Korisha-Fshati që Qeverisë Veten

Gjethet e rëna të vjeshtës në katundin Korishë të Prizrenit nuk shihen shumë. Ato pastrohen rregullisht nëpër të gjitha hapësirat e përbashkëta, nga katër punëtorët të cilët i paguan dhe i ka punësuar vetë fshati. 

Një lapidar i lartë me figurat e gjashtë dëshmorëve të Korishës, i rrethuar me ulëse, beton e bar të mbjellë, zë qendrën e vendbanimit, ku formohet një rrethrrotullim.

Vetëm disa metra më tutje është shtëpia një katëshe e një familjeje,me gjendje të rëndë sociale, e cila është ndërtuar kryesisht me paratë e fshatarëve. Kurse në lagjen e Zekëve janë shtruar 1 mijë metra asfalt, me financim të plotë nga banorët e Korishës. 

“Dikush më ka ndihmuar me para, dikush me mjete pune, me material dhe me punë krahu. Kështu është përfundu kjo shtëpi. Por edhe komuna më ka dhënë 5 mijë euro”, thotë Kamet Bobaj, pronari i shtëpisë së ndërtuar nga zemërgjerësia.  

Ai nuk dëshiron t’u bëhet barrë bashkëfshatarëve dhe mundohet që nëpërmjet produkteve plastike që mbledhë rrugëve, ta sigurojë mbijetesën ekonomike. 

Shtëpia e ndërtuar me pjesëmarrje të banorëve të fshatit

Punëtorët hapin edhe varre

Korishasit, nuk presin ndërhyrjen e komunës kur diçka prishet ose nuk funksionon në fshat. 

Pastrimi i rrugëve, reduktimi i ujit, rregullimi i lapidarit, mirëmbajtja e varrezave, hapja e varreve të reja, mirëmbajtja e xhamisë, rregullimi i shkollës, shtrimi i ndonjë rruge dhe nevoja të tjera që paraqiten në fshat, realizohen përmes organizimit shumëvjeçar të kryesisë së fshatarëve. 

Shumica e shtëpive të fshatit janë të lyera nga jashtë duke dhënë përshtypjen për gjendjen kryesisht të mirë materiale të të zotërve të tyre. 

Ramë Rexhaj, i cili është njëri ndër katër të punësuarit për punët e mirëmbajtjes së fshatit, e njeh mirë secilën lagje të katundit me 700 shtëpi, për arsyen se i mirëmban ato.

“Ne koordinohemi njëri me tjetrin se çka ka nevojë të punojmë gjatë ditës dhe i kontrollojmë të gjitha lagjet. Për këtë punojmë çdo ditë, nga pesë ditë në javë”, shpjegon Rexhaj, ndërsa ndërpret punët e hapjes së një grope, për të folur.

“Një shtyllë e KEK-ut ka rënë. Ne po e bëjmë gati që kur të vijë KEK-u të kryhet shpejt kjo punë”, tregon më tej ai. 

Punëtorët duke hapur gropën për shtyllën e KEK-ut

Rexhaj është punësuar si punëtor i fshatit në prill të vitit 2010. Më parë nuk kishte një punë të rregullt, meqë kishte humbur vendin e punës për shkak të privatizimit të fabrikës ku kishte punuar. 

Në hapësirat ku nuk shihet dora e shtetit, as e komunës, ndjehet dora e këtyre punëtorëve. 

Punët ndahen nga kryepunëtori Lulzim Ukimeraj. Ai lëviz nëpër rrugët e katundit me biçikletë, për t’i evidentuar nevojat për ndërhyrje. 

“Ne ndërhyjmë në çfarëdo që paraqitet si nevojë, duke përfshirë edhe hapjen e varreve për ata që varrosen tek varret e fshatit. Na ndodh që të hapim varre edhe për ndonjë familjar që nuk e paguan pjesëmarrjen në buxhet të fshatit”, rrëfen Ukimeraj. 

Ai, bashkë me tre kolegët e tjerë, trokasin derë më derë çdo muaj për t’i mbledhë paratë e buxhetit të fshatit, prej të cilave edhe paguhen. “Participimi është vullnetar. Askush nuk është i obliguar ta paguajë këtë shumë”, thotë ai. 

Kësisoj, rreth 700 shtëpi që janë në këtë katund participojnë me nga tri euro sa është e caktuar, ndërsa fshati bën një buxhet vjetor rreth 30 mijë euro. 

Të katër punëtorët paguhen 990 euro në muaj. Njëri ka pagë 300 euro, një tjetër 250 dhe dy të tjerë marrin nga 220 euro.

Lapidari i ngritur në respekt të dëshmorëve

Marrëveshja për funksionimin e fshatit vetëm një muaj pas luftës

Gjithçka kishte nisur një muaj pas çlirimit të Kosovës nga forcat paramilitare, policore dhe ushtarake serbe. Shtëpitë e shumta të djegura, dhe deponia e mbeturinave e gjithë rajonit, e vendosur në këtë fshat, ua bënte edhe më të rëndë jetën e pasluftës, fshatarëve të Korishës. 

Anëtari i kryesisë së fshatit, Fatmir Ukimeraj, që ishte pjesë e këtij mekanizmi edhe në fillimin e punës së tij, thotë se të zënë në këtë pozitë, fshatarët ishin pajtuar se kanë nevojë për një organizim. 

Marrëveshja, e fshatit të dytë më të madh në Prizren, përfshinte një bashkëpunim në mes të UÇK-së dhe LDK-së, ndërsa ishte bërë para se të formoheshin Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë.

