Blerja e Autoblindave Dyshohet se Ishte e Kurdisur

Blerja e dy autoblindave nga Policia e Kosovës në korrik të vitit të kaluar dyshohet se është kryer përmes një tenderi të kurdisur në favor të një tipi makinash, që e ka fituar një kompani private me bazë në Prishtinë.

Në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, që i referohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, konstatohet se kishte pasur shkelje ligjore në tenderin për blerjen e autoblindave.

Zyra e Prokurimit në Policinë e Kosovës kishte kërkuar në tender kritere të cilat auditorët i kanë quajtur përshtatja të specifikacioneve teknike të operatorit të caktuar ekonomik. Kompania fituese ishte “NTP Friends” ku është pronar Armend Selimi.

“Ka pasur shkelje ligjore në tenderin për blerjen e autoblindave.” Zyra e Auditorit të Përgjithshëm  

Përfituesi i këtij tenderi bashkë me biznesmenin tjetër Astrit Pira janë duke u mbajtur në arrest shtëpiak pas dyshimeve të ngritura për krim të organizuar në tenderët për furnizim me armë të Policisë së Kosovës. NTP Friends nga viti 2007 e deri në vitin 2009 ka lidhur kontrata publike me Policinë e Kosovës në vlerë prej afro 1 milionë euro e gjysmë.

Po ashtu, një hulumtim i mëhershëm i kryer nga Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar një rrjet të kompanive të udhëhequra nga apo të lidhura me shitësit e armëve Selimi e Pira, të dyshuar për korrupsion, e të cilët kishin siguruar një varg kontratash nga institucionet Kosovare dhe të BE’së.

Ndërkohë auditorët kanë gjetur se veç tenderëve të furnizimit me armë parregullsi ka pasur edhe një tender për blerjen e autoblindave.

Policia e Kosovës në korrik të vitit 2011 kishte shpallur fitues kompaninë NTP Friends në tenderin për Furnizim me Automjete Speciale për Policinë e Kosovës. Ky tender ndahej në dy lote e të dyjat i kishte fituar e njëjta kompani.

Për lotin e parë, atë për furnizim me autoblinda, kompania kishte kërkuar mbi 460 mijë euro ndërsa për furnizim me Automjet Kundër Trazirave (Top uji) kjo kompani kishte kërkuar 327 mijë e 230 euro.

“Ne gjithashtu nuk jemi pajtuar me të gjeturat e ZAP-it duke u thirrur në vendimin e OSHP-së” Policia e Kosovës

Për pjesën e parë të këtij tenderi-  “Furnizim me dy autoblinda” , auditorët kanë konstatuar se Zyra e Prokurimit e Policisë së Kosovës kishte hartuar dosjen e tenderit me specifikacione të përshtatura.

“Kjo është vërejtur të pozicionet në vijim: – Madhësia e motorit si dhe sistemi i ftohjes se motorit janë kërkuar të jenë fikse. Në këto raste nuk janë marrë parasysh minimumet e lejuara; dhe – Dimensionet e Automjetit janë kufizuar si në vijim: gjatësia 4150mm – 4200mm, gjerësia 1810mm – 1850mm dhe lartësia 2260mm – 2300mm”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Kjo sipas auditorëve përben shkelje të Ligjit të Prokurimit Publikë pasi që neni 28 e ndalon rreptësishtë hartimin e specifikave teknike që favorizojnë apo diskriminojnë një Operator Ekonomik.

Po ashtu pika 7 e këtij neni, sipas auditorëve, ia ndalon Autoriteteve Kontraktuese përpilimin e specifikimeve teknike që i referohen një artikulli ose burimi të veçantë, ose një procesi të hollësishëm.

Në raport thuhet se kompanitë që kishin dalë humbëse në tenderë ishin ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ky organ sipas auditorëve i kishte dhënë të drejtë Policisë së Kosovës pasi kishte konstatuar se Zyra e Prokurimit i ishte përmbajtur kritereve të Dosjes së Tenderit.

Gjetjet e auditorit kundërshtohen nga Policia e Kosovës. Vendimet e OSHP-së sipas Zyrës për Media të Policisë janë dëshmi se procesi ka shkuar në rregull dhe nuk ka pasur kurrfarë shkeljesh ligjore.

“Askush nga zyrtarët e kompanisë nuk mundet dhe nuk dëshiron të flasë rreth kësaj çështje.” Zaide Osmani

“Ne gjithashtu nuk jemi pajtuar me të gjeturat e ZAP-it duke u thirrur në vendimin e OSHP-së”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Policisë së Kosovës.

Hysni Hoxha kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit ka deklaruar se tenderi për blerjen e autoblindave ishte kryer ligjshëm dhe nuk kishte pasur kurdisje.

“Specifikimet teknike sipas Policisë së Kosovës janë hartuar konform Ligjit të Prokurimit Publik duke i hartuar në atë mënyrë dhe masë për të pasur konkurrencë të hapur dhe jo diskriminuese siç janë madhësia e motorit të automjeteve është caktuar minimum 4 litra turbo diesel, aksin 4×4 ose 6×6 numri i cilindrave minimum 4 fuqin e motorit minimum 120 ps për madhësi të rrotave kanë caktuar 16 ose 17 inq”, ka deklaruar Hoxha.

Në këtë tender, sipas tij, Policia e Kosovës veç kompanisë fituese kishte shpallur ofertues të përgjegjshëm edhe kompani tjera por e kishin humbur garën pasi që nuk ishin ofruar me çmimin më të lartë.

Zyrtarët e kompanisë NTP Friends nuk kanë pranuar të komentojnë rreth gjetjeve të auditorëve.

Zaide Osmani, që figuron si zyrtare kontaktuese në Njoftimet për Dhënie Kontrate në tenderët që fitohen nga kjo kompani,  ka thënë se askush nga zyrtarët e kompanisë nuk mundet dhe nuk dëshiron të flasë rreth kësaj çështje.