gjetur shkelje në lidhje me subvencionet edhe të Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve. 

Në këtë ministri, katër OJQ qenë subvencionuar me 39 mijë e 686 euro, duke mos përgatitur raporte të rregullta financiare në baza mujore. 

“MKK-ja edhe përkundër përpjekjeve të bëra nuk ka arritur të ndikojë që përfituesit t’u përmbahen kushteve të kontratës”, thotë auditori i përgjithshëm. 

MKK-ja thotë se disa OJQ nuk kanë përgatitur raportin final narrativ dhe financiar dhe u ka shqiptuar vërejtjen e fundit për mosdorëzim të raporteve finale.

“Në bazë të kësaj OJQ-të të cilat nuk e respektojnë këtë vërejtje, MKK do të inicioj procedurat për masat juridike për ato OJQ”, thotë zyra për informim e MKK-së. 

Kjo ministri shtoi se OJQ-të të cilat nuk iu kanë përmbajtur plotësisht kushteve të kontratës për çështjet e raportimit janë nga regjioni i Prishtinës dhe Gjilanit në lidhje me projektet për kulturë dhe dialog ndëretnik. 

Por ministria nuk përmend emrat e OJQ-ve që nuk iu përmbajtën plotësisht kushteve.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës ka gjetur shkelje tjera sa u përket projekteve të përkrahura të OJQ-ve edhe në Ministrinë e Administrimit Publik (MAP).

“MAP-i ka shkelur rregullat e veta në ndarjen e subvencioneve. Ajo nuk ka bërë thirrje publike për dy projekte në vlerë prej 7 mijë e 500 eurosh. Përveç vendimit për dhënien e subvencionit, mungonin memorandumet e mirëkuptimit në mes ministrisë dhe përfituesit”, shkruan raporti. 

MAP-i ka dhënë 29 mijë e 500 euro donacione nga shuma prej 50 mijë eurove e destinuar për këtë qëllim gjatë 2013-ës. 

“Dosjet e këtyre lëndëve nuk janë në Departamentin për OJQ-të dhe kur ka qenë auditori i jashtëm ato nuk i ka marrë nga Departamenti për OJQ, e as që kam qenë në dijeni cilat lëndë i ka audituar”, thotë Bajram Kosumi, drejtor i Departamentit për OJQ-të në MAP.

Kosumi shton se Divizioni për Raportim dhe Analiza Financiare në MAP prej të gjitha departamenteve ka kërkuar raporte mbi mënyrën e shpenzimeve të mjeteve që janë subvencionuar dhe nuk ka informacione që në raportet e tyre ka vërejtur diç që nuk është përputhje me ligjin.

Ai shtoi se buxheti i ndarë për subvencionimin e OJQ-ve nuk është shpenzuar i tëri për shkak se nuk ka pasur aplikime që kanë plotësuar kushtet.

Deri më sot Departamenti për OJQ-të në MAP ka të regjistruara 7 mijë e 802 OJQ, prej të cilave 7 mijë e 294 janë vendore dhe 508 ndërkombëtare.