Haradinaj e Limaj: Fonde jo Transparente që Rrisin Dyshimet

Qeveria e Kosovës nuk ka paguar asnjëherë drejtpërdrejt për të ndihmuar mbrojtjen e gjashtë ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. E vetmja pagesë zyrtare është ajo prej 16.750 eurosh për organizimin e mirëseardhjes për disa nga të akuzuarit e liruar.

Por dy nga të akuzuarit më të shquar, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët pas luftës i hynë politikës dhe mbajtën pozita të larta, kanë marrë shuma të mëdha nga fonde private të mbyllura, që ishin themeluar për t’i mbështetur ata në Hagë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka hulumtuar rrjedhjen e parave në fondet e themeluara për kryeministrin e pasluftës Ramush Haradinaj, i cili është aktualisht kreu i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-ministrin e Transportit Limaj, i cili aktualisht është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Llogaritjet e Gazetës Jeta në Kosovë sugjerojnë se fondi i Haradinajt kishte mbledhur mbi 1.5 milionë euro, ndërsa ai i Limajt rreth 212,000 euro, bazuar në të dhënat e raportuara.

Nuk dihet saktë se sa është shuma totale që kanë mbledhur të dy fondet.


Fatmir Limaj | Foto: Gazeta Jeta në Kosovë

Premtimet publike për Limajn

Limaj, Isak Musliu dhe Haradin Bala ishin ish-luftëtarët e parë të UÇK-së që u akuzuan nga ICTY-ja pas luftës.

Në janar të vitit 2003, Tribunali i akuzoi ata nën dyshimin se kishin marrë pjesë në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që kishte për qëllim frikësimin, sulmin dhe vrasjen dhe burgosjen e civilëve serbë dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë që kishin refuzuar të bashkëpunonin, ose i kishin rezistuar UÇK-së.

Limaj dhe Musliu u liruan nga të gjitha akuzat në shtator të viti 2007, ndërsa Bala u dënua me 13 vjet burgim.

Fillimisht të tre të akuzuarit aplikuan për ndihmë ligjore që ICTY-ja u ofron të pandehurve që nuk kanë mundësi financiare, por situata për Limajn ndryshoi, kur një sasi e madhe e parave u mblodhën përmes thirrjeve telefonike të publikut, e cila gjë ishte reklamuar në televizionet e Kosovës, duke u bërë thirrje qytetarëve të dhurojnë të holla për të ndihmuar mbështetjen e heroit të tyre.

Gazeta Jeta në Kosovë nuk mundi të vërtetojë se nga kush organizohej mbledhja e fondeve.

ICTY-ja fillimisht caktoi avokatin britanik Karim Khan si avokatin e Limajt në mars të vitit 2003, por anuloi këtë pas disa muajsh, me arsyetimin se “shuma totale e mbledhur nga fondi [Limaj] deri më 8 tetor të vitit 2003 është më se e mjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet e mbrojtjes për pjesën e mbetur të fazës paraprake”.

Në vendimin e saj, gjykata citoi një njoftim për shtyp nga Zyra Koordinuese për Mbrojtjen e Fatmir Limajt, e cila tha se fondi i kishte mbledhur 291,594.92 dollarë [rreth 212,000 euro].

Por, në korrik të vitit 2004, mbrojtja e Limajt aplikoi përsëri për ndihmë juridike, duke e dorëzuar një deklaratë të re financiare e cila pretendonte se fondi “ishte shpenzuar dhe nuk është më në dispozicion për të paguar mbrojtjen e tij”.

Pas analizimit të gjendjes financiare të Limajt, stafi i ICTY-së vendosi se “i akuzuari ka të drejtë të pjesshme për ndihmë juridike” dhe u pajtua që të paguajë gjysmën e shpenzimeve të tij për pjesën e mbetur të gjykimit.

Por, dyshimet rreth mënyrës se si ishin ngritur burimet e fondit të Limajt në Kosovë, filluan pasi Karim Khan mbeti avokat i tij në dy raste tjera pas lirimit të tij nga Haga, në rastin e krimeve ndaj të burgosurve në kampin e Kleçkës dhe rastin e korrupsionit në Ministrinë e Post-Telekomunikacionit të Kosovës.

Edhe pse fondi ishte mbyllur, Limaj ende kishte para për të paguar tre avokatë, avokatin britanik Khan dhe dy avokatët tjerë shqiptarë, Tomë Gashin dhe Tahir Rrecajn.

Pagesat e tyre nuk janë bërë kurrë publike.

Aktakuza e prokurorit të BE-së në rastin e korrupsionit në Ministrinë e Transportit, e ngritur në nëntor të vitit 2012, pohonte se paratë që Limaj kishte paguar për avokatin Khan në rastin Kleçka mund të ishin mbledhur në mënyrë të paligjshme.