“Fshati ka bërë marrëveshje më 4 korrik 1999 që të formohet një kryesi, e cila do të punonte për problemet e fshatarëve të Korishës”, tregon Ukimeraj për Gazetën Jeta në Kosovë. Ai thotë se sipas marrëveshjes, kryesia e fshatit duhet të kishte 12 anëtarë. 

“Katër anëtarë duhej të ishin përfaqësues të UÇK-së, katër nga LDK-ja dhe katër nga shoqëria civile”, thotë Ukimeraj. 

Rregullorja e parë e UNMIK-ut, për funksionimin e administratës së përbashkët mes Kosovës dhe misionit të OKB-së, është bërë vetëm më 25 korrik 1999, gati tri javë pas marrëveshjes së korishasve. 

Ukimeraj shton se as kryesia, as kryetari i fshatit nuk paguhen. Njëjtë pohon edhe kryetari i fshatit, Veli Dakaj. 

Veli Dakaj

“Të vetmit që paguhen janë katër punëtorët e mirëmbajtjes”, thotë Dakaj. Ndërkaq, jo i gjithë fshati participon në pagesën prej tre eurosh në muaj, sa është caktuar që të paguhet. 

“Projeksionet e buxhetit janë 30 mijë euro për vit. Por vitin e kaluar kemi mbledhur 14 mijë euro nga participimi. Aktulisht kemi 8 mijë euro në xhirollogari që ruhen për nevojat që paraqiten”, tregon ai. 

Në të hyrat e buxhetit bën pjesë edhe shuma prej 245 eurosh në muaj, sa paguan PTK-ja për shfrytëzimin e një antene në këtë fshat. Dakaj poashtu tregon se një kompani private në kuadër të IPKO-s, ipaguan aktualisht kryesisë së fshatit nga 60 euro për muaj.

“Askush që nuk e përballon këtë pagesë, ose nuk është i bindur se është e nevojshme, nuk është i obliguar ta paguajë shumën prej 3 eurove. Shërbimet kryhen njëjtë edhe për ata”, thekson Dakaj. 

Ai tregon se vitin e kaluar  kanë ndihmuar funksionalizimin e nyjeve sanitare të shkollës fillore të fshatit me 850 euro.

Fshati ka ndërtuar edhe një rrugë vetë. Në lagjen e Zekëvë, sipas Dakajt, janë të shtruara 1 mijë metra asfalt, kurse 148 mijë eurot për të, i ka siguruar vetë lagjja. Në total janë asfaltuar 5 mijë e 250 metra, kurse 7 mijë e 800 metra të tjera të rrugëve, janë rregulluar me kubëza. 

“Nuk mjafton vetëm ndërtimi i këtij lapidari, duhet mirëmbajtur çdo ditë. Këtë po e bëjmë”, shton Dakaj, teksa ec dhe flet lirshëm në qendër të Korishës, duke treguar për punët e vullnetit të mirë. 

Fatmir Ukimeraj

Për çfarë ka nevojë Korisha?

Ish kryetari i këtij fshati, Sefer Rexhaj thotë se kjo praktikë duhet të ruhet dhe të vazhdojë. 

“Ne kemi bërë shumë gjëra, kryesia aktuale poashtu, por aktiviteti duhet të vazhdojë në bazë të nevojave”, ka thënë ai. 

Kurse kryetari aktual që thotë se pranon punët që ka bërë kryesia e kaluar, thotë se fshatit i mungon një sallë sporti dhe një objekt që do të përdorej si shtëpi kulture. 

Në këtë katund, poashtu transporti nuk është i rregulluar. Korisha ka dalje në magjistralen për Prizren, por autobus lokal, ose mjet tjetër transporti nuk ka. I vetmi që qarkullon, është autobusi për bartjen e nxënësve.

Ymer Berisha, zëdhënës i Komunës së Prizrenit, thotë se kryesia e fshatit nuk është refuzuar asnjëherë në projektet që kanë paraqitur. 

“Për çfarëdo që ata kënë aplikuar në Komunë është pranuar. Kryesia e fshatit janë për çdo lëvdatë”, thotë Berisha. 

Pamje nga fshati Korishë

Asnjë grua në kryesinë e fshatit

Kryesia e fshatit, megjithëse në numër dyshifror, që prej themelimit nuk ka pasur asnjë grua anëtare. Kryetari aktual nuk e di pse është krijuar kjo gjendje.

“E pranoj se kjo është një çështje në të cilën duhet të punojmë që ta ndryshojmë. Mbaj mend kur mbanim mbledhjet e diasporës për “Fondin 3 përqind” dhe për “Vendlindja thërret”, gjithmonë ka pasur gra të pranishme, sepse gratë shqiptare gjithmonë kanë kontribuuar për shoqërinë dhe kombin”, thotë Veli Dakaj. 

“Tash nuk e di pse është krijuar kjo situatë, ndoshta ne nuk kemi ditur t’i identifikojmë dhe afrojmë, ato që duan të merren me çështjet publike të fshatit”, shton ai.

Kurse ish-kryetari Sefer Rexhaj mban mend periudha të mëhershme të kontributit të grave dhe vajzave të Korishës. 

“Korisha ka pasur veprimtarë, në periudha të ndryshme historike, gra që kanë kontribuuar poashtu. Në protestat e vitit 1981, vajzat e fshatit tonë kanë qenë të organizuara dhe në mënyrë masive kanë marrë pjesë”, tregon Rexhaj.

“Tri vajza kanë qenë të burgosura politike. Është e çuditshme si tash, kaq vjet më vonë, asnjë s’është e përfshirë në qeverisje”, kujton ai.