Akomodimi i Rektorit të Përkohshëm dhe Premtimet e Realizuara Përgjysmë

Roland Sylejmani, njëri prej studentëve iniciues të protestavepër largimin e ish-rektorit Ibrahim Gashi,  e kishte marrë me gëzim lajmin për dorëheqjen e tij, e me entuziazëm edhe më të madh e priti zgjedhjen e menaxhmentit të përkohshëm. 

Kishte pritje të mëdha nga profesori Anton Berishaj i cili e mori përkohësisht drejtimin e universitetit më të madh publik, por pesë muaj më vonë, Sylejmani, nuk është aq i kënaqur me punën e tij. 

“Përveç publikimit të CV-ve në faqen e Universitetit  nuk është se kemi parë hapa konkretë”, thotë Sylejmani për gazetën Jeta në Kosovë. 

Ai dhe protestuesit tjerë kishin kërkuar inicimin e një grupi që do të hetonte doktoratat dhe titujt e dyshimtë të mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, por Sylemjani thotë të mos jetë realizuar ende kjo kërkesë. 

Sylejmani megjithatë ka një dozë mirëkuptimi për menaxhmentin e ri pasi shfaq frikën se ish udhëheqësit e UP-së “po krijojnë probleme nga brenda”.

Në këtë drejtim, Sylejmani përmend rastin e protestave të administratës së UP-së në kërkim të pagave më të mëdha. 

Në mars të këtij viti, kur Berishaj erdhi përkohësisht në krye të UP-së ishte në një kohë krize, dhe shumëkush e kishte vlerësuar këtë si akt guximi nga ana e tij. Pritej shumë nga ai, por më kryesorja ishte hetimi për avancimet e dyshimta të stafit akademik.

Një situatë e tillë ishte krijuar pas protestave dy javore të studentëve të cilët kërkonin largimin e ish-rektorit Gashi dhe tërë menaxhmentit të UPs-së. Këtyre protestave i kishte paraprirë skandali në media se ish-rektorti Gashi dhe disa profesorëve të UP-së kishin përdorur punime të publikuara në revista që dyshohet të jenë të rreme e të cilat më pas ishin shfrytëzuar për avancime në thirrje akademike. 

Nën ndikimin e këtij skandali, Anton Berishaj, ushtrues i detyrës sërektorit të UP-së, me të marrë këtë pozitë kishte premtuar rishikim të titujve akademikë të profesorëve.

“Duam transparencë. Le të shihet kush çka ka bërë”, kishte deklaruar Berishaj në ditën e parë të punës  së tij të filluar me 10 mars, duke iu referuar punës shkencore të profesorëve. 

Ai kishte dhënë shumë premtime si publikimi i temave të masterit e doktoratës, publikimi i CV-ve të stafit akademik, dhe më kryesorja kishte premtuar rishikimin e titujve akademikë.

“Kjo (rishikimi i titujve akademikë) patjetër që do të ndodh…dhe ai grup punues apo grupe punuese nëse formohen do t’u caktohet një afat dhe do të raportojnë”, kishte deklaruar Berishaj me 10 mars. 

Por, pasardhësi i Ibrahim Gashit nuk u qëndroi mbrapa të gjitha zotimeve të dhëna. Deri më tash vetëm është zgjeruar komisioni i cili ka pasur për detyrë rishikimin e titujve akademikë të profesorëve por ende nuk ka dalur ndonjë rekomandim apo vendim për ndonjë profesor nga ky komision. 

Me 28 janar senati i UP-së kishte formuar Komisionin për vlerësimin e botimeve akademike i cili përbëhej nga profesorët Naser Zabeli, Agni Dika dhe Shaban Buza.

Dy ditë më vonë, më 30 janar, ish-rektori Ibrahim Gashi, pak para se të largohej nga kjo pozitë kishte deklaruar në emisionin Jeta në Kosovë se ishte formuar Këshilli Etik nën udhëheqjen e profesoreshës Myzafere Limani. 

Por kjo e fundit e cila ishte e pranishme në këtë debat kishte deklaruar se ky këshill nuk është duke funksionuar dhe se ajo ishte vënë në dijeni se është në krye të këshilli tek pasi i kishte ardhur një zarf me anë të postës në Fakultetin ku ajo punon, atë të Elektroteknikës. 

Dukagjin Pupovci, ekspert i çështjeve arsimore ka qenë ndër zërat kryesorë në opinion kundër mënyrës se si ish-rektori Ibrahim Gashi kishte përfituar nga punimet shkencore të botuara në revistat e rreme.

Pesë muaj më vonë, Pupovci thotë që menaxhmenti i ri i UP-së as që e ka hapur debatin për titujt akademikë dhe probleme të tjera, gjëra për të cilat ai në fillim kishte pritur se do të bëhen.

“Është pritur se do të hapet dialogu brenda Universitetit për çështje të rëndësishme siç janë korrupsioni akademik, mashtrimi me publikime në revista të dyshimta…por asgjë nga kjo nuk ndodhi”, thotë Pupovci. 

“Në vend të lustrimit të vërtetë që i nevojitet UP-së, Berishaj zgjodhi rrugën më të lehtë të minimizimit të problemeve…pa bërë ndryshime thelbësore në të”, ka shtuar më tej Pupovci. 

