Loja që Tregoi Shumë Realitete Shqiptare

Rezultati tashmë ishte 2:0 në të mirë të ekipit vendës. Fitorja ishte e pastër dhe gati e garantuar. Dhe sërish topi i pasohet në këmbë e lojtari gjendet përballë me portierin. Por ai nuk shuton në portë, pason tek portieri më shumë sikur lojtar mbrojtjeje sesa sulmi.

Kështu veproi një nga supertalentët shqiptarë me nënshtetësi të Zvicrës në lojën kundër ekipit të përbërë nga lojtarët nga Kosova dhe Shqipëria të cilët humbën kundër ekipit helvetik, të vlefshme për kualifikim në kampionatin botëror që mbahet pas dy vjetëve në Brazil. Ai nuk trego apetit për gol edhe pasi një pjesë e tifozëve kuqezi përdorën mbiemra si “tradhtarë” dhe “maxhupë” në drejtim të disa lojtarëve shqiptaro-zviceranë.

Të gjithë prisnin një natë me ndjenja të përziera në Luzern. Dhe vërtet ajo meritonte të mbyllej me më shumë klas nga tifozeria e pranishme shqiptare.

Por në këtë qytet, në qendër të Zvicrës, ka një monument të famshëm që njihet si “Luani i plagosur” dhe që është ngritur për mercenarët e rënë në mbrojtje të mbretit francez. Edhe sjellja e disa tifozëve shqiptarë gjatë lojës së të martës mund të ketë “plagosur” ndjenjat e shumë bashkëkombësve dhe të vetë lojtarëve me origjinë shqiptare që janë elitë e lojës në këtë shtet.

foto  
Tifozët kuqezi fillojnë të mblidhen  

 

Qysh nga ora 14:00, në një kënd përskaj stadiumit, përkrahës të veshur me flamuj dhe fytyra të maskuara me shqiponja dykrenare këndonin shqip këngë patriotike dhe të tifozerisë. Shqiptarë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Zvicra, Britania e Madhe, Franca e ndoshta edhe nga shumë vende të tjera. Më tutje, afër një fushe të tenisit, edhe tifozë zviceranë komentonin dhe diskutonin për lojën.

Disa nga tifozët kuqezi kishin udhëtuar nga Shqipëria me veturë dhe në bagazhet e tyri kishin flamuj e bori të ndryshme.

Katër burra në një mercedes më tabela nga Shqipëria u ndalën afër tifozëve. “Çka mendoni për kosovarët që luajnë për Zvicrën?”, pyeti njëri, dikur.

“Eh, çka nuk mund të flas keq. Vëllezër i kemi edhe ata”, shprehet një bga tifozët i cili dukej rreth të 50-tave.

Mirëpo shpejt u pa se këtë qëndrim nuk e ndanin të gjithë tifozët.

Në qoshen e tifozëve kuqezi këngët e zakonshme të tifozerisë filluan të përzihen me disa vargje të bëra enkas për këtë lojë. Ato përmbanin shprehjen “tradhtarë”.

Ndarja filloi të bëhej më e qartë. Posa niste të këndohej kjo këngë, shumë nga përkrahësit nuk e vazhdonin këngën. Për shumë nga ta bartja e flamurit zviceran nuk përbën tradhti, por më shumë përkatësi.

Ndoshta kjo është loja e vetme në kualifikime ku disa nga përkrahësit me mburrje kanë bartur të dy flamujt, zviceran dhe shqiptar, për të treguar një qëndrim plotësisht të ndryshëm me atë të fansave që këndonin këngën speciale kushtuar “tradhtarëve”.

Latif Shkodra, shqiptaro-zviceran, i cili e mbante një fanelë me shqiponjë dhe kryq të Zvicrës, thoshte para lojës se cilido ekip që të fitonte për të është njëjtë.  “Mirë që i luajnë (kosovarët) për Zvicrën. Këtu i kanë marrë krahët. Zvicra i ka ngritë kaq lartë”, thotë Latifi.

foto  
Shqiponja dhe kryqi zviceran në një dres  

Ai shtoi se kur ka lajme të mira për individët shqiptarë, ai ndjehet mirë për vete dhe shqiptarët tjerë që janë këtu në Zvicër.

Si duket kështu ndjehen edhe shumë shqiptarë tjerë që jetojnë në shtetin helvetik, pasi britmat e tifozëve kuqezi që përfshinin thirrjet “tradhtarë” dhe “maxhupë”, më vonë gjatë lojës, nuk u përkrahën nga pjesa më e madhe e tifozëve. Përkrahjet shuheshin posa fillonin fjalët fyese.

Nga disa, kjo atmosferë u përjetua rëndë pasi të pesë futbollistët shqiptarë kishin familjet e veta në tribina. Nuk janë ndjerë mirë edhe shumë të tjerë të cilët ishin afër familjarëve ose njihnin ata.

