Rasti që Përfshinte Biznesin e Shtetin Nuk Pati Prova

Adrian Shatku, një biznesmen shqiptar që vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërgoi më 9 janar 2009 disa letra kryesuesit të Bordit të Postës dhe Telokomit të Kosovës për problemet që kishte me aksionarët e Dardafon LLC.

Shatku përmes letrave akuzonte vëllezërit Devolli se në mënyrë të paligjshme kishin hyrë në marrëdhënie biznesore me PTK-në përmes kompanisë Dardafon.net e jo Dardafon siç ishte miratuar fillimisht nga PTK-ja.

Kur letrat e njëjta arritën edhe në zyrat e Misionit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ato u bënë shkas që të fillohet hetimi më i madh që përfshinte biznesin dhe shtetin. 

Bastisja  e parë në zyrat e PTK-së dhe pronat e vëllezërve Devolli u bë nga EULEX-i më 15 korrik 2010.

Një vit më pas, më 9 qershor 2011 prokurori special Joachim Stollberg në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ngriti aktakuzë kundër pesë personave.

Blerim e Shkëlqim Devolli pronarë të Devolli Group, drejtori i kësaj kompanie Ismet Bojku, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së Shyqyri Haxha dhe kryesuesi i bordit të drejtorëve të PTK-së Rexhë Gjonbalaj akuzoheshin për krime financiare.

Vëllezërit Devolli dhe Ismet Bojku akuzoheshin për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të besimit, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar, ndërsa Haxha dhe Gjonbalaj për lidhje të kontratave të dëmshme, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

Dy vjet pas letrës së Shatkut, më 25 nëntor 2011, gjykatësi ndërkombëtar Gianfranko Gallo konfirmoi aktakuzën pjesërisht në një seancë, ku të gjithë të pandehurit mohuan akuzat. 

Sipas aktakuzës së aprovuar vëllezërit Devolli dhe Ismet Bojku nuk akuzoheshin më për krim të organizuar dhe për keqpërdorim të besimit. Edhe Haxhës dhe Gjonbalajt iu hodh poshtë akuza për keqpërdorim të autorizimeve.

Më 28 qershor, pas rreth tridhjetë seancave gjyqësore të gjithë të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm.

Kryetari i trupit gjykues Viktor Hygo Pardal gjatë shpalljes së aktgjykimit tha se ky “ka qenë një ndër vendimet më të lehta që ne si trup gjykues e kemi arsyetuar, pasi që nuk ka pasur prova që e dëshmonin fajësinë”.

Ismet Bojku (djathtas), Blerim dhe Shkelqim Devolli (lart) gjatë gjykimit

MVNO – marrëveshja që çoi në hetim dhe gjykim

Posta dhe Telekomi i Kosovës ishte e vetmja telefoni mobile në vend që operonte që nga paslufta dhe deri vonë mbante monopolin në tregun e telefonisë mobile dhe fikse.

Më 23 shkurt 2007 konsorciumi Ipkonet Telekom Slovenije/Mobitel, fitoi të drejtën të operojë në treg si operator i dytë i telefonisë mobile. 

Kjo po i shkaktonte humbje PTK-së, sipas ish të akuzuarit Shyqyri Haxha. 

“PTK brenda gjashtë muajsh ka humbur deri në 300 mijë konsumatorë” ka deklaruar Haxha gjatë seancave gjyqësore.

Kështu, më 3 tetor 2007 PTK-ja publikoi një thirrje për shprehje interesi për lidhjen e Operatorit Virtual për Telefoni Mobile e njohur si Mobile Virtual Network Operator (MVNO).

Lidhja e një marrëveshje të tillë nënkupton të drejtën e një kompanie që të blejë me shumicë shërbime tek një kompani tjetër, në këtë rast numra të telefonit së bashku me impulse (minuta) dhe t’i rishesë ato me çmim tjetër të cilin kompania blerëse e vendos në mënyrë të pavarur. 

Thirrja për shprehje të interesit për këtë marrëveshje ishte motivuar edhe nga një letër e Dardafonit drejtuar PTK-së më 27 maj 2007 përmes së cilës i ofronte kësaj të fundit lidhjen e marrëveshjes MVNO.

