Njerëz me Ndikim Fitojnë Bursat e Shtetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, në vitin 2009, në cilësinë e zyrtarit publik kishte përfituar bursë nga Ministria e Arsimit për të studiuar në një universitet në Greqi.

Por Demaku  më 2009 nuk kishte një vend pune në institucione publike dhe thotë se ishte i papunë.

“Ndoshta Ministria e Arsimit e ka marrë parasysh që unë kam qenë edhe veteran i luftës dhe jam nga një familje e dëshmorëve”, deklaroi Demaku, kur u pyet se si përfitoi në cilësinë e zyrtarit publik.

Emri i tij figuron në listën e të shkolluarve në drejtimet e parapara për zyrtarë publikë-niveli MBA Executive (Master of Bussines Administration) në Fakultetin Ndërkombëtar City College në Selanik të Greqisë, e që është degë e Universitetit të Sheffieldit me seli në Britani të Madhe.

Gazeta Jeta në Kosovë siguroi këtë listë nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike bërë Ministrisë së Arsimit.

Demaku ka qenë ish anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës deri në shkurtin e vitit 2008, kur edhe u shpërbë zyrtarisht ky shërbim.

Ndërsa postin e deputetit ai e kishte marrë në dhjetorin e vitit 2010, pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Bursat janë pjesë e një marrëveshjeje mirëkuptimi që kryeministri Hashim Thaçi më 12 mars të vitit 2009 nënshkroi me IoannisVerveridis-in, rektorin në Fakultetin Ndërkombëtar City College.

Ministria e Arsimit obligohet ta zbatojë marrëveshjen e cila parasheh shkollimin e dhjetë vetave për studime bazike, dhjetë të tjerëve për studime postdiplomike dhe dhjetë bursa të nivelit master të rezervuara për punonjësit e institucioneve publike.

Bursa e Demakut ka pasur vlerën e 18 mijë e 890 eurove, gjysmën e të cilës e ka financuar Ministria e Arsimit dhe pjesën tjetër City College, siç edhe ishte paraparë në marrëveshje.

City College me bazë në Selanik të Greqisë është degë e Shefilld University.

Studimet e Demakut në nivelin master për Administrim Biznesi kanë zgjatur dy vjet.

Demaku që përmend si përparësi të qenët veteran i luftës thotë se nuk i kujtohet se çfarë kritere kërkoheshin për të fituar këtë bursë para pesë vjetësh.

“Kam konkurruar si të gjithë të tjerët edhe e kam fituar, ajo ka qenë në vitin 2009 dhe kam harruar çfarë kritere janë kërkuar saktësisht”, ka thënë Demaku.

Por Arbër Morina, këshilltari i ministrit të Arsimit Ramë Buja, demanton Demakun.

“Demaku mundet me hamendësu çka të don, por të qenët veteran nuk ka qenë kriter për ta përfituar bursën”, i tha gazetës Morina.

Por, faktin se si e fitoi këtë bursë Demaku pa qenë punonjës i institucioneve publike, këshilltari i ministrit Buja e arsyeton duke thënë se përzgjedhjen e bursistëve e ka bërë City College dhe se ai në vitin 2009 nuk ka qenë duke punuar në Ministri të Arsimit.

“E kam thënë edhe një herë se përzgjedhja është bërë nga komisioni i City College, por edhe nuk kam qenë në ministri gjatë kohës kur Demaku e ka përfituar bursën”, tha Morina.

“Pyetne Sheffieldin edhe kërkoni dosjen e tij se ata e dinë- ata i kanë përcaktu kriteret edhe e kanë bërë përzgjedhjen”, shtoi ai.

Sipas tij MAShT-i vetëm e pranon dokumentacionin dhe e dorëzon tek përgjegjësit e universitetit.

“Komisioni i universitetit nuk e njeh askënd, ata vetëm e këqyrin dokumentacionin”, thotë Morina.

Por bazuar në protokollin e marrëveshjes në mes të Qeverisë së Kosovës dhe City College, të vitit 2009, të cilën e posedon gazeta, përzgjedhja bëhet nga Zyra e Ministrit të Arsimit.

“Procedura e selektimit do të ekzekutohet nga Zyra e Ministrit të Edukimit, Shkencës dhe Teknologjisë duke pasur parasysh kriteret akademike të unversitetit.

“Një përfaqësues i ministrisë do të jetë prezent gjatë procedurës së përzgjedhjes”, thuhet në protokoll.

