Frika Karshi Këmbënguljes për Tokat Atërore

Familja Musa ka jetuar për gjashtë gjenerata në tokën e tyre në cepin verior të Kosovës. 

Në fshatin Kushtovë kjo familje ka 16 krerë lopë për të prodhuar qumësht e djath, 20 pula dhe disa koshere bletësh. Ferma përçon një ndjenjë moderniteti, por nuk është e vetmja që i sguron asaj të ardhura. Kryefamiljari Eseti përmbyll ditët nëpër ara me punën shtesë që bën gjatë natës si roje e një kulle të transmetuesve të telefonisë mobile për t’i siguruar gruas dhe tre fëmijëve të tij ca të ardhura shtesë. 

“Kushtet e jetesës këtu janë shumë të vështira”, thotë Eset Musa 44-vjeçar teksa kthehet nga fushat ku kishte grumbulluar sanë. 

Familjet si ajo Musa jetojnë anembanë Kosovës, duke qenë se 61 për qind e popullatës jeton në vise rurale, shumë prej të cilëve jetojnë nga fermat e tyre. 

Por Musajt jetojnë në veri të Kosovës, në komunën me shumicë serbe të Leposaviqit, ku shqiptarët përbëjnë pakicë kombëtare. 

Sipas të dhënave të OSBE-së, në Leposaviq jetojnë 300 shqiptarë në tri fshatra, në mesin e 18,000 serbëve. Në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe, numri i shqiptarëve arrin rreth 7,000 ndërsa i serbëve rreth 70,000. 

Që nga fundi i luftës në fund të viteve të 90-ta, zonat veriore me shumicë serbe të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin-Potokut dhe Leposaviqit, kanë qëndruar jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës, ndërsa de facto nën kontrollin e Serbisë. 

Përgjatë viteve të fundit, marrëdhëniet në mes të serbëve dhe shqiptarëve, nën tensione edhe në ditët më të mira, nganjëherë kanë përshkallëzuar në dhunë ndëretnike, si në vitin 2004, apo në trazira, pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova në vitin 2008. 

Përderisa shqiptarët që jetojnë në Mitrovicën e Veriut ndodhen vetëm ca metra larg shqiptarëve që përbëjnë shumicën e popullatës në Mitrovicën e Jugut, ata që jetojnë në fshatrat më veriorë si Koshtova janë më të izoluar nga pjesëtarët e etnisë së tyre dhe ndihen se janë harruar nga autoritetet në Prishtinë. 

“Unë do doja që [Koshtova] të jetë pjesë e shtetit tonë. Por, kjo në fakt nuk është”, thotë Musa. 


Eset Musa | Foto: Atdhe Mulla

Marrëveshja e Bruksel-it 

Ai nuk sheh asgjë të mirë në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Brukseli të prillit të vitit 2013, e cila parashihte që në veri të funksionojnë autoritetet e Prishtinës dhe jo më të Beogradit. 

Sipas kësaj marrëveshjeje, komunat serbe do të bëhen pjesë e një asociacioni të komunave që ofron një formë të kufizuar të vetëqeverisjes nën ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. 

Si rezultat i këtyre negociatave, në nëntorin e kaluar serbët e veriut i zgjodhën kryetarët e komunave në zgjedhjet e para lokale të organizuara nga autoritetet e Kosovës. 

Por Musa thotë se vendosja ligjore e komunave nën autoritetin e Prishtinës nuk ka ndryshuar gjë situatën për shqiptarët që jetojnë në veri. 

“Ne i përkasim Komunës së Leposaviqit, por ne në fakt nuk i përkasim asnjë komune, sepse nuk gëzojmë siguri për t’iu qasur ndërtesës së komunës, e për t’i kërkuar dokumentet që mund të na nevojiten”, sqaron ai. 

“Ata [serbët] thonë se i kanë zgjedhur kryetarët legjitimë të komunave, por unë nuk e di se çfarë kryetarë komunash janë ata që bashkohen me huliganë dhe vendosin barrikada në rrugë”, thotë Musa, duke iu referuar barrikadave që serbët i kanë ngritur nëpër veri gjatë tre vjetëve të fundit në shenjë proteste ndaj autoriteteve të Prishtinës. 

Musa shpreh mosbesim edhe më të thellë ndaj komandës rajonale të policisë, që në bazë të marrëveshjes së Brukselit udhëhiqet nga serbët, por që funksionon si pjesë e Policisë së Kosovës. Edhe pse zëvendëshefi i policisë është shqiptar, në radhët e kësaj force janë përfshirë edhe ish-pjesëtarët e Policisë së Serbisë. 

“Disa nga policët që kanë rrahur shqiptarët në Mitrovicë para luftës, sot kanë veshur uniformat e Policisë së Kosovës”, thotë ai. 

Edhe pse policia patrullon nëpër fshatin e tij, Musa thotë se nuk mund të llogarisë në mbrojtje nga policia.

“Unë jam vetë përgjegjës për sigurinë time. Unë kontrolloj situatën dhe kujdesem për vete çdo natë”, shpjegon ai, teksa grumbullon sanën me vëllaun e tij Azemin. 


Azemi dhe Agnesa | Foto: Atdhe Mulla

Jeta nën tension

Gjatë javëve të fundit tensionet janë ngritur në qytetin e ndarë të Mitrovicës, që gjendet rreth 30 kilometra në jug të Koshtovës. Atje, më 22 qershor shqiptarët u ndeshën me policinë në afërsi të urës që lidhë veriun dhe jugun e qytetit. 

Demonstruesit ishin të pakënaqur me faktin se serbët e veriut e kishin larguar barrikadën nga ura kryesore vetëm për ta zëvendësuar atë me të ashtuquajturin “Park të Paqes” dhe për të vendosur më pas barrikada të reja. 