Kompania Dardafon LLC u krijua më 9 janar 2007 nga tri kompani të tjera, përkatësisht aksionarët e saj Unitel World me 48 për qind të aksioneve, Via One me 10 për qind si dhe Devolli Group Company me 42 për qind të aksioneve. 

Aksionari më i madh i Dardafonit Unitel World me bazë në New York drejtohej nga Adrian Shatku, biznesmen shqiptar që vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa Devolli Group ishte pronë e vëllezërve Blerim e Shkëlqim Devolli. Aksionari më i vogël, Via One, ishte kompani amerikane.

Për të operuar si i nënkontraktuar për operator virtual të PTK-së, Dardafonit i duhej të licencohej,  andaj ai iu drejtua Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, si organi i vetëm që ishte përgjegjës për lëshimin e licencave në fushën e telekomunikimeve.

Kërkesa e Dardafonit për licencë në ART ishte bërë para se PTK-ja të vendoste nëse do t’i jepte numra për të rishitur.

Pas gati një viti, më 29 maj 2008 ART licencoi Dardafonin ndërsa tri ditë më pas kjo e fundit pagoi taksën për licencë e cila do të vlente 15 vjet.

Marrja e licencës shënoi fillimin e negociatave me PTK-në. 

Shyqri Haxha dhe mbrojtësi i tij pas shpalljes së gjykimit

Task Forcat I & II

Për të vendosur nëse PTK-ja do të kishte ndonjë fitim nga marrëveshja me Dardafonin, bordi kishte urdhëruar të krijonte dy task forca. 

Më 14 gusht 2008 ishte krijuar Task Forca I e cila do të merrej me negocimin e kushteve të kontratës më Dardafonin. Ajo përbëhej nga Genc Lani kryesues, Afrim Bejtullahu dhe Burim Karahaoda përgjegjës për çështje juridike, përkatësisht për çështje teknike.

Ish kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Adnan Merovci, ishte autorizuar nga bordi i ri i kësaj ndërmarrjeje publike që të prezantonte projekt-marrëveshjen që pritej të nënshkruhej me Dardafonin.

Në fakt, lidhja e kësaj marrëveshje ishte një ndër detyrat e para të bordit të ri të PTK-së të emëruar më 7 korrik 2008. Bordi përbehej nga kryesuesi, i ish-akuzuari Rexhë Gjonbalaj, Suzana Anxhelkoviq, Emine Pireva, Nuhi Ahmeti dhe Abdyl Ymeri si anëtarë.

Sipas aktakuzës, Task Forca I parashihte që “PTK-ja do të kishte një fitim prej 22 për qind ndërsa Dardafoni 78 për qind”. 

Më këtë nuk ishin pajtuar disa anëtarë të bordit të cilët në një takim të mbajtur më 2 tetor të atij viti kishin shprehur shqetësim dhe kishin kërkuar vlerësim të ri nga një task forcë tjetër.

Task Forca II filloi punën menjëherë dhe përbëhej nga Sebahedin Ramaxhiku, Isak Krasniqi, Genc Rraci, Driton Halili, Malsor Kusari, Fatos Bakalli dhe Astrit Musa.

Kjo task forcë rekomandoi të kundërtën e asaj që sugjeronte Task Forca I.“73 për qind duhej të fitonte PTK-ja, ndërsa 27 për qind Dardafoni” 

Ky vlerësim ishte i papranueshëm për bordin e PTK-së i cili me tre vota pro, një kundër dhe një abstenim, më 20 tetor 2008, vendosi të lidhë marrëveshje me Dardafonin ashtu siç kishte rekomanduar Task Forca I.

Pas lidhjes së kontratës më PTK-në, Dardafon.net mori emrin komercial Z Mobile.

Në fakt, gjatë gjykimit është përmendur që marrëveshja finale ishte bërë 27 për qind fitim për PTK-në dhe 73 për Devollët. Sipas Haxhës ky ishte një favor që Devollët ia kishin bërë atij, pasi i kishte lutur.

Prokurori akuzonte të pandehurit se kishin nënshkruar marrëveshje të pafavorshme për PTK-në duke injoruar sugjerimin e Task Forcës II e cila parashihte fitim prej 73 për qind për PTK-në.