Hana Hoxha, përfaqësuesja e City College për Kosovë, e pyetur se si e ka marrë Fadil Demaku këtë bursë pa qenë pjesë e institucioneve publike, ka thënë ajo nuk ka qenë përfaqësuese e City College në vitin 2009.

“Unë jam përfaqësuse e universitetit prej vitit të kaluar, mund të jap informatat vetëm për vitin akademik 2013-2014.  Për 2009 duhet me shiku në arkiva të universitetit”, tha Hoxha.

Ajo më tej ka përmendur kriteret të cilat aplikohen për t’u bërë pjesë e këtij universiteti.

Hoxha, në përgjigjet e dërguara me shkrim, ka shpjeguar se në këtë universitet ekziston një proces i selektimit dhe kriteret janë të njëjta për të gjithë kandidatët.

“Të gjithë studentët kosovarë mund të aplikojnë për bursa të ndryshme, ndërsa vetëm nëpunësit publikë mund të aplikojnë për programin Executive MBA”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka treguar se kriteret për t’u pranuar në City College janë njohja e gjuhën angleze, për të cilën, aplikuesit duhet të kalojnë edhe testin e gjuhës angleze, ju shikohen ecuritë akademike dhe në fund organizohet një intervistë vetëm për studentët që kanë përfunduar me sukses testet e mëparshëm dhe kanë kualifikimet përkatëse që kërkohen.

Demaku i pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, ka thënë se e njeh gjuhën angleze dhe se i ka kaluar testet për këtë gjuhë.

Por, më 5 mars 2014, kur gazetarja e emisionit humoristik “Vikendi” që transmetohet në RTK i kishte bërë Demakut dhe deputetëve të tjerë pyetje në gjuhën angleze, ai thotë në një anglishte dobët se “më vjen keq, por është një problem, unë nuk mund të flas anglisht, gjithçka çka mendoj”.


Degët e Sheffield nëpër botë | Foto: CITY College, International Faculty of the University of Sheffield

Shkollimi i këshilltarëve dhe i të afërmve të zyrtarëve publik

Ndërkohë marrëveshja me fakultetin në Greqi u ripërtëri më 18 mars të këtij viti nga ministri Ramë Buja dhe rektori Ioannis Ververidis të cilët dhanë nënshkrimet e tyre në sallën e konferencave të MAShT-it, teksa në sfond shkruhej “Shteti i Dijes”.

Gazeta Jeta në Kosovë  ka gjetur se marrëveshja shtetërore me fakultetin në Greqi ishte përshkuar me parregullsi sikurse në rastin e Demakut dhe po ashtu ishin shkolluar edhe këshilltarët politikë, përkundër që kanë mandat të përkohshëm në institucione publike. Në Shefielld janë shkolluar dhe të afërm të zyrtarëve të lartë publikë.

Arbër Morina, këshilltar i ministrit Buja, ka thënë se nuk  e di sa prej studentëve që kanë studiuar në City College, i kanë përfunduar studimet me sukses dhe sa prej tyre kanë dështuar.

Nga 2009-ta deri në vitin akademik 2013-2014, mbi 200 studentë kosovarë kanë qenë përfitues të këtyre bursave.

Ministria e Arsimit ka ndarë për çdo vit rreth 200 mijë euro, që i bie se janë ndarë rreth 1 milion euro për pesë vjet.

Ligji për Prokurim, në pikën 3 thotë se ligji aktual nuk do të aplikohet për kontratat në lidhje me trajnimet pasuniversitare, apo trajnimet profesionale nga punëdhënësit për zhvillimin e aftësive specifike të punëtorëve individualë.

Gazeta Jeta në Kosovë, në bazë kërkesës për qasje në dokumente publike në Ministrinë e Arsimit, ka gjetur se rreth 50 bursistë që kanë shkuar për studime janë zyrtar publik.

Ministria e Arsimit ka pagur gjysmën e studimeve për 50 bursistët për zyrtarët publik, ku ka ndarë mbi 250 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër të studimeve e ka financuar City College.

Marrëveshja  për shkollimin e zyrtarëve publikë, u bë me arsyetimin e ngritjes së cilësisë në punë nga këta persona, thotë Arbër Morina, këshilltari i ministrit së Arsimit Ramë Buja.

Por në mesin e zyrtarëve publikë si përfitues të bursave gjenden edhe këshilltarët politikë.