“Kur u pyet [Limaj] lidhur me shumën prej 17,000 eurosh që i janë paguar Karim Khan më 2010, në arsyetimin e tij në lidhje me pagën mujore, Limaj deklaroi që Prokuroria “ka pasur qasje të plotë në llogaritë bankare dhe të gjitha faktet mund t’i gjeni në deklaratat bankare”, thuhet në aktakuzë.

Endrit Shala, ish-shef i kabinetit të Limajt gjatë kohës sa ishte ministër dhe koordinator i ekipit të mbrojtjës në rastet gjyqësore në Kosovë, deklaroi se fondi për mbrojtje në Hagë ishte transparent.

“Fondi ka qene transparent, fondi ka qene publik dhe është përdorur për mbrojtjen e zotit Limaj në Hagë”, tha Shala.

Megjithatë, Shala nuk mundi të konfirmonte se sa ishte shuma e saktë e fondit për mbrojtjen e Limajt në Hagë, me arsyetimin se tashmë kanë kaluar 7 vjet dhe se nuk i kujtohet.


Ramush Haradinaj | Foto: Petrit Rragmani

Rrjedhja e keshit në rastin Haradinaj

Në rastin tjetër të madh të Kosovës në ICTY, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ishin akuzuar në mars të vitit 2005 për krime lufte ndaj civilëve.

Ndryshe nga të bashkakuzuarit e tij, Haradinaj nuk kishte aplikuar për ndihmë juridike, por kishte siguruar fonde përmes thirrjeve publike si Limaj.

“Qeveria e Kosovës duhet të kishte kontribuuar me të gjitha mundësitë që kishte në mbështetje të ish-shokëve tanë”, thotë Muharrem Xhemajli, nga Shoqata e Veteranëve të Luftës

Në maj të vitit 2005, dy anëtarë të partisë së tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Jahja Lluka dhe Et’hem Çeku, themeluan Komitetin për Mbrojtjen e Ramush Haradinajt dhe hapën një llogari bankare për njerëzit që dëshironin të dhuronin para.

Përsëri, u përdor sistemi i donacionit me telefon, i cili u reklamua mjaft shumë në televizionet e Kosovës.

“Por, dy personat e tjerë të cilët ishin më pak të njohur nuk mund të përdornin sistemin e telefonatave publike, prandaj iu desh të pajtohen me mbrojtje më të dobët”, tha Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Kosovës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“Derisa për Haradinajn ishte e lehtë të siguroheshin të holla, kjo ishte shumë më e vështirë për të akuzuarit tjerë. Ishte diskriminim i pastër, ndërsa ne e kemi kritikuar këtë fenomen duke i kërkuar qeverisë të marrë përsipër shpenzimet e nevojshme për mbrojtjen e të akuzuarve”, tha Shala.

Fondi Haradinaj shpejt u vu nën hetim dhe tre persona u akuzuan për korrupsion në lidhje me metodat e tij.

Jahja Lluka nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Milazim Abazi, drejtor i bankës Kasabank dhe Hashim Sejdiu, menaxher i degës së Kasabankës në Prishtinë, u akuzuan për deklarim të rrejshëm të raporteve, pranimit të paligjshëm të kontributeve dhe mosdeklarimit të transaksioneve bankare.

Abazi dhe Sejdiu u liruan në vitin 2010, por Lluka u shpall fajtor dhe u gjobit me 10,000 euro dhe 10 muaj burg me kusht, e cila u reduktua në nëntë muaj pas apelit.

Gjykata gjeti se nga gushti i vitit 2005 deri në nëntor të vitit 2006, Lluka kishte depozituar mbi 1.5 milionë euro në fondin Haradinaj përmes një serie transaksionesh të ndryshme në Kasabank.

Por ashtu, si në rastin Limaj, llogaritë bankare nuk ishin bërë publike për të siguruar donatorët se paratë e tyre ishin shpenzuar si duhet.

Edhe pse emrat e njerëzve që kontribuuan në fondin e Haradinajt nuk janë bërë publik, Behxhet Shala tha se ishte i bindur se “disa biznesmenë që kontribuuan financiarisht në këtë fond, janë shpërblyer më vonë përmes tenderëve, ose favoreve tjera financiare”.

Propaganda emocionale për të mbrojtur çlirimtarët e kombit nga koha e luftës, nxiste njerëzit të dhuronin para në këtë fond, i cili vuante nga “mungesa e transparencës”, tha Nora Ahmetaj, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim.

“Publiku ishte i prirë të sensibilizohej përmes diskursit nacionalist, për të dhënë para për mbrojtjen e Limajt, Haradinajt dhe të tjerëve”, tha Ahmetaj.

“Por, publiku asnjëherë nuk mësoi se ku shkuan ato fonde dhe sa para janë shpenzuar me të vërtetë. Askush nuk ishte përgjegjës për sasinë e parave të mbledhura dhe daljen e këtyre fondeve”, tha ajo.

Në prill të vitit 2008, Haradinaj dhe Balaj u liruan nga të gjitha akuzat, pas një gjykimi trevjeçar. Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burgim për trajtim mizor dhe tortura.