“Kur në veri ndodh diçka, ne nuk mund të jemi të qetë si zakonisht dhe duhet të kalojmë natën zgjuar duke bërë kujdes të shtuar”, thotë Musa. 

Ai thotë se ndihet i detyruar që të jetë vazhdimisht i gatshëm për të mbrojtur shtëpinë e vet. 

“Nëse ata vijnë me molla, ne do tu përgjigjemi me molla; nëse ata vijnë me bukë, ne do tu përgjigjemi me bukë; por, nëse ata vijnë me ato [armë], ne do tu përgjigjemi me ato [armë]”, shton ai. 

Përkundër frikës dhe izolimit, duke qenë se banorët e Koshtovës e kanë vetëm një rrugicë të vogël që kalon nëpër territoret e banuara me shqiptarë për të hyrë dhe dalë nga fshati, Musa thotë me këmbëngulje se kurrë nuk do largohet nga shtëpia e vet. 

“Familja ime ka jetuar në këtë fshat për më shumë se gjashtë gjeneratash… unë nuk kam ku të shkoj tjetër, këtu e kam shtëpinë”, thotë ai. 

Por e ardhmja e Koshtovës dhe fshatrave të tjera të ngjashme nuk është fare e sigurt, e kjo dëshmohet nga fakti se shumë familje janë shpërngulur – shumë prej tyre në jug të Mitrovicës. 

Përveç brengave për sigurinë, banorët ankohen për faktin se asnjë autoritet, as komunat e reja e as qeveria qendrore, nuk po u ofron atyre shërbime adekuate. 

Edhe fëmijët kanë pak mundësi për arsimim adekuat. Me përjashtim të shkollës fillore në Bistricën e afërt dhe një tjetre në Boletin, shkollat në veri nuk mbajnë mësim në shqip. Për shkak se janë të pakët fëmijët që e njohin serbishten, gjuhë kjo të cilën prindërit e tyre e flasin, vijimi i mësimit në serbisht nuk është opsion fare. 

Edhe shërbimet shëndetësore janë të pakta. Në Koshtovë dhe fshatrat përreth ka një ambulancë të vetme, ndërsa doktori vjen për vizita vetëm një herë në javë. 

Në Bistricë 40-vjeçari Bashkim Hetemi e ka të qartë se shqiptarët në veri duhet të mbrohen vetë. 

Gjatë luftës së zhvilluar në fund të viteve të 90-ta, Hetemi kishte luftuar në Bistricë si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa tani si invalid merr pension prej rreth 300 eurosh në muaj. 

Familja e tij është një nga 12 familjet që po përpiqen që të sigurojnë ekzistencën në fshatin e tyre. 

“Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë gjë për ne”, thotë ai. “Ne ia kemi dalë disi, por jeta këtu ka qenë vërtetë e vështirë.” 

Shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008 e ka bërë situatën në Bistricë edhe më të ndërlikuar. Barrikadat në rrugë që janë vendosur nga serbët nganjëherë, e kanë izoluar fare këtë fshat, por ai insiston se kurrë nuk do të largohet. 

“Ne nuk do t’ua lëmë shtëpitë tona serbëve,” thotë ai. 

“Kjo është shtëpia jonë-ne kemi lindur dhe jemi rritur këtu. Këtu janë varret e prindërve dhe gjyshërve tanë dhe ne jemi këtu dhe nuk kemi ku të shkojmë tjetër. Ku do duhej të shkonim ne?”


Bashkim Hetemi | Foto: Atdhe Mulla

Rreth 20 kilometra më tej, në fshatin Boletin të komunës së Zveçanit, 66-vjeçari Xhevat Peci e kalon kohën duke u kujdesur për kopshtin dhe lopët e tij. 

Nga 30 familje sa ishin dikur në Boletin, familja e Pecit dhe e vëllait të tij –të vetmet familje që sot jetojnë atje, përpiqen të ballafaqojnë sfidat e të jetuarit në fshat.

Ata kultivojnë patate, domate, tranguj e spinaq, ndërsa prodhojnë edhe qumësht e djathë. 

“Nga këndvështrimi ekonomik, jeta në fshat është mjaft e mirë sepse i kemi të gjitha ato që na nevojiten për jetesë”, thotë ai. 

Por jeta në Boletin është përshkuar edhe nga dhuna e ngacmimet. 

Gjatë viteve ‘90, para konfliktit, të bijtë e Pecit ishin sulmuar teksa prenin dru, ndërsa familja e tij u shpërngul në Mitrovicë gjatë luftës kur forca policore të Serbisë ishin vendosur në manastirin lokal. 

Bujku boletinas thotë se policia e Zveçanit ka vazhduar që ta ngacmojë atë edhe pas luftës, duke e bastisur shtëpinë e tij tetë herë në kërkim të armëve. 

Edhe pse shqiptarët në veri thonë se ndihen të pasigurt dhe të lënë anash nga institucionet, Faik Kelmendi, i vetmi anëtar shqiptar i Kuvendit Komunal të Zveçanit thotë “nuk ka arsye për ankesë.” 

“Ka siguri dhe liri të lëvizjes, ndërsa edhe infrastruktura është shumë më e mirë se më parë”.

Por Kelmendi pajtohet se “qeveria në Prishtinë dhe institucionet tjera shtetërore do duhej të ofrojnë më shumë mbështetje për shqiptarët që jetojnë në veri.”

Megjithëkëtë, Musa dhe Hetemi e kanë gozhduar qëndrimin për të ardhmen e familjeve të tyre pikërisht në veriun e dominuar nga serbët. 

“Nëse ne largohemi nuk do të mbetet njeri këtu”, thotë Peci. “Largimi nuk është zgjidhje”, shton ai.