Pesëfishohet Numri i 100-Vjeçarëve

Ka filluar të ketë probleme me frymëmarrjen por jo edhe më kujtesën. Kalojnë disa minuta derisa e merri veten. Mban plisin dhe përshëndet në mënyrë tradicionale

Ahmet Gashi, 103 vjeçari nga Dobërdoli i Podujevës, është ndër personat më të moshuar në Kosovë. Ai ka qenë 4 vjeç kur është shpallur Shqipëria shtet.

Më një shtator të këtij viti mbush një shekull e katër vjet jetë. Është lindur në vitin 1908.

Sekreti i jetëgjatësisë së tij thotë se është qumështi i deleve. “Kam pasur dele gjithmonë. Tamlin e tyre hala e pijë”. 

“Djemtë kanë dashtë me m’i shitë po s’guxojnë, nipat po i shti me m’i ruajt delet”, thotë ai duke nënqeshur e duke shikuar kah djemtë e tij që janë më shumë se 70 vjeç.

foto  
Ahmet Gashi  

 

Gashi nuk e di saktë sa nipa e mbesa dhe stërnipa e stërmbesa ka. “Diku më shumë se 60 janë krejt. Kam katër djem e pesë vajza”, thotë ai.

Fëmija i tij i madh është 30 vjet më i ri se ai, ndërsa disa prej pasardhësve të tij jetojnë jashtë Kosovës.

Sot Ahmet Gashi nuk njeh ndonjë bashkëmoshatar të fshatit të tij që është ende gjallë.
“Kanë vdekë të gjithë”, thotë ai. 

Llogaritet se në çdo dhjetë mijë banorë në Kosovë është një 100 e më shumë vjeçar.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) i ka dërguar Gazetës Jeta në Kosovë një listë të përfituesve të pensioneve kosovarë për personat mbi moshën 100 vjeçare.

Më 2012, numri i tyre është 152. Ky është pesëfishi i numrit të 100 vjeçarëve pensionistë sa figuronin më 2007 – atëherë kishte vetëm 32.

Numri u rrit në 42 më 2008, 58 më 2009, 89 më 2010 dhe 104 më 2011.

Më 2007, Enti i Statistikave të Kosovës (ESK) kishte bërë raportin e fundit për shifrat e mbi 100 vjeçarëve. Atëherë, gruaja më e moshuar Feride Bucolli kishte 107 vjet dhe jetonte në Poklek të Drenasit. Ajo vdiq vitin e kaluar në moshën 112 vjeçare.

Listës me personat më të moshuar i prinin Prizreni, Kaçaniku, Deçani, Peja dhe Vushtrria.

Në raportin e ESK-së, atëherë, thuhej se në kushte normale në 100 mijë banorë mund të ketë vetëm një 100 vjeçar. “Hulumtuesit dhe shkencëtarët të cilët merren me jetëgjatësinë e njerëzimit për shekullin 21 vlerësojnë se: vetëm një person në 100 mijë banorë mund të jetojë më shumë se 100 vjet, derisa prej tyre vetëm një mund të ketë mbi 110 vite, gjersa prej 5 mijë të moshuarve mbi moshën 110 vite, vetëm një ka mundësi të jetojë 120 vite”, thuhej në raportin e ASK-së.

Sipas listës së MPMS-së, Kosova ka dukshëm mesatare më të lartë të 100 vjeçarëve.

Sipas ESK-së, sekreti i jetëgjatësisë të këtyre personave është përdorimi i produkteve bio. 90.5 për qind e personave që janë më shumë se 100 vjeç kanë përdorur yndyrë gjethi, 48 për qind e tyre kanë përdorur bukë misëri dhe 86 për qind e tyre nuk kanë konsumuar duhan.

Në përgjithësi, jetëgjatësia mesatare në Kosovë, sipas ASK-së, është 69 vjet. Për meshkuj 67 dhe për femra 71 vjet.

Në ranglistën botërore të jetëgjatësisë mesatare Kosova radhitet në vendin e 118, nga gjithsej 196 sa janë. Pas Kosovës vjen Moldavia. Ndërsa në vendin e parë për jetëgjatësi është Japonia me mesataren 82.6 vjeç, më pas Hong Kongu 82.2.

Kosova numëron 170 mijë pensionistë.

Femrat kosovare jetojnë më gjatë

Rreth 25 për qind më shumë meshkuj vdesin në krahasim me femrat në Kosovë, tregon buletini tre-mujor i Entit të Statistikave të Kosovës (ESK) i botuar në korrik të këtij viti.

foto  
Foto: Korab Basha  

 

Në vitin  2009  nga numri i përgjithshëm 224 i vdekjeve, 124 ishin meshkuj kurse 100 ishin femra. Në vitin 2010 kishte gjithsej 202 vdekje prej tyre 118 meshkuj, ndërsa më 2011 kishte 145 vdekje prej tyre 78 meshkuj.

Statistikat tregojnë se numri i vdekjeve ka rënë por pranë, në raport të gjinive, meshkujt vdesin më shumë.

Një publikim i vitit 2010 i Divizionit të Statistikave të Kombeve të Bashkuara thotë se faktorët socialë, kulturorë dhe ekonomikë mund të ndikojnë në avantazh të natyrshëm të grave në krahasim me burrat.
 
Por, prapë në vendet në zhvillim, ku shtatzënia dhe lindja mund të jenë kërcënuese për jetën, ekspozimi i grave ndaj rreziqeve që lidhen me shtatzëninë dhe lindjen kanë tendencë për të barazuar vdekjen mes dy gjinive.

Po ashti edhe në vendet e zhvilluara, vrasia e grave në duhan dhe pije, gjithashtu mund të ndikojnë në barazimin e jetëgjatësisë.