Gratë Mbijetuese të Dhunës Rrëfehen në Teatër

Regjisorja e kësaj shfaqjeje Zana Hoxha-Krasniqi, kishte bërë vizita nëpër strehimore të qyteteve të ndryshme të Kosovës, dhe përpos historive të dhimbshme që u treguan nga gratë viktima të dhunës, edhe historitë e interpretuara nga aktoret ishin me baza të vërteta.

“Për mua ka qenë shume e vështirë me thënë të drejtën, por kur m’u dha fjala me dhënë një mesazh për nënat mos me i lanë fëmijët mbrapa, u gëzova që zëri im të shkojë sa më lart për nënat tjera, për motrat e mia” tha Bashkime Sulejmani, njëra nga të mbijetuarat e dhunës, për të cilën kjo kishte qenë edhe hera e parë në jetën e saj që vinte në teatër.

Regjisorja Hoxha-Krasniqi, tregoi se përpos që ishte prekur nga këto rrëfime gjatë përgaditjes dhe mbledhjes së materialit, ishte edhe publiku ai që e preku shumë, pasi që shumica në publik qanë gjatë dhe pas mbarimit të shfaqjes.

“Ka qenë një proces shume i zorshëm. Mirëpo besimi dhe dorëzimi i gjithë njerëzve në këtë proces, qëllimi që këto gra ia kanë vu vetës për të bërë diçka, për t’i bërë gratë që kanë qenë në strehimorë të ndihen mirë dhe të barabarta, kjo për mua ka qenë fitorja më e madhe” tha Hoxha-Krasniqi, e cila njihet për shfaqjet e saj sociale-vetëdijësuese.

Në mesin e aktoreve ishte edhe Melihate Qena, e cila së fundmi u nderua me çmimin për vepër jetësore, e cila tha që shfaqjet me tema të tilla zgjojnë një interesim të madh. Për të ishte hera e parë që luante në një shfaqje që kishte temë të këtillë.

“Mendoj që qëllimi dhe tendenca e kësaj shfaqje është me i hap ato [gratë mbijetuese të dhunës], dhe mënyra se si ato i tregojnë historitë, asnjë artist s’mund t’iu afrohet” tha aktorja Qena.

Qendra Evropiane për Çështje të Pakicave (ECMI) Kosova, në vitin 2012, bëri një analizë të shkrutër për dhunën në familje.

Sipas analizës, në statistikën mbarë botërore se mesatarisht, të paktën një në tre gra është rrahur, detyruar në seks ose keqtrajtuar në formë tjetër nga partneri intim gjatë jetës së saj. Kosova nuk bën përjashtim nga këto statistika.

Sipas Blerta Zeqirit, dramaturgës së shfaqjes “Copë Copë”, kultura dhe shfaqjet teatrale nuk janë mënyra e vetme e luftimit të këtij fenomeni.

“Kjo duhet me u luftu prej të gjitha anëve. Me qenë ndoshta edhe politikë shtetërore që me i ndryshu perceptimet për sa i përket femrës”, u shpreh Zeqiri.

Pas  premierës që u mbajt në orën 20:00, repriza e shfaqjes u dha menjëherë edhe në orën 21:00 për shkak të kërkesës së madhe të publikut.

Për të rritur ndikimin dhe vetëdijësimin në lidhje me këtë çështje, shfaqja do të lëvizë edhe në disa qytete tjera të Kosovës.