Tyrbeja që e Mban Fshatin të Gjallë

Rruga e vetme që të shpie në fshatin Lez e që përshkuhet e tëra nga malet e thepisura, rreth 13 kilometra larg Prizrenit, të qon drejt e në tyrben e fshatit, apo siç njihet gjerësisht si Tyrbeja e Lezit. 

Në afërsi vërehen tri vetura të parkuara të cilat duhen të kalojnë nëpër një pjesë të rrugës së pashtruar ku gurët kanë dalur në sipërfaqe. Rruga e sapo asfaltuar që të qon deri në fshatin Pouskë, ndërpritet në një pjesë kur merr kthesë për Lez dhe është e shtruar në zhavorr.

Fëmijët dëgjohen duke lozur por disa prej tyre shikojnë në brendësi të tyrbes ku një zonjë pret vizitorët dhe iu ndihmon për qëllimet e tyre.

Përreth tyrbes nuk mund të verëhet pjesa tjetër e fshatit pasi që është e rrethuar me lisa të gjatë e të gjërë.

Hanëmshah Berisha, 76 vjeçe, me trup të vogël, del para derës së tyrbes me një buzëqeshje të lehtë dhe kërkon të dijë nëse qëllimi i vizitës është për tu falur apo thjeshtë për ta vizituar.

Ajo shpjegon se janë tre vëllezër në këtë fshat përkujdesen për këtë tyrbe.

Vëllezërit Berisha kanë nga një javë secili që duhen të vijnë në fshat për tu përkujdesur dhe mirëpritur mysafirët. 

“Ne do të qëndrojmë këtu deri të mërkurën e ardhshme. Pas nesh, vjen tjetri vëlla dhe kështu me radhë. Ka vizitorë që vinë për çdo ditë”, thotë Hanëmshahi. 

Derisa Hanëmshahi shpjegon punën e saj që e bënë me dekada në tyrben e fshatit, e emëruar si tyrbja e Baba Ymerit, djemtë e saj therrin deshët e delet që sjellin vizitorët për kurban. 

Atë ditë, Burimi, me profesion mësimdhënës, djali më i vogël i saj ka therrur tri dele. Ai së bashku me dy vëllezërit e tjerë qëndrojnë për një javë së bashku me prindërit për ti shërbyer tyrbes. Tyrbet i përkasin tarikatit Halveti të besimit Islam.

Hanëmshahi shpjegon se ajo së bashku me bashkëshortin dhe tre djemtë e saj rrinë në shtëpinë e tyre, afër tyrbes, e cila është djegur gjatë luftës në Kosovë.

Shtëpia e tyre ka kulmin e ri dhe ata kanë rregulluar një dhomë vetëm për këtë qëllim, ardhjen nga Prizreni në fshat për të mirëpritur mysafirët.

Por, gërmadhat e 33 shtëpive tjera të fshatit kanë mbetur të paprekura që nga djegia e tyre në shtator të vitit 1998 nga ofensiva e madhe e forcave ushtarake serbe.

Shenja të Luftës ende Prezente

Në hyrje të fshatit Lez gjendet memoriali në përkujtim të dëshmorëve të fshatit të cilët u vranë më 1 shtator 1998 kur u rrethua nga forca të shumta të ushtrisë serbe.

Aty rrjedh uji i ftohtë që vjen nga bjeshkët gjersa në një pllakë të madhe janë të skalitura emrat e 12 dëshmorëve, ushtarëve të UÇK-së. 

Në këtë shtator, bëhen 16 vite që kur shtëpitë në këtë fshat të Malësisë së Vërrinit u shkatërruan dhe që nga atëherë nuk ka ndryshuar thuajase asgjë. Shumë shtëpi ende janë të shkatërruara dhe të djegura nga forcat e ushtrisë serbe.

Pas përfundimit të luftës, komuna e Prizrenit pati vendosur që të rindërtoj këtë fshat por së pari fshati duhej të zhvendosej për shkak të rrëshqitjes së dheut, ku edhe sot vërehen mure të krisura dhe gërmadha të shtrembëruara si pasojë e rrëshqitjes.

