Feim Salihu Heq Dorë nga Pozita e Asamblistit

Feim Salihut kryeshefit të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, i zgjedhur asamblist i Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale, iu deshën dy vendime të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për t’u dorëhequr nga njëra pozitë.

Ai vendosi  më 28 maj të këtij viti të heqë dorë nga pozita e asamblistit komunal nga rradhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal  ia kishte shpjeguar Salihut me 27 shkurt se mbajtja e dy posteve nuk i lejohej. 

Ky rast, ishte konsideruar konflikt interesi edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion. 

AKK-ja i kishte dërguar  kompanisë “Pastrimi” më 5 mars të këtij viti opinionin ku konstatohej se situata në të cilën gjendet Salihu paraqet mospajtueshmëri dhe gjendje të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

 Megjithëkëtë, ai nuk kishte hequr dorë duke kërkuar edhe një herë interpretim shtesë nga MAPL-ja për rastin e tij. 

Ai në emisionin Jeta në Kosovë të datës 8 maj pati deklaruar se vendimi i MAPL-së ishte joligjor.

“Është dhënë interpretim ligjor jo i saktë për drejtorin e bordit e jo për kryeshefin ekzekutiv, ku thuhet të gjithë anëtarët e bordit me përjashtim të kryeshefit ekzekutiv”, pati thënë Salihu.

Ai bazohej në Ligjin për Ndërmarrje Publike përkatësisht në nenin 17 që specifion që drejtorët e bordit nuk duhet të jenë politikë, por e përjashton nga ky kufizim kryeshefin ekzekutiv.

Megjithatë përgjigjen e dytë MAPL-ja i ktheu Salihut me datën 20 maj, duke ia rikujtuar se nuk mund të mbajë të dy pozitat.

“Ligji bazë për organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale ka përcaktuar shprehimisht se drejtorët e ndërmarrjeve nën autoritetin e komunës, nuk mund të jenë në të njëjtën kohë edhe anëtarë të Kuvendit të Republikës dhe anëtarë të Kuvendit Komunal”, thuhej në vendimin e MAPL-së. 

Më tej në përgjigje thuhej se Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike është përcaktuar si ndërmarrje publike lokale.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi Feim Salihun, nëpërmjet zyrtares për informim Arbnore Ademi e cila tha se Salihu posa ka pranuar përgjigjen e dhënë më 27 maj nga MAPL-ja, menjëherë ditën e nesërme ka paraqitur dorëheqjen në Komunën e Prishtinës.

“Vendimi i Salihut është që të mbajë vetëm pozitën e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ‘Pastrimi’”, tha Ademi.

Adonis Tahiri zëdhënës i Komunës së Prishtinës e konfirmoi dorëheqjen e Salihut dhe zëvendësimin e tij me Shiqeri Spahiun nga radhët e LDK-së më 27 maj të këtij viti.

Ndërkohë në Emisionin Jeta në Kosovë, Salihu pati deklaruar se nuk është duke marrë pjesë në mbledhjet e kuvendit, pasi ishte duke pritur përgjigjen e MAPL-së.

Nga Zyra e Shërbimeve të Kuvendit të Prishtinës, thanë se nga katër mbledhje sa ka mbajtur kuvendi komunal, Salihu ka munguar në dy prej tyre.

“Z. Feim Salihu në mbledhjen e tretë dhe të katërt nuk ka marrë pjesë, ndërsa në mbledhjen e parë dhe të dytë ka marrë pjesë”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyreje.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, si kryeshef i ndërmarrjes “Pastrimi” Salihu ka shkruar se merr 15 mijë 300 euro pagë vjetore, derisa paga për një këshilltar komunal është rreth 250 euro në muaj.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në muajin mars, se Agjencia Kundër Korrupsion dhe MAPL-ja i kishin shpjeguar Feim Salihut se duhej të hiqte dorë nga njëra pozitë.