Pas tij, pasoi një rigjykimi i pjesshëm, i cili përfundoi me shpalljen të pafajshëm të tre të akuzuarve në fjalë, në nëntor të vitit të kaluar.


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës | Foto: Korab Basha

Qeveria nuk pagoi  

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, qeveria e Kosovës nuk i ka mbështetur financiarisht ish-luftëtarët e UÇK-së, gjersa ata gjykoheshin në ICTY.

Në korrik të vitit 2003, qeveria vendosi të “bëjë një kërkesë në Këshillin Ekonomik dhe Fiskal për të siguruar para për fondin e mbrojtjes së të akuzuarve nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë”, thuhet në një dokument të parë nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Një kërkesë e ngjashme ishte bërë në mars të vitit 2005 nga ish-kryeministri Bajram Kosumi.

Qeveria vendosi të “krijojë një komitet për ndihmë profesionale, ligjore dhe financiare në procesin e Tribunalit të Hagës për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj”.

Megjithatë, sekretari i përhershëm i qeverisë, Fitim Krasniqi tha se “këto vendime nuk u zbatuan kurrë”.

Disa kanë pohuar se organet e qeverisjes në mënyrë të paligjshme dhe fshehurazi kanë bërë donacione në fondin Haradinaj.

“U përmend disa herë se ishin bërë telefonata në Fondin Haradinaj nga institucionet e Kosovës”, tha Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv në Qendrën për të Drejtën Humanitare.

Por akuza të tilla nuk janë provuar kurrë.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga AAK-ja e udhëhequr nga Ramush Haradinaj që të lejojë qasje në dokumentet që ndërlidhen me fondin për mbrojtje në Hagë.

“Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës si subjekt politik nuk ka qenë e kyçur as në gjenerimin e as në menaxhimin e fondit për mbrojtjen e Kryetarit Haradinaj. Ai fond ka qenë privat dhe nuk i është nënshtruar vendimmarrjes politike në AAK”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryetarit të AAK-së.

Mbështetja e vetme zyrtare e Kosovës për të pandehurit e Hagës, erdhi në dhjetor të vitit 2012, kur qeveria vendosi të ndajë 16.750 euro për të “organizuar mirëseardhjen e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij të liruar nga Tribunali i Hagës”.

Muharrem Xhemajli, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, tha se shteti duhet të kishte bërë më shumë për të mbështetur financiarisht Haradinajn dhe Limajn.

“Disa herë e kemi shprehur nevojën se shteti dhe jo organizatat apo personat privatë, duhet të merren me këtë çështje në mënyrë që të parandalohet keqadministrimi ose manipulimet e mundshme”, tha Xhemajli.

“Qeveria e Kosovës duhet të kishte kontribuuar me të gjitha mundësitë që kishte në mbështetje të ish-shokëve tanë”, insistoi ai.

Përderisa të pandehurit e ICTY-së ishin cilësuar gjithandej si heronj dhe paratë ishin derdhur për lirinë e tyre, viktimat e luftës ishin harruar, tha Blakaj nga Qendra për të Drejtën Humanitare.

“Kurrë nuk kam dëgjuar për një rast, në të cilin viktimat u dëmshpërblyen. Publiku nuk njeh viktimat dhe në fakt ai nuk është i interesuar t’i njohë ato”, tha Blakaj.

“Në shumicën e rasteve, të akuzuarit kanë rolin kryesor dhe në fund ata janë të lëvduarit”, përfundoi ai.

Si i paguan ish-vendet jugosllave të akuzuarit për krime lufte

Ish-shtetet jugosllave kanë shpenzuar gati 40 milionë euro të parave publike në mbështetje të të akuzuarve për krime lufte në gjykatën e Tribunalin e Hagës, zbulon një hulumtim i BIRN-it.

Lexoni hulumtimet e bëra nga Drejtësia Transiziconale në Ballkan në linqet e mëposhtme:

Maqedoni– Shuma që qeveria maqedonase ka dhënë në mbështetje për dy të akuzuarit e saj për krime lufte nga Gjykata e Hagës, ish-ministrit të Brendshëm Lube Boshkovski dhe policit Johan Tarçullovski, është ndoshta sekreti më i madh në vend.

Bosnja– Të dyshuar serboboshnjakë për krime lufte kanë marrë 640 mijë euro nga paratë e shtetit dhe para tjera nga fonde private, përderisa boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës nuk kanë marrë asgjë.

Kroacia– Janë shpenzuar më shumë se 28 milionë euro për mbrojtjen e tre gjeneralëve të akuzuar për krime lufte, ndërsa para të tjera janë mbledhur përmes një fondi privat.

Serbi– Beogradi ka shpenzuar rreth 1.7 milionë euro në mbështetje të akuzuarve të Serbisë nga Tribunali i Hagës, por një shumë e këtyre parave në fakt shkuan për serboboshnjakë që kanë shtetësi serbe.