Filmat Shqiptarë me Gabime Elementare

Regjisori shqiptar i cili jeton në Norvegji, Izer Aliu thotë që kjo është hera e fundit që do të marrë këtë përgjegjësi. Vetëm gjatë këtij viti ai ishte pesë herë anëtar jurie në vende të ndryshme dhe në DokuFest erdhi në këtë rol ngase u kishte premtuar organizatorëve qysh vitin e kaluar.

“Nuk është se është punë e rëndë, por duhet me diskutu shumë edhe kur nuk fiton filmi që ke mendu që e meriton, s’ki qef me bo kompromise. E unë nuk bëj kompromise”, shprehet ai në një intervistë për KALLXO.com.

Si anëtar jurie në kateorinë e filmave kombëtarë ai ka shumë kritika për filmbërësit shqiptarë. Por, edhe pse shprehet lirshëm thotë që shqiptarët nuk e duan kritikën.

“Edhe kur thojnë që e pranojnë, nuk e pranojnë”.

“Sa u përket filmave disa janë shumë katastrofë, disa kanë kualitete”, thotë ai.

Duke mos përmendur emra, Aliu thotë që në përgjithësi ka gabime elementare në filmat e kësaj kategorie. Një ndër gabimet më të shprehura, sipas Aliut, është fakti që regjisorët kur bëjnë filma mendojnë që shikuesit duhet të kenë njohuri paraprake për temën që ata kanë zgjedhur.

Në fakt, ai thotë se duhet të jetë krejt e kundërta.

“Një film duhet me u kuptu edhe në Kinë e Amerikë, ndryshe ai nuk ka kuptim”.

Një gabim tjetër ai konsideron që është edhe mosfutja e detajeve në film. “Nuk mirren me sene specifike, e qajo specifikë i bon filmat universalë”.

Po ashtu filmimin në ambiente të mbyllura e sheh problem të madh.

“Shumica e filmave që i kom pa deri qitash i kanë bo mrena, a sa shumë natyrë ka. Duhet me pa bukurinë ku je. Ka shumë vene interesant ktu. Okej lodhesh tu e majt kamerën, s’ki qef me dal jashtë, është ma lehtë. Disa skena a filma me u bo mrena osht në rregull, po shumica e filmave mrena, kjo osht pak e çuditshme”.

Këto gabime në përmbajtje, regjisori thotë që filmbërësit po mundohen t’i mbulojnë më anën vizuele në realizim.

“K’tu po dojnë me përdorë qat kamerën që e kanë me u dok filmi ma mirë se që osht. Don’t mask it”.

Në bërjen e në filmi, ana teknike nuk është shumë e rëndësishme për të. Ajo mund ta rrisë filmin për 2-3%, por e rëndësishme, sipas tij, është çka ka në ekran dhe jo si duket në ekran.

“Unë e mbaj mend kur isha i ri edhe unë kam pas qef që filmi me u dok bukur. E bajnë pakuptim, e lënë anash përmbajtjen për anën vizuele”.

Ai shprehet që këtu ka artistë shumë të talentuar. Por, nëse je artist i talentum nuk nënkupton që je edhe producent edhe regjisor edhe skenarist.

“Nëse din me lujt Hamletin, nuk domethanë që din me shkrujt Hamletin”.

“Kreativiteti sen i mirë që pe vrej. Po ka filma që kanë detaje, e detajet e bojnë filmin. Por, ka disa gjana që i kanë kopju. Na faktikisht të gjithë marrim prej diku, por duhet me e përpunu çka ke pa e me qit prej vetit, jo me marr copy-paste”.

Filmi është art dhe Aliu artin e sheh si diçka që secili e bën me dëshirë.

“Kërkush nuk po t’shtin me zor, ti me qef pe bon edhe nëse don me bo, bone mirë”, thotë ai.

“Ka njerëz që kanë bo film e thojnë ni muj mi ka marrë, e ni muj kurgjo nuk osht. Punoni ni vjet për ni film. Na duhet me qenë të sinqertë. E kur diçka nuk ka shku mirë, regjisori duhet me thonë: që e di qe jeni lodh po qikjo nuk shkon, nuk e kena bo mirë. Nuk duhet të vetëmjaftohemi”, shprehet ai.

Sipas tij, janë disa detaje që duhet shikuar te filmat kombëtarë për të hyrë në garë ndërkombëtare.

“Ka gabime, e me i përmirësu ato ka ven me hi në filmat ndërkombëtarë”.

Regjisori Izer Aliu në planet e tij ka edhe realizimin e një filmi në Kosovë, por nuk përmend afate kohore.

Në edicionin e 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest” janë në garë 12 filma në kategorinë “Kombëtare”.