Në gjysmën e lojës, të gjithë gazetarët shqiptarë që jetojnë në Zvicërr ishin bërë “xeher” nga komentet e një pjese të publikut. Ata nuk e shihnin këtë gjë në regull.

Fillon pjesa e dytë. Loja është përafërsisht e njëjtë. Zviceranët sulmojnë tërë kohën, shqiptarët mbrohen dhe tentojnë të befasojnë me kundërsulme. Publiku vazhdon me avazin e parë. Në tribina të stadionit, për nga veshja, ishte vështirë të shihje se cilët ishin shqiptarët e cilët zviceranët. Të gjithë ishin të kuq, por disa më pak  bardh e disa më pak zi.

Loja vazhdon. Rezultati bëhet 2:0 për Zvicrën pas një penalltie. Trajneri Hitzfield fut në lojë edhe shqiptarët tjerë që nuk ishin angazhuar nga fillimi. Që të gjithë – pesë shqiptarët – morën pjesë në fitoren e Zvicrës.

Me të përfunduar loja, publiku fillon të bërtasë “Valon Behrami! Valon Behrami! Valon Behrami!”. Posa ai i afrohet publikut, ndërrojnë temë dhe fillojnë ta shajnë lojtarin. Ishte ky truku i fundit të cilin disa nga tifozat kuqezi e kishin në mëngën e tyre.

Pas mbarimit, lojtarët shkojnë në hotel. Aty mblidhen edhe disa nga tifozët kuqezi. U dukën edhe disa fytyra nga Kosova.

Muhabti. “Tifozët nuk ishin kundër të gjithëve (shqiptaro-zviceranëve). Ne e kemi vetëm me Valonin, pasi ai ka thënë një herë që do të luaj për Shqipërinë pastaj ka ndryshuar mendje”, thotë njëri. Të tjerët pajtohen.

Për gjuhën e përdorur natën e të martës, pas shumë birrave, disa nga tifozët u pajtuan se ishte e vrazhdët.

foto  
Tifozëve shqiptarë s’u ka pëlqyer rezultati  

 

Në ditët që pasuan filluan edhe reagimet, kryesisht përkrahëse për futbollistët shqiptarë të kombëtares së Zvicrës. Në Shqipëri, Mero Baze lavdëroi futbollistët nga Kosova dhe i quajti sharjet anti-kosovare. Në këtë shkrim ai shau edhe Kryeministrin Sali Berisha e më shumë kryetarin e Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka.

Në Kosovë, kishte përkrahje ndaj yjeve shqiptare dhe mllef kundër atyre që i shanë.

Në media sociale Enver Robelli, gazetari me nënshtetësi shqiptaro-zvicerane, dha një kritikë të ashpër kundër sjelljeve të pahijshme të disa shqiptarëve, në një “Note” të shkurtër në Facebook. Ajo u përkrah nga shumica e komentuesve.

Në Zvicër, mediumi kryesor i shqiptarëve të këtushëm Albinfo.ch gjeti anë pozitive derisa komentoi duke thënë se pas gjithë asaj zhurme që u bë për lojën nuk ndodhi asnjë incident më i madh.

Gazetat zvicerane vazhduan të mburren me Kn-albanians Swiss-made. Faqet e para të tyre patën fotot e Shaqirit, Behramit dhe të tjerëve.

Sikur ndodhë gjithmonë tek ne, debatet shpejt do të shuhen deri në lojën e ardhshme në Tiranë, kur takimi zhvillohet me përvojën e kësaj loje që me gjithë shijen e keqe kaloi mirë për një takim me aq shumë tension.

Në një farë mënyre, Zvicra e mundi dy herë kombëtaren shqiptare kur lojtari shqiptar nuk shënoi një gol të tretë. Një herë në garë fer, një herë moralisht.

foto  
Shqiptarët kanë arritur shumë në sportin zviceran  

Po ka edhe një tregim tjetër nga kjo lojë – që Shqipëria dhe Kosova mbesin në fund të pusit europian sa i përket sportit.

Olimpiada kaloi pa asnjë medalje, ndërsa shkollat e sportit nuk arrijnë të nxjerrin asgjë mbi mesatare të kohëpaskohshme (me përjashtim të Judos kosovare). Deputetë dhe politikanë japin komente për këto mungesa, por së paku në Kosovë ministri Memli Krasniqi nuk drejton një politikë të qëndrueshme sportive.

Mesazhi është i qartë: nëse dëshiron të bëhesh sportist kulminant, harroje Kosovën dhe Shqipërinë. Niveli i sportit është shumë herë më i ulët se sa në rajon prej nga dalin edhe superyje si tenisti Novak Gjokoviq, me prejardhje nga Zveçani.

Qytetarëve dhe politikanëve u mbetet të mburren me sportistët shqiptarë made in EU, ose të merren më seriozisht me punën e sportit.