Si e Gjeti Dhe E Humbi Rrugën E Saj Prishtina

Ata që nuk e duan kryeqytetin e Kosovës, emrin e saj Prishtinë mund ta lidhin me diçka që prishet, me diçka që kundërmon. Mbajtja pastër e kryeqytetit mund të jetë njëra nga temat që do t’i djersisë kandidatët për kryetar të Prishtinës, kur të nisë fushata zgjedhore më 3 tetor. 

Teksa po afrohen zgjedhjet komunale të 3 nëntorit, gara për Prishtinën dallon dukshëm nga ajo e komunave tjera, si për nga rëndësia ashtu edhe për nga interesi. Partia dominuese Lidhja Demokratike e Kosovës, e kryesuar nga kryetari Isa Mustafa, përballet me një luftë më të ashpër se herave tjera, për shkak të partive dhe fytyrave të reja që i kanë hyrë garës për pushtet në kryeqytet.

“Banorët e Prishtinës nuk janë ‘të martuar’ për të votuar për një parti të caktuar. Leon Malazogu 

Leon Malazogu, drejtor ekzekutiv i organizatës Demokracia në Zhvillim thotë se zgjedhjet në Prishtinë do të ndryshojnë nga ato të së kaluarës, pasi votuesit duket se këtë radhë do ta japin votën e tyre më shumë për kandidatët specifikë dhe vizionet e tyre, sesa për ata tradicionalë dhe qeverisjen e provuar të tyre. 

“Banorët e Prishtinës nuk janë ‘të martuar’ për të votuar për një parti të caktuar. Ata janë në kërkim të kandidatëve me plane konkrete”, thotë Malazogu. 

“Prishtinali nuk bëhesh por lind i tillë”, thonë prishtinasit e vjetër, por e kanë gabim. Prishtina që nga themelimi i saj vazhdimisht ka qenë duke u “bërë”. Asnjëherë nuk ka përfunduar, nuk është kryer si qytet. Historia e saj paraqet një nga ndryshimet më drastike të, demografisë, regjimeve dhe  rritjes së pandërprerë për mirë, ose  për të keq.

Prishtina e kohës otomane – një vend plot baltë

Prishtina otomane nuk ndryshonte shumë nga qytetet e tjera të kohës. Si një qytet tregtar i rajonit, Prishtina e shekullit XX kishte pazarin e saj, zejtarët dhe tregun e bagëtisë. Gjatë kaosit të Luftërave Botërore ajo kaloi nga fashistët italianë,  nazistët gjermanë e monarkistët serbë deri te partizanët jugosllavë. Vizitorë të rrallë nga perëndimi gjatë asaj kohe, ankoheshin për baltën e tepërt. Me tjetër gjë nuk dallohej kryeqyteti i tashëm i Kosovës nga pjesa tjetër e Perandorisë Osmane.

Transfermimi i vërtetë i Prishtinës ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, nën regjimin jugosllav. Pazaret, tregjet,  kishat,  xhamitë  dhe gjëra tjera që karakterizonin qytetin deri në atë kohë, në shumicën e rasteve u shkatërruan për t’i hapur rrugë periudhës socialiste të banesave kolektive dhe zyrave.

“Transfermimi i vërtetë i Prishtinës ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, nën regjimin jugosllav. 

Në vitin 1947, Prishtina u shpall kryeqytet i provincës së Kosovës, duke u bërë për shumë vjet përfituesja më e madhe e parave jugosllave të dedikuara për zhvillim. Si qendër administrative, kulturore dhe ekonomike e Kosovës, shtoi popullsinë pesëfish nga  20 mijë  banorë sa ishin në vitin 1948, në 108 mijë në vitin1981. Qyteza u shndërrua në qytet. 

Megjithatë arkivat komunale të asaj kohe zbulojnë  se banorët e viteve ‘50 dhe ‘60 nuk pyeteshin shumë se çfarë duhej të ndërtohej, shkatërrohej dhe zëvendësohej në qytetin e tyre. 

Prishtina e viteve ‘74-’81 – kulmi i zhvillimit

Shumica e banorëve  të Prishtinës pajtohen se periudha e artë e “kohës së Titos”, në fakt u referohet viteve 1974-1981. Kushtetuta e propozuar nga Titoja, e miratuar në vitin 1974 , i dha krahinës kryesisht shqiptare, më shumë autonomi politike dhe ekzekutive se ndonjëherë më parë në historinë e Jugosllavisë. 