Lidhur me premtimin e ushtruesit të detyrës së rektorit, Anton Berishaj,  për rishikimin e titujve akademikë, në rektorat kanë thënë se Komisioni i Etikës është në fazën e grumbullimit të të dhënave për publikimet e personelit akademik prej të cilave më pas do të dalin rekomandimet. 

“Aktualisht është duke u punuar në grumbullimin e pjesës së mbetur të të dhënave në lidhje me publikimet dhe forumet ose vendet e publikimeve të të gjithë anëtarëve të personelit akademik”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Zyra për Informim e Rektoratit të UP-së. 

 “Menaxhmenti ka zgjeruar komisionin ekzistues edhe me anëtarë ndërkombëtarë që kanë kredenciale të dëshmuara në fushën e botimeve dhe në jetën universitare”, thuhet në një përgjigje të shkruar nga zyra për informim në rektorat. 

Sipas Rektoratit, aktualisht janë duke u mbledhur të dhënat lidhur me publikimet e profesorëve. Pasi të jenë analizuar këto të dhëna, Senati i UP-së pritet të dalë me vendim të cilit do t’i paraprijë rekomandimi i Komisionit të Etikës. 

Një përpjekje për ta shmangur avancimin e profesorëve në mënyrë të dyshimtë senati që kryesohet nga Berishaj, e ka bërë nëpërmjet miratimit të rregullores për procedurat vlerësuese të zgjedhjes dhe avancimit të stafit akademik. 

Por rregullorja për të cilën gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar me 23 qershor, nuk ofronte zgjidhje pasi nuk kishte mekanizëm që ndalonte apo kontrollonte publikimin e punimeve edhe në revista të dyshimta nga stafi akademik i UP-së.

Leon Malazogu, anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, thotë të mos ketë pasur pritje të mëdha nga menaxhmenti i përkohshëm. Sipas tij, janë trashëguar shumë probleme nga ai i kaluari dhe për Berishajn “ka qenë e vështirë të punohet më shumë”. 

“E vlerësoj performancën (e Berishajt) si solide në raport me sfidat”, thotë Malazogu.

Ndërsa për rishikimin e titujve akademikë, Malazogu e bën  përgjegjës rektorin dhe senatin por jo edhe Këshillin Drejtues në të cilin bënë pjesë ai. 

Muharrem Nitaj, i cili dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së dy ditë pas dorëheqjes së ish-rektorit Gashi, ka qenë kritik ndaj punës së deritashme të menaxhmentit. 

“Atje jo vetëm që nuk janë realizuar pritjet, por ka ndodhur degradimi i skajshëm i UP-së”, ka thënë Nitaj. 

Sipas tij, Berishaj nuk është dashur të bënte premtime pasi“ai ka shkuar si i pafuqishëm aty”. 

“Por fatkeqësia është se ai është akomoduar si rektor e do të duhej veç t’i organizonte zgjedhjet dhe t’i menaxhonte funksionet vitale të UP-së”, thotë Nitaj. 

“Berishaj bëri ca punë të mira” 

Tre muaj pasi kishte ardhur në krye të universitetit më të madh publik, ushtruesi i detyrës së rektorit, Anton Berishaj, për herë të parë ua kishte mundësuar studentëve dhe qytetarëve të interesuar të shohin punën e secilit profesor. 

Ai kishte arritur të publikonte CV-të e shumicës së profesorëve ndërsa i kishte bërë të qasshme për të gjithë punimet e temave të diplomës dhe masterit të stafit akademik.

CV-të e profesorëve janë online nëpër faqet e fakulteteve ku japin mësim këta profesorë, ndërsa sa i përket temave të masterit e doktoratës ato, sipas rektoratit, janë mbledhur në një hapësirë të veçantë nëpër bibliotekat e njësive akademike dhe të interesuarit mund t’u qasen atyre sipas nevojës. 

Analisti Dukagjin Pupovci  e sheh si veprim të mirë publikimin e CV-ve por shton se “rastet e mashtrimit me punime të dyshimta nuk zhbëhen me “lustrimin” e tyre ashtu siç ka ndodhur në UP”. 

Megjithatë Pupovci ka një dozë mirëkuptimin për rektorin e përkohshëm. 

“Ishte kohë fushate dhe u bënë veprime që ishin jashtë kontrollit të tij që tronditën universitetin, siç është, për shembull, zvogëlimi i pagesës së semestrave dhe konvikteve”, thotë Pupovci. 

“Mbase Berishaj  është ndjerë i stigmatizuar nga fakti se është udhëheqës i përkohshëm i institucionit dhe nuk ka dashur të bëjë veprime më radikale”, vlerëson ai. 

Gjatë kohës së menaxhmentit të përkohshëm është ridizajnuar ueb-faqja e universitetit në nivelin qendror duke e bërë atë më të qasshme për studentët. Sipas rektoratit janë duke u bërë përpjekje që i njëjti model të instalohet edhe nëpër faqet e fakulteteve. 

Mandati i përkohshëm i Anton Berishajt përfundon më 8 shtator. 

Ndërkohë pritet të shpallet konkursi për rektor për pjesën e mbetur të këtij mandati që zgjat deri më 30 shtator 2016. Sipas statutit të UP-së, pozita e rektorit shpallet nga Këshilli Drejtues me konkurs publik në një afat prej pesëmbëdhjetë ditësh pasi të jetë konsultuar me rektorin.