Kriteret e konkursit nuk specifikojnë pozitën që duhet ta ketë zyrtari publik-këshilltar politik, apo shërbyes civil.

Por këshilltarët politikë përkundër që janë të obliguar për t’i këshilluar kryeministrin dhe ministrat kur ata kanë nevojë, kanë marrë bursa nga shteti me qëllim të rritjes së efikasitetit të tyre në punë.

Ndërkohë, shërbimi i tyre në institucionet e Kosovës nuk do të ketë jetëgjatësi, pasi mandati i këshilltarëve është i lidhur me mandatin e ministrit, gjë që ua pamundëson praktikimin për kohë të gjatë të mësimeve të marra në universitetin City College.

Elona Cecelia është këshilltare politike në Zyrën e Kryeministrit.

Ajo mban këtë postë nga maji i vitit 2011, ndërsa bursën nga shteti e ka fituar  në vitin akademik 2012-2013.

Cecelia ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me përfitimin e bursës.

Ramadan Gagica është këshilltar i ministrit të Bujqësisë Blerand Stavileci. Edhe ai ka fituar bursë nga Ministria e Arsimit, në vlerë prej 15 mijë eurosh në vitin akademik 2013-2014. Gagica është emëruar si këshilltar politik në zyrën e Stavilecit më 28 shkurt 2011.

Gagica i ka thënë gazetës se pozita e tij nuk ka pasur ndikim, për të përfituar këtë bursë.

“Bursist kam qenë që nga shkolla e mesme…dhe tani edhe në City College”, ka thënë Gagica për Gazetën Jeta në Kosovë. “Suksesi im personal ka ndikuar që unë të fitoj këto bursa”.

Ndërkohë, në kategorinë tjetër të bursave –ato të dedikuara për studime të nivelit bachellor që kanë të drejtë të fitojnë aplikantët që nuk janë të punësuar në institucione- ka dalë të jenë përfitues, të afërm të zyrtarëve publikë.

Një prej tyre është djali i axhës së Arbër Morinës, këshilltarit të ministrit Buja.

Ai është Rinor Morina, i cili këtë bursë e ka fituar në vitin akademik 2011-2012. Këshilltari i ministrit ka thënë se djali i axhës së tij e ka fituar bursën, sepse ka plotësuar të gjitha kriteret dhe jo pse është i afërm i tij.

“Rinori, nuk ka faj pse unë kam qëllu të jem ‘aksidentalisht’ në këtë ministri”, tha këshilltari i Bujës, duke qeshur.

Rinor Morina ende nuk ka dhënë një përgjigje lidhur me këtë.

Fitues i bursës nga Ministria e Arsimit ka qenë edhe Arbër Gashi, djali i ish-rektorit Ibrahim Gashi.

Gashi thotë se i ka plotësuar të gjitha kriteret për të fituar këtë bursë nga shteti.

“Unë kam konkurruar si të gjithë te tjerët dhe i kam plotësuar te gjitha kriteret (notat dhe gjuhën angleze) për të fituar këtë bursë”, i tha gazetës Gashi.

Ibrahim Gashi, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, ka thënë se djali i tij i ka plotësuar të gjitha kriteret për të fituar këtë bursë.

“Arbëri ka konkuruar dhe e ka fituar këtë bursë kur unë ende nuk isha rektor i UP-së”, ka thënë Gashi. “Besoj që kriteri kryesor për pranimin e tij ka qenë niveli i lartë i gjuhës angleze, pasi ai kishte përfunduar edhe shkollën e mesme  në gjuhën angleze, si dhe suksesi shembullor nga shkolla e mesme”.

Gazeta Jeta në Kosovë, vitin e kaluar pati raportuar se si nga këto bursa patën përfituar edhe Skender Xhakaliu, ambasador në Gjermani dhe djali i tij Liridon Xhakaliu.

Më 2009, në kohën e përfitimit të burses, Xhakaliu mbante një pozitë tjetër të rëndësishme. Ishte drejtor i Departamentit të Administratës Qendrore në MAShT.

Bursa e Skënder Xhakaliut për studimet master në menaxhment, e dedikuar për zyrtarë publikë ishte në vlerë prej 7 mijë e 150 eurosh, ndërsa e Liridon Xhakaliut, e dedikuar për studentë të studimeve në fushën e ekonomisë ishte në vlerë prej 11 mijë e 970 eurosh.