Qielli Është Kufiri për Erit Zajmin

Dhurata e parë që pranoi kur shkeli në tokën e Zelandës së Re në vitin 1999 ia determinoi rrugën e jetës katërvjeçarit nga Peja, Erit Zajmi.

Aq shumë ishte dashuruar në një aeroplan lodër që ia kishin dhënë prindërit e tij, sa çdo ditë e më shumë e paramendonte veten mbi re.

Ta kishte pasur si ëndërr, tash duket e realizuar për pejanin 19 vjeçar që u largua nga shtëpia e tij në kohën kur e familja e tij e kishte të vështirë të jetonte si pasojë e okupimit.

Sot Eriti qiellin e ka kufi.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Eriti i ishte bashkuar familjes në rrugën e tij për një vend të panjohur.

Akomodimi me kërkesat e Zelandës dhe nevoja për të punuar dhe mbajtur familjen shumë shpejt ia zunë vendin lodrave të fëmijërisë.

Krahas shkollës që bënte, për Eritin ishte e nevojshme që edhe t’u dilte në krah babait dhe vëllait në biznesin e tyre.

“Kam punuar në restoranin e vëllait vetëm sepse kam pasur nevojë për para, jo se kam dashur të bëj profesion atje. Nuk më pëlqen ajo punë”, thotë Eriti gjatë një bisede për gazetën Jeta në Kosovë.

Për t’ia bërë më të lehta mësimet në vitet e para të shkollës, atëherë përkujdesej motra e tij, Edita.

Por vitet e këtij bashkëpunimi u këputën shpejt, pasi Editës iu desh të kthehej në Kosovë për të nisur një familje të re.

Ajo tani jeton në Prishtinë dhe kujton me nostalgji kohën e kaluar bashkë me Eritin dhe anëtarët tjerë të familjes në Zelandën e Re.

“Eriti gjithnjë e ka dashur shpejtësinë  prandaj edhe është përshtatur aq shumë me profesionin e tij”, thotë ajo.

“Jemi të lidhur jashtëzakonisht shumë dhe kontaktojmë vazhdimisht me njëri- tjetrin”, rrëfen Edita.

Sot Eriti e ka të vështirë të kthehet 15 vjet mbrapa për të kujtuar rrugën e tij drejt Zelandës së Re.

Thotë se udhëtimet e gjata me aeroplan nuk ishin sfidë e lehtë për familjen e tij dhe kujton që krejt çka kishte mundur të marrin prindërit nga shtëpia që e kishin lënë në Pejë, ishin shpirtrat dhe rrobat e trupit.

Por i kishte bërë përshtypje, gjatë rrugës nga Turqia për në Egjipt “se si po fluturon një zog i madh”.

“Por ato orë të kaluara në aeroplan kisha mbjellë dashurinë ndaj aeroplanëve”, thotë ai. 

“Megjithatë, ndjeja frikë dhe nuk kisha fjalë. Kisha kureshtje se si diçka e madhe sa një ndërtesë po barte aq shumë njerëz dhe po qëndron në ajër” kujton Erit Zajmi.

Në ditën e parë në vendin e ri, familja e Eritit ishte vendosur në Auckland të Zelandës së  Re në një natë të ftohtë që i përngjante të ftohtit që kishte lënë kur u kishin kthyer shpinën shtëpisë së tyre në Pejë.

Disa muaj më pas, ai filloi ta ndjekë kopshtin e fëmijëve për të cilin thotë se nuk e ka pasur aspak të lehtë.

“Nuk ishte e lehtë të bëja shokë të rinj duke mos ditur asnjë fjalë nga gjuha angleze. Por truri im u bë si sfungjer që thithte informata dhe kështu arrita shpejt ta mësoj anglishten”, thotë ai.

Gjashtë vjet në Shkollën Fillore të Aucklandit, dy vjet në një Shkollë të Mesme dhe pesë vjet në Kolegjin Macleans ishin kohë e mjaftueshme që Eriti ta zotëronte në mënyrë të përkryer anglishten.

Tani sfida e tij është ta praktikojë më shumë gjuhën shqipe.

Por si i hyri ai botës së aviacionit?

Duke qëndruar në restorantin e vëllait të tij, i cili për dallim nga Eriti, ndiqte hapat e babait, i ra rasti të takojë njerëz të rëndësishëm të cilët merren me këtë profesion, të tillë që në Zelandën e Re njihen si ndër më të suksesshmit në botën e aviacionit.

“Takimet me ta më ngjallnin ndjenjën që kisha si katërvjeçar, kur dashuria e për avionët filloi të më mbillej thellë në zemrën time”, kujton ai

Por si plan për profesionin e ardhshëm më shumë i erdhi kur mori informacion për një shkollë fluturimi në një vend të vogël të quajtur Matamata, Walsh Memorial School Flying.

Ishte një kurs i projektuar për të rinjtë nga mosha 16-19 vjeçare dhe një ditë, pasi përfundoi mësimin, ai shkoi për fluturimin e tij të parë të quajtur “Cesna 152”.

Për pak vjet, atij i erdhi dita të diplomonte me një fluturim.

“Në ditën e diplomimit isha vërtet i nderuar të fluturoj me një De Havilland Mosquito” thotë Eriti.  

“Është një tip i avionit britanik luftarak. U ndjeva krenar kur provimin e kalova me sukses”, kujton ai.

Menjëherë pasi e kaloi këtë fazë, Eriti bëri një kërkesë në Shkollën e Aviacionit në Cristchurch. Aplikacioni i tij u pranua menjëherë dhe Eriti edhe për dy vjet do të ngritet më shumë në profesionin e tij.

E ardhmja e Eritit është t’i çajë retë, ndërsa këmbët e tij shumë pak do të mund ta prekin tokën.

Vetëm për një vit, ai ka bërë 230 orë fluturime, fillimisht me ndihmën e instruktorit, e pastaj me fluturime ‘solo’.

“Tani kam filluar të fluturoj me aeroplan me dy motorë dhe atë e bëjë vetëm. Jam licensuar por vazhdoj të hyj në provime opcionale për t’u ngritur më tepër në profesion”, thotë ai.

Fluturimi në qiell pra është e ardhmja që Eriti ka zgjedhur pavarësisht rreziqeve.

“Natyrisht se çdoherë do të ketë rreziqe në aviacion por varet nga ti se si përballesh me rrezikun dhe e bën fluturimin të qetë dhe një përvojë argëtuese”, thotë ai.

Por javët dhe muajt e fundit nuk kanë qenë të qeta për aviatorët.

Një aeroplan udhëtarësh i “Malaysia Airlines” u rrëzua mbi Ukrainë ndërsa një tjetër i “Air Algjeria” ra në Afrikën Perëndimore si pasojë e motit të lig.

Kjo gjë e trishton Erit Zajmin.

“Kjo mund t’i ndodh secilës kompani ajrore. Por është humbje jetësh dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”, thotë Erit Zajmi.

Motra e tij ia përshkruan dellin e guximit.

“Eriti nuk i frikësohet lartësisë as shpejtësisë. Ka dëshirë kur adrenalina ngritet”, thotë Edita Zajmi.

Ndërsa e ka një synim që dëshiron ta realizojë në një të ardhme të afërt.

“Dua që të fluturoj andej nga kam ardhur në Zelandën e Re para 15 viteve. Por këtë herë, jo si pasagjer, por si pilot”, thotë ai.