Gurë Pas Ortekut në Restelicë

Aty padyshim shitet djathi më i mirë në gjithë vendin, por pazari i Restelicës është institucion me meny shumë më të gjerë. Ai është edhe një lloj korzoje e fshatit, një vend ku flitet për botën. Gratë vijnë shpesh të mbuluara fort, e prapë me qerpikë të lyer. 

Sivjet diskutimet aty janë shpesh brutalisht ekzistenciale. Këto ditë padyshim tema më e rëndësishme janë gurët.

Mëse 200 shtëpi janë të rrezikuara prej tyre.

Adnan Mutash, i cili që 15-të vjet punon në Itali, thotë se filloi të preokupohej kur i kishte vërejtur qartë lëvizjet e shkëmbinjve. Madje ai solli edhe ekspertë italianë për t’u marrë këshilla se si të largohen këta gurë.

“Është terren i vështirë”, thotë ai. “Para se të kërkonim ndihmë nga institucionet, u munduam ta zgjidhim vetë, mirëpo kushtonte shumë”.

“Restelica është terren i vështirë” Adnan Mutash

Mutash tha se çdo muaj ka shkuar tek kuvendi komunal dhe në Qeverinë e Kosovës. Tani, shton ai, fshatit i janë dhënë premtime se deri në fund të vitit gurët nuk do të jenë më kërcënim.

Restelica që gjendet 25 km larg Dragashit, është fshati më jugor i Kosovës. Për nga popullsia dhe numri i shtëpive, është fshati i tretë më i madh në vend pas Junikut dhe Zhurit. Ka rreth 8000 banorë që jetojnë në rreth 1250 shtëpi.

E gjithë Restelica është e rrethuar me kodra të larta. Shtëpitë janë të ndërtuara poshtë luginës, ndërsa rrugët që të dërgojnë nëpër fshat janë të ngushta e me përpjeta. Shkëbinjtë janë vështirësia më e re. 

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e fundit të mbajtur më 1 gusht, mori vendim t’i ndaj 30 mijë euro për evitimin e rrezikut prej tyre. Vendimi u mor pas kërkesës nga Komuna e Dragshit.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Selim Jenuzi, tha se tenderi për heqjen e shkëmbinjve pritet të hapet brenda javës së ardhshme.

“Kompanitë qe do të konkurrojnë do të bëjnë studimin e vendit dhe pas kësaj do të japin ide se si të largohen shkëmbinjtë”, tha Jenuzi, për Gazetën JnK.

Kompanitë do të kenë 25 ditë afat për të dhënë ofertat dhe kushtet e tyre.

foto  
Selim Jenuzi, kryetar i Dragashit  

 

Banori Adnan Mutash, thotë se bazuar në vlerësimet që ai ka bërë bashkë me ekspertët italianë, duhen 80 mijë euro për të hequr tërë gurët kërcënues.

Kryetari Jenuzi tha se nëse buxheti i ndarë prej 30 mijë eurove nuk është i mjaftueshëm për asgjësimin e shkëmbinjve, atëherë Komuna e Dragashit detyrohet të ndajë mjete tjera nga buxheti i saj. Komuna ka buxhet rreth 5 milionë euro.

Mutashit i duket se interesimi nga institucionet e Kosovës për heqjen e shkëmbinjve vjen shkaku i tragjedisë së 11 shkurtit të këtij viti, si pasojë e rrokullisjes së ortekut të borës, i cili ia morri nëntë jetë dy familjeve Reka.

Vetëm vajza e vogël A.R., tash gjashtë vjeçare, i mbijetoi tragjedisë. Ajo jetoi një kohë me familjen e dajve në Prizren, por tash gjyshi Haxhi Kamberi, nga nëna, është kthyer nga Italia për të jetuar në fshat. Shtëpia e tij nuk ishte prekur nga orteku. Ka dy muaj që ai ka marrë vajzën e vogël e cila po përgatitet të shkojë në shkollë këtë shtator. 

“Nuk e lëmë të kujtojë shumë ato që kanë ndodhur dhe gjendja e saj emocionale është e fortë”, thotë gjyshi dhe kujdestari i saj i sotëm. Pjesa tjetër e familjes së Haxhi Kamberit jeton në Itali.

Hoxha i fshatit, Shaban Hoxha, njeriu që ndihmojë Forcës e Sigurisë së Kosovës (FSK) ta gjenin atë të gjallë pasi përdori mjete tradicionale të kërkimit (një gyp që e fuste në borë dhe me të cilin dëgjonte), tha se i kishte dhënë vajzës pak mësim fetar këta muaj.

“Ajo mëson shumë dhe dëshiron gjithmonë të jetë e para”, thotë Hoxha. “Është fëmijë shumë i shoqërueshëm”.

E nëse vajza nuk flet për tragjedinë, gjurmët e saj janë gjithandej. Edhe pas shtatë muajsh pamja e shtëpive të shkatërruara në Restelicë vazhdon të mbetët e njëjtë. Askush nuk ishte kujdesur madje as për heqjen e mbeturinave.

Banori tjetër i fshatit, Refki Xhelo, i cili jeton shumë afër shtëpive të shkatërruara, thotë se shumë njerëz, duke filluar nga institucionet vendore dhe delegacione nga rajoni, kanë qenë për vizita por askush nuk ka ndihmuar në rindërtim.

Xhelo, të cilit oretku i borës ia kishte prishur kulmin e shtëpisë, e kishte rregulluar atë vetë.

“Edhe rrymën e kemi rregullu vetë, e kemi ble kabllon, ndërsa është e shtruar nëpër tokë, se nuk kemi mundur të blejmë shtylla elektrike”, tha ai.

fotof  
Shkatërrimet e ortekut në Restelicë ende të pa sanuara  

 

Kryetari Jenuzi thotë se Komuna e Dragashit nuk ka buxhet të mjaftueshëm për rregullimin e shtëpive, por se, thotë ai, familjes Reka i është ndarë një truall për rregullimin e shtëpisë në vend më të sigurt.

“I kemi dorëzu kërkesat për rregullimin e shtëpive në katër ose pesë ministri, se si do të veprojnë ata, ne nuk e dimë”, tha ai Jenuzi.

Kryetari Jenuzi thotë se Restelica ka terren të papërshtatshëm dhe se mund të ndodhin prandaj gjëra që nuk mund të parashikohen lehtë. Por, thotë ai, në këtë drejtim po “ndihmojnë” edhe banorët duke ndërtuar shtëpi “në vendet ku nuk është e lejuar dhe ku atyre u rrezikohet jeta”.

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) thotë se një ekip e ka vlerësuar gjendjen në Restelicë si të rëndë dhe se kërkohen mjete të rënda e të specializuara për të evituar rrezikun. Sipas saj, FSK nuk ka mjete teknike-profesionale për të larguar gurët, por thotë se mund tu ndihmojë banorëve në evakuim, intervenime mjekësore dhe logjistike.