Në fakt, gjatë gjykimit të akuzuarit shpjeguan se çfarë nënkuptohej me ndarjen e fitimit në mes të Dardafon.net dhe PTK-së.

Devollët argumentuan gjatë gjykimit se 27 për qind e PTK-së ishte fitim i pastër për këta të fundit, ndërsa nga 73 për qind të Devollëve ata duhej të paguanin investimet kapitale, pagat e të punësuarve dhe shpenzime të tjera, si për shembull pagesën për material për sim kartela dhe të tjera.

Kjo ishte mbështetur nga ekspertët e gjykatës të cilët kishin konstatuar se nga biznesi i zhvilluar deri në kohën e gjykimit, fitimet në mes të dy palëve kishin qenë të barabarta.

Sipas  ish të pandehurve nga PTK-ja, Haxha dhe Gjonbalaj, PTK-ja do të vazhdonte të humbiste konsumatorë në mungesë të marketingut dhe sistemit të avancuar të pagesave. Sipas tyre, kjo marrëveshje jo vetëm që ndaloi humbjet, por rriti numrin e konsumatorëve të saj.

Rexhë Gjonbalaj | Foto: Facebook

Dardafon apo Dardafon.net?

Gjersa Dardafon priste nënshkrimin e kontratës nga PTK-ja, për shkak të keqkuptimeve në mes të aksionarëve të saj, përkatësisht Adrian Shatkut dhe vëllezërve Devolli, këta të fundit themeluan një kompani tjetër.

Kompania e re quhej Dardafon.net dhe drejtohej nga Ismet Bojku i cili edhe në kompaninë e parë Dardafon ishte drejtor. I njëjti në të njëjtën kohë ishte drejtor edhe në Devolli Group. 

Tash Bojku nuk dëshironte që marrëveshjen me PTK-në ta lidhte me Dardafonin siç ishte menduar fillimisht, por kërkonte nga ART-ja që licencën e lëshuar për MVNO-në t’ia transferohet kompanisë së sapokrijuar Dardafon.net.

Dardafon.net është krijuar më 21 nëntor 2008 apo katër ditë para aplikimit në ART dhe ishte në pronësi të Shkëlqim Devollit me 90 për qind të aksioneve dhe kompanisë amerikane K-Com me dhjetë për qind.

Në ndërkohë, vëllezërit Devolli kishin blerë të gjitha aksionet e Dardafonit dhe tani ajo ishte kompani e Devollëve. 

Sipas Blerim Devolli, Shatku ishte paguar një milion euro për aksionet e tij në Dardafon dhe se letrat kundër tyre ishin vetëm presion për të rritur vlerën e aksioneve.

Lidhur me këtë kontest gjykata gjatë dhënies së arsyetimit për këtë rast tha se “edhe nëse ka pasur keqkuptime në mes të aksionarëve për këto dy kompani atëherë kjo është çështje civile”.

Naim Rrustemaj nuk kishte dëshmi për akuzat e tij

Seancat gjyqësore u karakterizuan me shtyrje të shpeshta për shkak të vështirësive në sjelljen e dëshmitareve në gjykatore.  

Naim Rrustemaj, ish deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës i cili më pas u distancua nga kjo parti dhe operonte si deputet i pavarur, pati deklaruar në Kuvendin e Kosovës në maj 2010 se nga kontrata në mes të PTK-së dhe Dardafonit kjo e para ishte dëmtuar me 200 milionë euro.

Rrustemaj është vëllai i Etrur Rrustemajt që për një kohë ka drejtuar Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Mirëpo, kur u pyet në gjykatë rreth këtij deklarimi, Rrustemaj tha se nuk kishte dëshmi për atë që kishte ndodhur dhe se deklarata e tij në Parlament ishte vetëm një “opinion i tij”.

Një vit para kësaj deklarate, më 3 qershor 2009, Rrustemaj tha se ishte takuar me ish-kryeprokuroren speciale Izabel Arnal. Takimi kishte të bënte me MVNO-në.

Prokuroria kishte propozuar si dëshmitare edhe anëtaren e bordit të PTK-së Suzana Anxhelokoviq, e cila kishte votuar në favor të MVNO-së. Dëshmia e saj ishte realizuar pas disa shtyrjeve, meqenëse ajo ndodhej në Beograd.

