MPMS-ja Ndalon Pensionet e Pensionistëve të Gjallë

Avdyl Bajrës pensionistit 71 vjeçar nga Skenderaj i duhet për çdo 6 muaj të paraqitet në zyrat e Departamentit të Pensionit (DP) në Skenderaj për t’ua vërtetuar se është ende gjallë.

Ndonëse Bajra ec më shumë vështirësi pasi njërën këmbë e ka të palëvizshme, duhet të lajmërohet patjetër në këto zyra, sepse ndryshe do të mbetet pa pension. Janë dy djemtë e tij të cilët me vështirësi e futin 71 vjeçarin në veturë, për paraqitjen e obliguar.

Ndryshe nga Bajra, Shyqerije Lila është pensionistja 76 vjeçare të cilën pasi e kishte zënë 2014-a pa u paraqitur në këto zyra, nuk kishte arritur ta marrë pensionin për tre muaj rresht, ndonëse i takon e drejta e shfrytëzimit të pensionit.

“Për shkak të sëmundjes nuk kam mundur të lajmërohem në entin social me 1 tetor. Vajzës sime e cila është paraqitur me 8 janar për mua, i kanë thënë që nuk mund ta marrë pensionin për tre muajt e fundit pasi ka ardhë ligji i ri”, ka thënë Lila.

Ajo ka thënë të mos e ketë marrë pensionin që nga tetori i 2013-ës dhe se me udhëzimin e ri nuk i lejohet për gjashtë muaj të marrë pension në mënyrë retroaktive.

Një maltretim të tillë pensionistëve në Kosovë është duke ua bërë një vendim i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, që hyri në fuqi që nga 7 janari i këtij viti.

Udhëzim administrativ për lajmërimin, suspendimin, riaktivizimin dhe ndërprerjen e pagesave për pensionet themelore pas vdekjes së pensionistit,  i detyron pensionistët që për çdo gjashtë muaj të lajmërohen në zyrat e Departamentit të Pensionistëve, për të vërtetuar nëse ata janë ende në jetë. Në rast të moslajmërimit të tyre, atëherë ata ndëshkohen me anulim te pensioneve deri në paraqitjen e radhës në zyrat e Departamentit.

“Nëse shfrytëzuesi i pensionit themelor nuk lajmërohet në Zyrën Rajonale të DP-së…, ai do të suspendohet nga pagesa e mëtejme  e pensionit”, thuhet në nenin 8 të rregullores së MPMS-së.

Ministria me këtë rregullore ka menduar edhe për ata pensionistët që nuk kanë mundësinë  e lajmërimit me kohë në këto zyra, ndonëse ata janë ende gjallë.

Sipas rregullores, nëse pensionistët nuk lajmërohen brenda periudhës gjashtëmujore përkatësisht deri me 15 dhjetor, atyre përveç që do t’u ndalen pensionet për këtë periudhë, nuk do të kenë të drejtën t’i marrin pensionet e humbura. Ndërkaq,  marrjen e pensioneve të humbura do ta bëjnë vetëm prej muajit kur kanë riaplikuar dhe janë paraqitur në këto zyra, nëse kjo ndodh deri para 15 dhjetorit.

E në rast se pensionistët i zë viti i ri pa u lajmëruar në këto zyra, atëherë ata humbin të drejtën për t’i marrë pensionet e muajve të mëparshëm.

Kajtazi: Pensionistët po maltretohen

Lidhja e Pensionistëve të Kosovës e cilëson këtë rregullore si maltretim për këtë kategori të shoqërisë. Sipas Shaban Kajtazit, kryetarit të kësaj shoqate, me këtë rregullore po goditen direkt pensionistët.

“Metoda e tillë që pensionistët të lajmërohen çdo gjashtë muaj i shkel të drejtat themelore të njeriut dhe është diskriminuese”, thotë Kajtazi.

 Ai shton më tej se pensionistët nuk mund të lajmërohen te këto zyra, jo pse nuk dëshirojnë, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, nuk dinë, ose harrojnë kohën kur duhet të paraqiten.

Por në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e kanë mbrojtur udhëzimin e ri administrativ që sipas tyre është hartuar sipas standardeve më të mira.

“Udhëzimi administrativ që ka hyrë në fuqi që nga 7 janari është bërë për t’i ndaluar manipulimet që kanë bërë disa, edhe pasi pensionistët kanë vdekur”, thotë Minire Bega nga Departamenti Ligjor i MPMS-së.

Ajo mendon të mos jetë maltretim për pensionistët të lajmërohen në këto zyra, përderisa ata edhe mund të lëvizin pa problem. Ndërsa për ata pensionistë që nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, Bega shpjegon se zyrtarët e DP-së shkojnë nëpër shtëpitë  e tyre për të parë nëse ata ende jetojnë.

Por, përkundër deklaratave të tilla të Begës, diçka e tillë nuk është paraparë me udhëzimin e ri administrativ.  Në MPMS kanë deklaruar që udhëzimi i ri administrativ nuk pritet të ndryshohet e as të plotësohet, përkundër pakënaqësive të pensionistëve.

“Është udhëzimi i ri dhe nuk do të ketë plotësim apo ndryshim tjetër siç është potencuar në kërkesën tuaj.Ky udhëzim do të zbatohet ashtu siç i ka paraparë kriteret dhe procedurat”, thuhet në shpjegimin e Departamentit Ligjor të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale.

