Punësimi në Trainkos i të Afërmve të Kryeshefit

Një ndër personat e  parë që shihte Betim Gjoshi, kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike të trenave të Kosovës-Trainkos” sa herë niste orarin e tij të punës ishte asistentja Riga Arifi. 

Riga Arifi është e fejuara e Galdim Bujës, djalit të ministrit të Arsimit Ramë Buja. 

Buja dhe Gjoshi kanë lidhje familjare nëpërmjet bashkëshorteve të tyre prej më shumë se 15 vjetësh. 

Gruaja e kryeshefit të “Trainkosit” e ka hallë gruan e ministrit të Arsimit. Por edhe Buja ia ka “kthyer nderin” kryeshefit, për punësimin e nuses së djalit. Ragip Gjoshi, babai i Betim Gjoshit punon në MASHT. 

Riga Arifi është pranuar në këtë pozitë në mars të vitit 2013, vetëm 6 muaj pasi që Betim Gjoshi u bë kryeshefit ekzekutiv në “Trainkos”, më 1 tetor të vitit 2012.

Ajo ka përparuar në karrierë më 14 shkurt të këtij viti. Me vendim të kryeshefit ekzekutiv është bërë zyrtare e financave. 

“Riga e di që është në pozitën e asistentes, nuk ka pozitë tjetër”, thotë Betim Gjoshi. 

Por, Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar vendimin në të cilin thuhet se Riga Arifi nga asistente e Kryeshefit Ekzekutiv, sistemohet në pozitën zyrtare e financave. 

Gjoshi thotë se Arifi u punësua në pozitën e asistentes pa ndikime të lidhjeve familjare dhe pasi plotësoi kriteret.

 “Unë s’po e disha që Riga është reja e Ramë Bujës, unë e njoh vetëm si Riga Arifi”, u shpreh Gjoshi, duke insistuar se nuk ishte në dijeni se ajo ishte e fejuar me Galdim Bujën, djalin e madh të ministrit të arsimit.

“Riga është duke maxhistruar, ka fakultet të kryer dhe  konsideroj që është punësuar në bazë të kritereve” , shtoi ai.

Arifi ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës,  kurse është duke ndjekur studimet master në kolegjin privat “Globus” në drejtimin Menaxhment. 

Vetëm dy muaj pasi Riga ishte punësuar në “Trainkos”, në një foto të postuar në rrjetin social Facebook gjatë muajit maj, shihet në shoqëri me të fejuarin e saj, Betim Gjoshin dhe gruan e tij, në një ndejë familjare.

Vetë Riga Arifi e pranon se njihej me kryeshefin e “Trainkosit” edhe para punësimit të saj në këtë ndërmarrje. Ajo tregon se Betim Gjoshi e dinte që ishte e fejuara e djalit të ministrit të Arsimit, por insiston se kjo rrethanë nuk ia ka hapur rrugën për punësim.

“Unë jam punësuar në bazë të konkursit, nuk ka të bëjë asgjë me atë se njihem me Kryeshefin”.

Sipas Betim Gjoshit, ai dhe Ministri Ramë Buja, njihen për më shumë se 15 vjet. Këtë njohje dhe miqësi Gjoshi e vlerëson të “paraluftës dhe pasluftës në Kosovë”

 “Po kemi lidhje familjare”, thotë Gjoshi duke shtuar se “nuk është nevoja me e përsëritë, por po, e njoh, e kam mik të largët të familjes tash e 15 vjet”.


Në foto: Riga Arifi me të fejuarin Galdim Buja, Betim Gjoshi me bashkëshorte dhe Burim Ahmeti me bashkëshorte, gjatë një ndeje familjare | Foto: facebook

Punësimi i të afërmit tjetër të Gjoshit

Në ndërmarrjen “Trainkos” nuk është punësuar vetëm Riga Arifi, si e afërme e kryeshefit ekzekutiv Betim Gjoshi, prej se Gjoshi ka ardhur në këtë pozitë.

Burim Ahmeti, një i afërm tjetër i Gjoshit është punësuar në këtë ndërmarrje si vozitës. 

Fillimisht Gjoshi nuk pranoi që ka  lidhje familjare me Ahmetin, duke e mohuar kategorikisht që njihen, përveç në punë.

“Jo s’e kam asgjë”, tha Gjoshi. Por përsëri u tradhtua nga publikimet në Facebook. 

Nga fotot në rrjetin social dokumentohet se bashkëshortet e Gjoshit dhe Burim Ahmetit janë familjarisht të afërme .

Kur u përball me këtë fakt, Gjoshi “hëngri” fjalët e veta. Pohoi lidhjen familjare me vozitësin.

“E kam mik të afërt të familjes, por jo aq të afërt sa ju pretendoni”, tha Betim Gjoshi, duke mohuar se një fakt i tillë ka ndikuar në punësimin e Ahmetit. 

Në Facebook përveç fotove të Riga Arifit e Betim Gjoshit me të zgjedhurit e tyre për partnerë, ka edhe postime ku shihen së bashku kryeshefi i “Trainkosit”, dy të afërmit e tij të punësuar në këtë ndërmarrje dhe ministri Ramë Buja, të shoqëruar edhe nga familjarë të tyre të ngushtë. 

Ministri Buja ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Preteni: Realitet i hidhur

Kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, punësimet familjare nëpër ndërmarrje publike i quan realitet të hidhur. 

“ Fatkeqësisht, ka plot familjarizëm-nepotizëm edhe në këtë kompani, edhe në shumë tjera”, thotë Preteni.

Sipas tij në legjislacionin aktual të vendit është fatkeqësi që ende nuk ka bazë ligjore për këtë situatë. 

Kryeshefi ekzekutiv i “Trainkosit” Betim Gjoshi, më 8 prill nënshkroi Zotimin mbi Respektimin e Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative. 

“Pasi kam lexuar Kodin e Etikës dhe Qeverisjes Korporative, zotohem se e pranoj këtë Kod”, deklaroi atëherë Gjoshi, duke thënë se do të angazhohej që secili i punësuar në “Trainkos” ta zbatojë këtë kod. 

Deklarimi me shkrim i tij është i publikuar në faqen zyrtare të njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike.

Në pikën 10.2 të Kodi të Etikës flitet për të drejtat e njeriut dhe mundësitë e barabarta të punësimit. 

“Ndërmarrja nuk do të përzgjedhë punëtorët të bazuar në ndikimin politik, nepotizmin, ose ndonjë ndikim tjetër të jashtëm apo të brendshëm”, thuhet mes tjerash në këtë pikë.

Ndërkaq në faqën zyrtare të kësaj njësie figuron deklarimi i kryetarit të bordit Hasan Ibraj se “ Anëtaret e Bordit të Drejtorëve dhe Zyrtarët e Lartë të Hekurudhave të Kosovës “Trainkos” Sh.A nuk kanë të deklaruar konflikt interesi”. 

Ramadan Sejdiu, drejtuesi i njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike, përkundër që i raportohet atij lidhur me këto çështje pohoi se nuk i përket këtij mekanizmi të shqyrtojë konfliktin e interesit. 

“I vetmi organ legjitim për përcaktimin e konfliktit të interesit është Agjencioni Kundër Korrupsionit”, tha Ramadan Sejdiu, drejtor i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publikë që operon në kuadër të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik.