Në Kërkim të Kompensimit

Një objekt dykatësh në rrugën Hamëz Jashari në Ferizaj u rrënua nga autoritetet komunale më 2009. 

Komuna bëri zgjerimin e rrugës dhe një vit pas rrënimit bëri marrëveshje me pronarin e objektit për kompensim me objekte tjera.

Lokali hotelier i rrënuar, i përkiste Naser Mustafës që thotë se fitonte nga 1 mijë euro në muaj nga lëshimi i tij me qira. 

Mustafa ende nuk është kompensuar nga Komuna e Ferizajt. 

Shkas është bërë nxjerrja e një vendimi nga ish- kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli.

Vendimi i nxjerrë nga Xhemajli, nuk ka numër protokoli dhe as këshillë juridike. 

Mustafa, pronari i objektit, thotë se nuk është njoftuar për nxjerrjen e këtij vendimi nga komuna e Ferizajt.

Xhemajli më 16 shkurt 2010, nxori vendimin nëpërmjet të cilit anulonte marrëveshjen e komunës me qytetarin Mustafa, të lidhur më 14 janar 2010.

“Vlerësimi i pronës i ofruar sipas procesverbalit 03 nr. 465-07, të datës 14.01.2010, është i papranueshëm për arsye se nuk ka bazë mbi të cilën është vlerësuar prona. Procedura e kompensimit do të vazhdojë pas vlerësimit të pronës”, thuhet në vendimin e Xhemajlit të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.  

Marrëveshja parashihte që Mustafa të kompensohej me tre lokale në qendër të Ferizajt.

Marrëveshja ishte nënshkruar mes qytetarit Naser Mustafa dhe Jahir Zukës, i autorizuar i kryetarit të komunës, Bajrush Xhemajlit.


Naser Mustafa

Mundësia e rihapjes së hetimeve  

Qytetari Naser Mustafa, për mosekzekutim të marrëveshjes së lidhur me komunën, kishte njoftuar organet e drejtësisë. 

Prokuroria kishte nisur hetimet dhe kishte mbyllur ato. 

Por, Mustafa ka dorëzuar më pas në prokurori vendimin e nxjerrë nga ish-kryetari Xhemajli. 

Prokurorja e rastit, Florije Salihu-Shamolli, konfirmoi se hetimet mund të rihapen, për shkak se pala e dëmtuar ka ofruar prova të reja.

“Në ndërkohë pala e dëmtuar ka prezantuar një dokument shtesë, (vendimin e ish-kryetarit Xhemajli).  Kemi konsideruar se është e nevojshme mbledhja e informatave të reja, për çka i është dhënë autorizimi njësitit të hetimeve të krimeve ekonomike”, ka deklaruar prokurorja Salihu-Shamolli. 

“Pasi që të pranojmë rezultate nga ana e tyre (njësisë për krime ekonomike) dhe pas analizimit të tyre ne do të shikojmë se a ka elemente të veprës penale në fjalë dhe do të vendosim për këtë rast”, shton prokurorja. 


Ajet Musliu

Xhemajlit nuk i kujtohet rasti i Mustafës 

Ish-kryetari Xhemajli i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, deklaroi se në kohën e tij ka rrënuar shumë objekte dhe se nuk mund të flasë për raste specifike. 

Ai nuk deshi të komentojë zhvillimet që ndërlidhen me vendimin e marrë në shkurt të vitit 2010.

“Të ju  them të drejtën, shumë objekte kamë rrënuar gjatë mandatit tim, nuk më kujtohet mirë rasti. Kompetente është drejtoresha e Urbanizmit, Qazime Vata, sepse edhe atëhere çdo veprim e kam marrë në konsultim me të”, tha Xhemajli, duke mos dhënë detaje tjera me arsyetimin se nuk i kujtohet ky rast. 

Xhemajli dha dorëheqje nga posti i kryetarit të komunës më 20 mars të vitit 2012. Ai kishte ndërmarrë këtë veprim pas konfirmimit nga Gjykata Supreme të dënimit të shkallës së parë me 2.5 vjet burgim si shkaktar i  aksidentit rrugor, më 21 maj 2009, ku kishte mbetur i  vdekur një i ri.

Ai udhëhoqi Ferizajn që nga vitit 2007 kur u mandatua si kryetar komune.

Gazeta Jeta në Kosovë, kontaktoi drejtoreshën e Drejtorisë për Urbanizëm, Pronë, Gjeodezi, Kadastër dhe Mjedis, Qazime Vatën. 

“Sektori i Kadastrit nuk mund të zbatojë këtë marrëveshje pa vendimin përfundimtar të Kryetarit të Komunës për kompensim, ashtu siç e parasheh edhe Ligji për Shpronësim”, deklaroi Vata.

“Organ Shpronësues i Komunës është kryetari i Komunës, përveç nëse Kuvendi Komunal i Komunës përkatëse, përmes një akti të miratuar në përputhje me nenin 12 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, cakton një Autoritet tjetër Publik Komunal për të vepruar në cilësinë e Organit Shpronësues të Komunës”, thuhet në Ligjin për Shpronësim. 

Ndërsa koordinatori i Drejtorisë së Urbanizmit, Pronës dhe Kadastrit, Ajet Musliu, tha se me këtë rast është duke u marrë zyra ligjore.

“Është arritur marrëveshja në mes ish-pronarit dhe të autorizuarit të kryetarit.  Me këtë marrëveshje është duke u marrë Sektori i Shërbimeve Juridike, Ligjore dhe Administrative i Komunës së Ferizajt”, deklaroi Musliu, duke iu  referuar marrëveshjes së lidhur mes palëve, në janar të vitit 2010.

Zyrtari ligjor i Komunës, Jahir Zuka, ka qenë i autorizuari i kryetarit Xhemajli, për nënshkrimin e marrëveshjes me qytetarin Naser Mustafa, për caktimin e kompensimit të pronës të lidhur me marrëveshje.

“Po unë kam qenë i autorizuar i kryetarit, edhe e kam nënshkruar atë marrëveshje, pse nuk është kry kjo lëndë unë me të vërtetë nuk e di. Organi kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshjeje është Drejtoria e Urbanizmit” tha zyrtari ligjor i komunës, Jahir Zuka. 

Ai thotë se nuk është në dijeni të nxjerrjes së vendimit për anulimin e kësaj marrëveshjeje nga ish-kryetari Xhemajli.

Sipas, zyrtarit ligjor, për ekzekutimin e kësaj marrëveshjeje është kompetente Drejtoria e Urbanizmit. 

Megjithatë, drejtoresha e Urbanizmit Qazime Vata thotë se i takon kryetarit që të nxjerrë vendim përfundimtar për t’u ekzekutuar marrëveshja. 

“Në njëren anë kemi marrëveshjen e lidhur mes palëve, e në anën tjetër është vendimin e kryetarit për anulim. Në këtë rast duhet që kryetari i komunës të nxjerrë një vendim përfundimtar për rastin. Pa këtë vendim unë nuk mund të vendosi për këtë rast”, thotë Vata. 


Qazime vata

Kompensimi i kërkuar nga Mustafa  

Avokati Fatmir Bajraktari, thotë se për këtë rast e kanë njoftuar edhe kryetarin në largim Agim Aliun.

“Kemi marrë vetëm premtime, të cilat nuk janë realizuar asnjëherë”

Gazeta Jeta në Kosovë  kërkoi  intervistë nga kryetari në  largim i Ferizajt, Agim Aliu, mirëpo ai  autorizoi avokatin publik komunal Adem Aliun për të dhënë përgjigje rreth kompensimit të pronës së qytetarit Naser Mustafa.

“Kjo marrëveshje është në kompetencë ekskluzive të Drejtorisë së Urbanizmit, në këtë rast është dashur të veprojë drejtoresha Qazime Vata, së bashku me koordinatorin Ajet Musliu. Nuk ka nevojë që kryetari të lëshojë vendim përfundimtar për këtë rast, përderisa ekziston marrëveshja”, tha avokati komunal, Adem Aliu.

I dëmtuari Naser Mustafa, thotë se deri në kohën kur komuna i kishte rrënuar objektin, nga lokali kishte marrë qera mujore në vlerë prej 1 mijë eurosh. 

Tani kanë kaluar tre vjet dhe akoma nuk është kompenzuar me lokalet  të cilat ia kishte ndarë vetë komuna. 

Duke parë se me komunën nuk po mund të gjejnë zgjidhje, avokati Bajraktari, thotë se ka zgjedhur rrugën gjyqësore. 

Ai në muajin nëntor të këtij viti ka bërë padi në Departamentin për Çështje Administrative pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës, për realizimin e kompensimit të pronës së qytetarit Mustafa.

“Ne kemi bërë padi ndaj komunës së Ferizajt për heshtje administrative, pranë departamentit përkatës për çështje administrative, lënda veq është evidentuar, vetëm se duhet të presim derisa t’i vie radha kësaj padie dhe të bëhet shqyrtimi i saj nga ana e kolegjit të gjykatës përkatëse. Jemi të bindur se e drejta është në anën e qytetarit Mustafa”. tha avokati Bajraktari.


Fatmir Bajrami

Nga ana tjetër avokati publik komunal, Adem Aliu, e rithekson se përgjegjëse për zbatimin e kësaj marrëveshjeje është Drejtoria e Urbanizmit, ndërsa drejtoresha e Urbanizmit Qazime Vata, e fajëson kryetarin e komunës për mosnxjerrje të një vendimi përfundimtar. 

Për gjithë këtë, Avokati Publik Komunal i Ferizajt, thotë se dikush do të japë përgjegjësi para organeve të drejtësisë.

“Pse heshtet në këtë rast unë nuk e di, mirëpo duhet të merren masa ndaj atyre që heshtin. Kush ka bërë shkelje, do të përgjigjet për këto veprime, këtë po e them në emër të kryetarit Aliu, sepse ashtu edhe jam i autorizuar të them. Dikush do të përgjigjet për këtë rast”, tha avokati komunal Adem Aliu.

Kërkesa e qytetarit Mustafa është që të zbatohet marrëveshja e arritur me komunën, pos kësaj ai kërkon edhe fitimin e humbur.

“Po, kjo marrëveshje duhet të realizohet, lokalet që komuna m’i ka ndarë në qendër të Ferizajit, duhet të më jepen. Nëse nuk u pëlqen marrëveshja, le ta kthejnë pronën në gjendjen e mëparshme. Përndryshe, fitimi im i humbur vetëm nga qiraja, kapë shifrën rreth 40 mijë euro”, thotë Mustafa. 


Adem Aliu