“Obligimi Mysliman” Nxiti Sulmin Kundër Kosova 2.0

Një bujk i akuzuar për pjesëmarrje në sulmin ndaj revistës Kosova 2.0 në dhjetor u tha prokurorëve se dëshironte “ta shkatërronte takimin”, sepse e ndjente për obligim si mysliman ta ndalojë seksin homoseksual, që besonte se do të ndodhte atje.

“Zoti ka lejuar seksin, por vetëm në mes të gjinive të ndryshme”, u tha Gani Latifi prokurorëve në muajin prill, duke shtuar se nuk ka dashur ta lëndojë askënd.

Deklarata e Latifit pasqyron jotolerancën që u shpërfaq më 14 dhjetor të vitit të kaluar, kur një grup prej 30 vetash iu turrën Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishinë. Me brohoritje fyese ata kishin shkatërruar pronën e Kosova 2.0, ndërsa kishin lënduar një anëtar të stafit të saj.

Në një aktakuzë të përbashkët që ngriti Prokuroria e EULEX-it dhe ajo e shtetit, Latif Gashi (44), nipi i tij, Driton Dili (27) dhe kreu i fansave të basketbollit “Plisat”, Albert Kastrati (39), akuzohen për përfshirje në sulm. 

Treshja ngarkohet me akuzat për “shkelje në bashkëkryerje të statusit të barabartë të banorëve të Kosovës, parandalim ose pengim në bashkëkryerje i takimit publik, bashkëkryerje në nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar e etnik, dëmtim në bashkëkryerje i pronës së luajtshme dhe shkaktim në bashkëkryerje i lëndimit të lehtë trupor”.

“Të akuzuarit, në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe të dyshimtë të tjerë, ende të panjohur, janë futur në Sallën e Kuqe të Qendrës për Rini e Sport. Atje, ata kanë marrë pjesë në turmë, duke rrahur dhe shqelmuar pjesëtarin e stafit të revistës Kosova 2.0, Dardan Zhegrovën dhe kanë demoluar pjesë të inventarit”, thuhet në aktakuzë.

“Disa pjesëtarë të turmës ishin pajisur me shkopinj. Gjatë sulmit, turma ka brohoritur ‘Pederat jashtë!’, ‘Mëkatarë!’, Kurvat, Allahu Akbar’ dhe fjalë të tjera ofenduese, haptazi kundër komunitetit të lezbenjëve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transseksualëve”, shpjegohet në aktakuzë.

Tre personat janë të parët që akuzohen lidhur me ngjarjen e ndërlidhur me Kosova 2.0 që kur ai ndodhi më se tetë muaj më parë.   

Aktakuza e ngritur më 4 shtator nga prokurorët Maarten Groothuizen dhe Fatmire Cacaj, vë në pah një hetim të gjerë të kryer nga policia dhe prokuroria, përfshirë analizat bërë video-incizimeve dhe fotografive të sulmit, sikurse edhe përgjimeve të telefonike (bisedave, mesazheve sms-ve dhe lokacioneve të telefonave mobilë).

Sulmi pat ndodhur më 14 dhjetor 2012, kur revista Kosova 2.0 po përgatiste një aheng, me rastin e lansimit të edicionit të radhës të revistës me temën “Seksi”, e që në fokus kishte edhe komunitetin e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT). 

Kosova 2.0 kishte shpjeguar skenarin e lansimit të revistës qysh më parë. Ai do të përfshinte prezantimin e videove, leximin e pjesëve të revistës, për të përfunduar me një aheng. 

Derisa ngjarja po paralajmërohej gjithandej nëpër media, hollësitë ishin shtrembëruar, sidomos në mediat sociale, me sugjerimin se po bëhej fjalë për “një aheng seksi”.  

Latifi u tha prokurorëve se kishte dëgjuar për këtë nga djali i motrës së tij, Dili, përmes një telefonate.

“E pyeta çka do të ndodhë më tej dhe ai më tha kjo është për të larguar turpin nga njerëzit. Pastaj ata do të largojnë mbulojat dhe do të tregojnë si bëhet seks. Pastaj në orën 11:00 ata do të ndalin dritat dhe do të bëjnë seks me këdo”, tha ai.

Në intervistën tjetër dhënë para prokurorëve, i pandehuri Dili tha se ka shkuar në sallë për t’u tërhequr “verbalisht” vëmendjen njerëzve “për të mos bërë ndonjë gjë që shkel parimet e Zotit dhe ato njerëzore”. 

Ai, thuhet në deklaratën e tij, dëshironte të theksonte para kamerave të televizionit, se homoseksualiteti përbën një krim në Islam.

Megjithatë, ai theksoi se motivi i hyrjes së tij në Sallën e Kuqe nuk kishte ndonjë prapavijë të dhunshme.

“Unë hyra brenda ta kërkoj dajën tim, pasi isha frikësuar se daja im mund ta përdorte shkopin që e kishte në dorë”, u tha Dili prokurorëve. Por, prokurori, e cilëson deklaratën e tij si të “pabesueshme”, meqë Latifi ishte ndër të fundit që kishte hyrë në sallë.

I akuzuari i tretë, Albert Kastrati, tha se nuk ka qenë i pranishëm në Sallën e Kuqe, por më vonë e ndryshoi dukshëm deklaratën e tij, thuhet në aktakuzë.

Ai u tha më pas prokurorëve se kishte shkuar në Sallën e Kuqe për të mbrojtur Zhegrovën, një anëtar të stafit të Kosova 2.0, njëherazi vëllai i një miku të tij. Megjithatë, aktakuza vë në pah se Kastrati nuk është përpjekur fare ta ndihmojë ndokënd.

Sami Kurteshi, Avokati i Popullit në Kosovë dhe një mbështetës i zëshëm i të drejtave të komunitetit LGBT, mirëpriti ngritjen e aktakuzës, duke e cilësuar si hap “të drejtë dhe të pritshëm”.

Megjithatë, ai u shpreh i zhgënjyer për përfshirjen e EULEX-it në këtë rast.

“Ky do të duhej të ishte një veprim i institucioneve vendore dhe jo i EULEX-it. Fatkeqësisht, kjo po dëshmon edhe njëherë mungesën e gatishmërisë së institucioneve vendore për t’u marrë me raste të natyrës së tillë. Kjo më tepër do të duhej të ishte një vërejtje serioze për institucionet e Republikës së Kosovës, për ngritjen e nivelit të përgjegjësisë, të pavarësisë dhe të profesionalitetit të prokurorive dhe gjykatave vendore, sesa një lehtësim nga një barrë e pakëndshme”, tha Kurteshi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kurteshi kishte konsideruar sulmin gjatë ngjarjes së Kosova 2.0 si pushtim të hapsirës publike. 

Prokuroria e Shtetit dhe ajo e EULEX-it kërkuan që rasti të procedohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë “sa më parë të jetë e mundur”. 

Në ndërkohë, EULEX-i ka bërë të ditur se janë duke vazhduar tri hetime të tjera lidhur me sulmin.

Misioni europian për forcimin e sundimit të ligjit gjithashtu njoftoi se dy pikat e fundit për të cilat akuzohen tre personat në këtë rast mund të ndikohen nga Ligji për Amnisti po qe se ai hyn në fuqi në formën e tanishme. 

Ligjit në fjalë pritet t’i hiqen nëntë nene, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 3 shtator se ato nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.