Pranga për "Tezen" e Përpunimit të Kokainës

Një informatë nga prokuroria e përgjithshme e Shqipërisë dhënë prokurorisë dhe policisë së Kosovës thoshte që në Kosovë pritej të futej një sasi prej 25 kilogramësh kokainë.

Sipas kësaj informate, një grup i strukturuar i personave nga Kosova dhe Shqipëria ishin duke bashkëpunuar në shitjen dhe përpunimin e substancave narkotike të llojit kokainë.

Me kërkesë të prokurorit Besim Kelmendi filloi vëzhgimi dhe përgjimi i personave të dyshuar. Nga ky hetim u zbulua se materialet për përpunimin e drogës kishin arritur në Kosovë dhe ishin vendosur në fshatin Kliqinë të Pejës.

Operacioni i policisë së Kosovës në muajin qershor, rezultoi me zbulimin e laboratorit për përpunimin e drogës në katin e dytë të një shtëpie në fshatin Kliqinë.

Gjatë operacionit u arrestuan katër persona, në mesin e tyre edhe ekspertja e përpunimit të kokainës  e cila njihej me nofkën “Tezja”.

“Tezja” e cila këtë emër e mori pasi në përgjimet e shumta, të dyshuarit e quanin me këtë nofkë, kishte dy nënshtetësi shqiptare dhe amerikane.

Të arrestuarit tjerë ishin  V. B. i lindur më 1972 , V. B. i lindur më 1981 dhe A. Z. i lindur në vitin 1981 që dyshohet se i ka takuar grupit të njëjtë kriminal.

Vlera e përgjithshme e kokainës së gjetur në Kliqinë, sipas hetuesit në këtë operacion, thuhet të jetë mbi 5 milionë euro.

Xhirimet ekskluzive nga ky aksion i policisë janë transmetuar në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, më 20 korrik.

Për një muaj rresht, policia ishte vënë në përcjellje të këtij grupi.

Besim Kelmendi, prokuror special, tha se personat e dyshuar është arritur të jenë nën vëzhgimin e policisë 24 orë të përcjellur me kamera.

“Është arritur që të gjinden personat kryesorë në këtë grup, ata që e kanë përpunuar këtë lloj narkotiku”, tha ai.

Gjatë kohës që policia bënte hetimet mbi 20 kilogramë kokainë dhe mjete të tjera të përzierjes së kësaj lënde kishin hyrë në Kosovë.

Tri ditë para operacionit, në kufi të Kosovës ishte regjistruar hyrja e shtetases shqiptare e njohur me nofkën “Tezja”. Ajo ishte përcjellur nga disa persona të dyshuar deri në fshatin Kliqinë.

Bahri Shala nga drejtoria e drogave tha se “Tezja” ka pasur hyrje dhe dalje në territorin e Kosovës dhe për policinë ka qenë i dyshuar çdo shoqërues i saj në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Ajo si shtetase e Amerikës ka jetuar edhe në Shqipëri edhe në Amerikë ndërsa në Kosovë ka pasur për detyrë vetëm përpunimin apo rritjen e sasisë së substancës narkotike”, tha Shala.

12 orë para fillimit të operacionit të policisë, një veturë me targa të Shqipërisë ishte futur në oborrin e shtëpisë dhe ishte ngarkuar me një sasi të narkotikëve, pas kësaj vetura ishte nisur në drejtim të Shqipërisë.

Për veturën që ishte nisur drejt Shqipërisë ishte njoftuar edhe policia atje.

Bahri Shala nga drejtoria e drogave tha se në kufi ishte ndalur vetura dhe kanë filluar kontrollet nga të dy policitë.

Në makinën e ndaluar ishin zbuluar 7 kilogramë kokainë, ndërsa policia kishte arrestuar personin që drejtonte veturën.

“Brenda pak çastesh në koordinim me të dyja palët ka filluar bastisja e vendeve të dyshuara”, tha Shala.

Në operacionin e policisë së Kosovës u zbulua laboratori më i madh i përpunimit të drogës kokainë në Kliqinë dhe u arrestuan katër persona.

Gjatë bastisjes ishin zbuluar edhe materiale të tjera të përdoruara për përzierjen e drogës, aciton i koncentruar, limontoz, sodë bikarboni dhe materiale të tjera që shfrytëzohen për përzierjen e kokainës.

Nga operacioni i policisë së Shqipërisë, ishin arrestuar dy persona dhe ishin konfiskuar 150 kilogramë marihuanë dhe 5 kilogramë heroinë.

Hetuesi nga drejtoria e drogave i tha ekipit të Drejtësia në Kosovë gjatë operacionit se sasia e narkotikëve kishte arritur nga Amerika Latine në mënyrë të lëngët për tu përpunuar në laboratorin e gjetur.

“Sasia e narkotikut në mënyrë të lëngët futet nëpër enë dhe thahen me flladitëse mandej qitet edhe përzierës të ndryshëm për tharjen e saj pastaj kalon në fazën e terjes natyrale deri të paketimi dhe matja në peshoret elektronike”, shpjegon hetuesi punën në këtë laborator.

Narkotikët e sekuestruar në Kliqinë janë dërguar në dhomën e provave ndërsa 4 të arrestuarve në Kosovë u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Policia dhe Prokuroria e Kosovës nuk e dinë se nga kishin ardhur 25 kilogramë kokainë në Kosovë,  dhe se cilit grup kriminal i takon ky rrjet.

Bahri Shala thotë se dyshojnë që është një lidhje me e madhe ndërkombëtare dhe me grupe tjera kriminale jashtë këtyre dy shteteve.

“Jemi në procedim të shkëmbimit të informacioneve edhe me agjencitë tjera si Europol, Interpol etj”, tha ai.

Prokurori Besim Kelmendi nuk deshi të flasë pasi që hetimet janë në vazhdim e sipër.

“Rrjeti i këtij grupi kriminal është shumë më i gjerë se sa këta që janë arrestuar”, tha shkurt ai.