Kurteshi: Udhëzimi i pafavorshëm për pensionistët

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, duke komentuar këtë udhëzim ka gjetur vërejtje dhe nuk e ka parë si të favorshëm për pensionistët. Sipas tij një formë e tillë e lajmërimit të pensionistëve çdo gjashtë muaj duhet ndryshuar, pasi kështu siç është tani nuk është në rregull.

“Duhet të shihen alternativa të tjera, të cilat janë të aplikueshme, e jo në këtë mënyrë, pasi kjo nuk është në rregull”, thotë Kurteshi.

Sipas tij kjo duhet rregulluar nëpërmjet institucioneve.

“Kjo duhet të rregullohet nëpërmjet komunës si dhe institucioneve të tjera përkatëse, pasi nuk është e drejtë që pensionistët të lajmërohen për çdo gjashtë muaj në ent”, vazhdon Kurteshi.

Rregullorja në fjalë ua mohon të drejtën e gëzimit të pensioneve shumë personave që kanë kaluar moshën 64 vjeçare, por që për arsye të ndryshme nuk mund të lajmërohen në zyrat përkatëse.

Këtu hyjnë pensionistët që gjenden jashtë vendit, por kanë shtetësi kosovare, pensionistët të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ose edhe ata pensionistë të cilët nuk kanë mundësi transporti dhe ndihme nga dikush tjetër për t’u lajmëruar.

Për tre vjet tre udhëzime administrative për pensionistët

Një vendim i tillë për pensionistët ekzistonte edhe më herët, por që me udhëzimin administrativ të 2012-ës ishin larguar pjesët që përbënin diskriminimin, për t’i kthyer edhe një herë pjesët diskriminuese, me rregulloren e re të 2013-ës, e cila u fuqizua me 7 janar.

Në udhëzimin administrativ 11/2010 në nenin 7 kanë qenë tre paragrafë të cilat përbënin diskriminim për pensionistët që ishin gjallë, por që për shkak të pamundësisë së lajmërimit, ata nuk i merrnin pensionet.

Në paragrafin e dytë të nenit 7 të këtij udhëzimi thuhej që pensionistët janë të obliguar të lajmërohen të paktën dy herë në vit në zyrat e Departamentit të Pensionistëve. Ndonëse ka pensionistë të cilët nuk arrijnë të lajmërohen me kohë, atyre me këtë rregullore u humbisnin pensionet, nëse i zinte viti i ri kalendarik.

“Pagesa retroaktive për 6 muaj mbrapa do të bëhet vetëm nëse pensionisti lajmërohet brenda vitit kalendarik buxhetor nga 01 janari deri më 15 dhjetor”, thuhej në nënparagrafin 5.3 të nenit 7 të kësaj rregulloreje.

Por, një udhëzimi tjetër i nxjerrë para dy vjetëve, i cili kishte plotësuar dhe ndryshuar udhëzimin paraprak, kishte larguar nenet të cilat ishin konsideruar si problematike.

Tash me këtë udhëzim nuk ishin pensionistët të cilët kishin obligim të paraqiteshin në zyrat e DP-së për t’u lajmëruar që janë gjallë e për ta vazhduar pensionin, por këtë detyrë e kishin zyrtarët e Departamentit të Administratës Pensionale.

“Zyrtari i DAP-së është i detyruar të bëjë evidentimin e lajmërimit të pensionistit se a është gjallë në jetë, duke nënshkruar kartelën e lajmërimit dhe duke vazhduar pagesën e pensionit.Përgjegjësia për saktësinë  e të dhënave bie mbi zyrtarin i cili vendos të dhënat në sistemin integrues informativ”, thuhej në nenin 2 të këtij udhëzimi administrativ.

Neni 7 i udhëzimit të mëhershëm që i obligonte pensionistët të lajmërohen ishte fshirë, bashkë me paragrafët e tij të cilët ua ndalonin pensionistëve marrjen e pensioneve, nëse ata nuk lajmëroheshin dy herë në vit, ose pa u lajmëruar i zinte viti i ri kalendarik.

Pas dy udhëzimeve administrative ku ai i viti 2010 paraqiste problem dhe ai i 2012-ës i fshinte nenet problematike, u rikthye edhe një herë çështja e lajmërimit të pensionistëve.

Tash kjo u bë me udhëzimin e ri administrativ  15/2013.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ndryshimet, hartimin e tërësishëm të një rregulloreje të re, thonë ta kenë  bërë me qëllim të rritjes së transparencës, pasi me udhëzimin administrativ të 2012-ës shumë familjarë i kanë keqpërdorur  pensionet e pensionistëve të cilët kishin ndërruar jetë.

“Zyrtarët kanë shku për t’i vizituar ata pensionistë që nuk kanë pasur mundësinë e levizjes. Ndërsa udhëzimin e ri administrativ e kemi kthyer me qëllim të eliminimit të keqperdorimeve familjare”, thotë Minire Bega nga Departamenti Ligjor i MPMS-së.

“Dispozitat e këtij udhëzimi, kanë për qëllim rregullimin dhe përcaktimin e procedurave të evitimit dhe eliminimit të keqpërdorimeve të familjeve, lidhur me pagesat e pensioneve themelore dhe pensioneve kontributpaguese pas vdekjes së shfrytëzuesit të pensionit, si dhe lajmërimin, suspendimin, riaktivizimin, riaplikimin e pensionisteve të ndërprerë”, thuhet në një përgjigje të shkruar nga MPSS-ja.