Themelimi i Universitetit të Prishtinës në vitin 1970, për herë të parë u dha studentëve qasje në arsimim e lartë në gjuhën shqipe. Pothuajse të gjithë në qytet punonin. Ose kjo edhe mund të ishte një ndjenjë e optimizmit, e nxitur nga propaganda e gazetave ditore. Zhvillimi kulmoi me ndërtimin e Boro Ramizit (Pallatit tashëm të Rinisë dhe Sportit), Rilindjes (objektit ku ndodhet Ministria e Administratës Publike) dhe Bibliotekës Kombëtare.

Vdekja e Titos në vitin 1980 dhe ardhja në pushtet e Sllobodan Millosheviqit si dhe luftërat ballkanike të viteve nëntëdhjetë, u dhanë fund të gjithave. Shumica e banorëve të Prishtinës kujtojnë vitet ‘80 dhe ‘90 për protestat, rrahjet policore, marrjet në pyetje, dhe segregacionin – të shoqëruara nga ndalimi gradual i shërbimeve publike të qytetit. 

Ata më kryefortët do të thonë se edhe gjatë viteve më të mira të Prishtinës, jeta karakterizohej nga kaosi dhe mungesa e vizionit.

“Në vitet ‘90 lumenjtë u mbuluan plotësisht me asfalt duke u shndërruar në rrjedha nëntokësore.

Përkundër zotimeve të shumta komunale gjatë viteve ‘70 për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e dy lumenjve të Prishtinës, Prishtevkës dhe Vellushës, qyteti vazhdoi të hedhë ujërat e zeza në këta dy lumenj. 

Në vitet ‘90 lumenjtë u mbuluan plotësisht me asfalt duke u shndërruar në rrjedha nëntokësore nëpër të cilët vazhdon të qarkullojë kanalizimi. 

Migjen Kelmendi, publicist dhe vokalist i grupit “Gjurmët” që këndoi në këtë kohë disa nga hitet e muzikës argëtuese prishtinase dhe kosovare, asfaltimin e lumenjve, e quan varrosje të tyre. 

Ai thotë se në sipërfaqern ujore të këtyre dy lumenjve të kryeqytetit do ta shihnim veten dhe do ta kuptonim sa të bukur jemi, duke i lidhur lumenjtë e Prishtinës me legjendën e Narcisit, një djalë që sipas mitologjisë shikonte veten rregullisht në pasqyrën e ujërave të një liqeni, për të rënë në fund në të. 

Prishtina e pasluftës – ground zero

Prishtina e sotme i ngjan shumë Prishtinës së viteve ‘70, madje më shumë seç mendojnë disa. 

Prishtina e pasluftës ishte “ground zero” në shumë aspekte. Gjatë vakumit pushtetar që ekzistoi, njerëz të panumërt zunë apartamente të braktisura, zaptuan toka shoqërore, ngritën mbindërtime mbi blloqe të banesave kolektive dhe  u qasën ilegalisht në rrjetet e energjisë elektrike dhe ujit. 

Dy nga kandidatët për kryetar të Prishtinës, Kaqusha Jashari e Agim Çeku gjatë intervistave të muajit shtator për Gazetën Jeta në Kosovë, mbindërtimet i konsideruan problemin kryesor të kryeqytetit.

Sot ndërprerjet e energjisë elektrike janë më të rralla sesa dikur, megjithatë  mungesa e ujit vazhdon të prekë konsumatorët, sikur edhe niveli i ulët i shërbimeve komunale, mbledhjes së plehrave dhe ngrohjes qendrore. 

Popullsia është shumëfishuar, ndërsa regjistrimit të popullsisë së vitit 2011 që nxorri Prishtinën me më pak se 200 mijë banorë, nuk i besojnë zyrtarët komunalë. Bazuar në të dhënat e ofruesve të shërbimeve komunale, popullsia është afro 450 mijë banorë.

“Prishtina e sotme i ngjan shumë Prishtinës së viteve ‘70, madje më shumë seç mendojnë disa. 

Ndoshta nuk tingëllon si diçka e këndshme për ta lexuar, por megjithatë ia vlen t’i hidhni një sy Planit të Zhvillimit Komunal të Prishtinës.

Në të është paraqitur një vizion ambicioz për Prishtinën e 20 vjetëve të ardhshëm, një qytet në të cilin çiklistët vozisin lirshëm,  transporti publik është efikas, i pastër dhe modern, ngrohja gjatë dimrit është e pandërprerë dhe  cilësia e jetës përmirësohet nga vendimet komunale. 

Një Prishtinë e tillë ende nuk është bërë, është ende në sirtar, por kryetari i ardhshëm duhet ta kanalizojë ekontrollojë rritjen e pandalshme të kryeqytetit. 

Prishtinës i duhet një lider që realitetin dhe kaosin e sotëm ta kthejë në vizion për zhvillim. Nëse ai ose ajo arrin këtë, jeta në kryeqytetin e Kosovës nga e durueshme si është sot, do të bëhej e mirë në të ardhmen.