Komuna e Prizrenit filloi një plan për të zhvendosur fshatin në një vend tjetër, jo shumë larg fshatit, duke sjellur ujin deri në afërsi të lokacionit të ri.

Mirëpo, fshatarët kishin kundërshtuar lokacionin e ri të propozuar nga komuna duke kërkuar që shtëpitë të ndërtoheshin në anën e kundërt ku kishte propozuar komuna.

“Ne donim që shtëpitë tona të ndërtoheshin në këtë kodër ku i bie dielli dhe aty afër janë edhe varrezat e fshatit. Kanë hargjuar disa mijëra marka dhe në fund asgjë”, thotë Muhamet Berisha, babai i dëshmorit Alejdin Berisha.

Muhameti është njëri nga vëllezerit Berisha që kishte radhën për tu kujdesur për tyrben e fshatit.

Muhameti shpjegon se një nga arsyet që banorët janë larguar nga fshati është për shkak të vështirësisë që jetohet aty.

Ai thotë se mungesa e rrugës me asfalt është njëri nga shkaktarët për largim dhe që të gjithë kanë gjetur vend në qytet.

“Në fshat është një çift i vjetër. Kanë dele, një kali dhe disa qenë. Ata jetojnë këtu verë e dimrit”, tha Muhameti.

Tyrbeja e Kujtimit dhe së Ardhmes

Vizitat nëpër tyrbe bëhen me rastin e festës së Shëngjergjit që fillon me 6 maj, festë me karakter pagan.

Para lufte, njerëzit i ngjiteshin bjeshkës në këmbë për të arritur pas disa orëve në Lez, ku edhe bëhej një festë e madhe. 

Afrim Shala nga fshati Rogovë së bashku me familjen e tij e kishin sjellur një dash me vete ne fshatin Lez. Ata janë për herë të parë në këtë fshat.

Familja Shala dëgjonin me kujdes këshillat e kujdestarëve të tyrbes se si duheshin të vepronin me dashin i cili kishte ardhur për tu sakrifikuar atë ditë.

Brenda tyrbes së Lezit, Afrimi së bashku me disa anëtarë të tjerë të familjes, me dashin së bashku, u sillën tri herë rreth varrit të Baba Ymerit, në emër të cilit është ngritur edhe Tyrbeja dhe luteshin.

Afrimi tha se kanë bërë ‘në jetë’ që të sakrifikojnë një dash në emër të shëndetit të familjes.

“Është hera e parë që jemi këtu. Kemi dëgjuar se kjo tyrbe është e fortë”, tha Shala duke nënkuptuar se dëshirat e njerëzve plotësohen nëse luten në këtë tyrbe.

Më pas, njëri anëtar i familjes Berisha që përkujdeset për tyrben, u mor me dashin duke e therrur dhe në fund u jep një copë mish të dashit familjes Shala të cilët largohen nga ky vend menjëherë.

Para disa viteve, Hekuran Hoda nga Gjakova kishte dhënë një donacion për të renovuar tyrben e Lezit.

Ndërsa, Adem Kamberi nga Gjakova kishte ardhur në Lez me familjen e tij të enjten që të kalojnë ditën në këtë fshat. Ata kishin ndezur zgarën dhe drekuan në një hije të një lisi të madh.

Ademi, 62 vjeç thotë se e kishin ‘bërë në jetë’ që një ditë ta kalojnë me familjen në fshatin Lez. Ai mban në mend ndryshe këtë fshat.

Ademi thotë se para 30 viteve kishte vizituar këtë fshat për herë të fundit dhe shumëçka ka ndryshuar.

“Atëherë, ka pasur më shumë gjallëri, më shumë njerëz. Në fshat ka qenë edhe një odë për mysafirë të cilët kalonin natën”, tha Ademi.

Fshati Lez është në Malësinë e Vrrinit, që kufizohet në veri me Prizrenin dhe në jug me regjionin e Opojës.