Agjencia e Inteligjencës Me Përgjegjësi Jokonvencionale

Në katër vitet e ardhshme Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) do të merret me parandalimin e tentim-vrasjeve, veprave penale të trafikut publik, delikuencës së të miturve, vjedhjeve dhe lëndimeve të rënda, lojërave të fatit dhe fajdeve.

Kështu ka vendosur Qeveria e Kosovës më 30 janar 2013 kur ka aprovuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Krimit 2013-2017 me të cilën është “prezantuar” gjendja aktuale e krimit në Kosovë dhe mënyrat e parandalimit të saj.

Strategjia e re e draftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme ka përfshirë AKI-në edhe pse ajo duhet të merret me sigurinë kombëtare, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe sigurinë globale në dëm të Kosovës. 

Kjo është strategjia e katërmbëdhjetë që Republika e Kosovës ka hartuar për parandalimin dhe luftimin e krimit, bazuar në dokumentin strategjik të cilën e ka siguruar gazeta.

Njohës të çështjeve të sigurisë konsiderojnë se shërbimi inteligjent në asnjë praktikë në botë nuk përfshihet në strategjitë kundër parandalimit të krimit.

Kolë Krasniqi, ekspert i sigurisë dhe profesor në Fakuletin Juridik të Universitetit të Prishtinës, thotë se çështjet si grabitjet, vjedhjet, lëndimet e rënda dhe veprat penale të miturve janë përgjegjësi ekskluzive e policisë.

“Sipas standardeve bashkëkohore, shërbimi inteligjent merret me mbledhjen, përpunimin e informacioneve dhe ofrimin e tyre Qeverisë për të marrë ajo vendime të shëndosha dhe të drejta në interes të vendit”, tha Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka mundur të kontaktojë me zyrën për informim të AKI-së. AKI nuk ka faqe të internetit apo adresë zyrtare elektronike ku mund të drejtohen pyetje nga mediat.

Albulena Haziri, sekretaresha e drejtorit të AKI-së Bashkim Smakaj, nuk ka pranuar të “zbulojë” emrat e zyrtarit për informim apo të përgjegjësit për zbatimin e strategjisë nën arsyetimin se janë sekret dhe nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e gazetës.

Sipas, Ministrisë së Punëve të Brendshme, AKI përfshihet ngase “mundëson qasje më të hershme në raport me grumbullimin e informacioneve të para të cilat në shumicën e rasteve mundësojnë parandalimin e veprave të ndryshme kriminale”.

“AKI mundëson edhe dekonspirimin e kërcënimeve reale në raport me sigurinë e përgjithshme”, thuhet në përgjigjen e MBP-së.

AKI është ndër 15 institucionet tjera si Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Ministria e Drejtësisë, Financave, Punëve të Brendshme, Njësia e Inteligjencës Financiare etj. që pritet të zbatojnë strategjinë.

Në planin e veprimit, AKI është përfshirë në nëntë aktivitete të planit të veprimit. Në tetë prej tyre është mbështetëse, deri sa vetëm në një pikë të planit ka rol implementues.

AKI do të merret me trajnimet speciale ndërsa do të mbështesë MPB-në në hartimin e akteve nënligjore, vlerësimin dhe vendosjen se kush mund të ketë qasje në bazën e të dhënave të institucioneve që merren me parandalimin e krimit, vendosjen e linjave për komunikim ndërkombëtarë, identifikimin e individëve që mund të jenë kryes të krimeve etj.

 
Drejtori i AKI-së Bashkim Smaka  

 

Shërbimet tjera inteligjente në Europë si ajo në Mbretërinë e Bashkuar apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës merren ekskluzivisht me sigurinë shtetërore. 

Shërbimi Sekret i ShBA-së, i njohur si Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), ka për mision të saj mbledhjen, vlerësimin dhe shpërndarjen e informatave të inteligjencës nga jashtë [Amerikës] për të ndihmuar Presidentin dhe politikanët amerikanë në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

Ndërsa MI6, që është shërbimi anglez i inteligjencës, po ashtu merret më mbledhjen e informatave të inteligjencës jashtë vendit.

Qeveria pret që KGjK të jetë e pavarur

Strategjia ka përcaktuar detyrat dhe përgjegjësitë e të gjitha institucioneve që do ta zbatojnë atë.

Ministria e Punëve të Brendshme, Arsimit, Pushtetit Lokal pritet të kenë rol aktiv pasi që ato duhet të implementojnë, edukojnë popullatën dhe të mbështesin komunat.

Por nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial, qeveria pret të jenë të paanshme dhe profesionale.

Strategjia për Parandalimin e Krimit 2013-2017 ka ardhur si rrjedhojë e strategjisë së kaluar 2009-2012, e cila ishte aprovuar në tetor të vitit 2009.

Ajo paraprake duhej të krijonte mekanizmat institucionalë dhe me të parashihej monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të strategjisë si dhe shpërndarja e rezultateve të atij monitorimi institucioneve, shoqërisë civile, mediave etj.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Zyra e Kryeministrit nuk kanë lejuar qasje në raportin që është bërë për zbatimin e strategjisë 2009-2012 në kundërshtim me ligjin për qasjen në dokumente publike.

Në përgjigjen e saj zyra për informim e MPB-së thotë se “është bërë dhe është identifikuar progresi i arritur nga viti 2009 deri në vitin 2012”. 

Por ministria ka pranuar se ka aktivitete të parealizuara të cilat janë bartur në strategjinë e re.

Drejtori i Zyrës për Komunikim me Media, Arianit Bytyçi dhe sekretari permanent i Kryeministrisë, Fitim Krasniqi, nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën kur u është kërkuar raporti i zbatimit të strategjisë për parandalimin e krimit 2009 -2012.

Në dhjetor të vitit 2012, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për projektligjin për përgjim të cilin e ka sponsorizuar Qeveria e Kosovës e i cili është dërguar në Parlament por që është në kundërshtim me rekomandimet e Bashkimit Europian dhënë Kosovës.

Projektligji parasheh që përgjimi do të bëhet përmes Qendrës Administrative Elektronike që do të krijohet brenda AKI-së e cila i raporton Kryeministrit të Kosovës.

Standardet europiane kërkojnë përgjimet për gjykata të jenë të ndara nga përgjimet për shërbime të inteligjencës, ndarje kjo që nuk parashihet me këtë projekligj.