Stërzgjatja e gjykimit ka ndodhur edhe për shkak të vonesës së ekspertizës dhe largimit të prokurorit të rastit Joachim Stollberg nga misioni i EULEX-it në janar 2013.

Ekspertiza lidhur me humbjet ose fitimet e PTK-së nga marrëveshja me Dardafon.net nuk ishte sjellë nga prokuroria së bashku me aktakuzë siç është praktika në raste të tilla gjyqësore kur janë në pyetje pretendime për krime financiare.

Ekspertiza e munguar nga prokuroria është zëvendësuar nga ajo e urdhëruar nga gjykata ex officio, me qëllim që të vlerësoheshin humbjet e pretenduara të PTK-së.

Njëri nga tre ekspertët të ftuar nga gjykata kishte konstatuar në seancë se Z Mobile nuk i kishte shkaktuar asnjë dëm PTK-së, ndërsa fitimet në mes tyre kishin qenë 50 me 50. Mendimet në mes ekspertëve ishin të njëjta. 

Fshehja e dëshmisë nga prokurori i EULEX-it

Fshehja e një dokumenti që ndihmonte të akuzuarit të dëshmonin pafajësinë e tyre ishte bërë qëllimisht nga prokurori i rastit Stollberg, sipas të akuzuarve.

Gjatë hetimeve, prokurorit i është dorëzuar një dokument që tregonte pagesën e bërë nga Devollët në emër të licencës për Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit.

Fatura bankare e pagesës së kësaj licence i është dorëzuar prokurorisë nga mbrojtja e vëllezërve Devolli, ku tregonin se Xhelal Radoniqi i cili në atë kohë ishte drejtor komercial në këtë kompani kishte bërë pagesën e licencës. 

Radoniqi aktualisht është drejtor në kompaninë Devolli.

Pagesa e licencës ishte dëshmi që Devolli po vepronte me biznesin e tyre në mënyrë të përgjegjshme dhe procedura penale kërkon që prokuroria në gjykatë duhet të paraqesë edhe prova që janë në favor të palës që e akuzon.

Prokuroria akuzohej për fshehje të provave edhe nga avokati Ramë Gashi që mbronte Shyqyri Haxhën.

Sipas Gashit, prokuroria nuk i kishte dorëzuar me aktakuzë provat të cilat ai i kishte dhënë gjatë hetimit të rastit. Ai i kishte dorëzuar edhe njëherë këto prova gjatë gjykimit.

Prokuroria nuk ka komentuar akuzat, pasi që gjatë kësaj kohe rasti i kishte kaluar prokurorit Charls Hardway.

E tërë aktakuza, sipas trupit gjykues bazohej në një letër të Shatkut.

“Aktakuza ishte e bazuar vetëm në një letër të Shatkut, e për t’u provuar një aktakuzë duhet të ketë shumë më shumë se aq” tha kryetari i trupit gjykues Pardal.

Shatku asnjeherë nuk është intervistuar nga prokuroria dhe nuk ka dëshmuar në seancë gjyqësore, përkundër që është ftuar nga gjykata disa herë. 

Nga ngritja e aktakuzës e deri të shpallja e aktgjykimit kanë kaluar dy vjet.

Seancat janë mbajtur në sallën e gjykimit të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe në ambientet e Kinemasë ABC1, e kontraktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mungesë të sallave të mjaftueshme.

Ato zgjasnin gati gjatë tërë ditës dhe zakonisht fillonin me kohë dhe nuk kishte shumë publik.

Gjatë seancave Haxha kishte rol aktiv përmes pyetjeve dhe komenteve të cilat i shtronte në mënyrë të qetë për dëshmitë dhe dëshmitarët e rastit. 

Qetësia që mbretëronte gjatë seancave shpesh i mundësonte një ndër avokatëve mbrojtës të Shkëlqim Devollit, Gani Tigani, që të bëntë nga një sy gjumë.

Vëllezërit Devolli përgjatë dy vjetëve gjykim kanë përjetuar në qetësi zhvillimet dhe kanë folur fare pak. 

Në fakt, dëshmi ka dhënë vetëm Blerim Devolli ndërsa Shkëlqimi dhe Ismet Bojku janë mbrojtur në heshtje.