Artistet austriake hapin galeri në Prishtinë

Isabella Ritter dhe Katharina Schendl nga Austria, njëra historiane e artit dhe kohë pas kohe kuratore e pavarur, tjetra arkitekte me formulim kulturor edhe në arte, vendosën që të investojnë në një hapësirë të vogël afër Grand Hotelit, në rrugën ‘Garibaldi’ dhe ta shndërrojnë atë në një galeri në të cilën do t’u jepen mundësi të paraqitjes punës së artistëve lokale dhe ndërkombëtarë.

‘Lambdalambdalambda’, quhet galeria, emër ky që ka të bëje me fizikën, ku në këtë shkencë ‘lambda’ është simboli që paraqet frekuencën e transmisionit, por sipas pronareve, përveç që tingëllon si emër argëtues, artistikisht ka për pikëpamje hapësirën e bashkëpunimit.

Përderisa për Schendl është hera e parë që vie në Kosovë, Ritter ka qenë edhe më herët dhe ka përcjellur punën e disa artistëve tanë. Kjo i ka dhënë shtysë që ta inkurajojë kolegën e saj të bashkëpunojë me të në ardhjen këtu dhe  krijimin e një hapësirë ku do të mund të shfaqet dhe zhvillohet arti bashkëkohor i artistëve ndërkombëtarë në bashkëpunim me artistët tanë.

Në ekspozitën e parë të kësaj galerie u paraqitën punime të artistes tonë, Flaka Haliti, dhe të artistes vjeneze, Nadja Athanossaëa.

Përfaqësuesja e pavijonit të Kosovës në edicionin e ardhshëm të Vennice Bienal, Flaka Haliti, në këtë ekspozitë u paraqit me dy punime, shtypje të fotografisë të edituar në material alumin, të cilat janë pak a shumë në seri, të titulluara “Kopshti iluminues”.

“Sa më shumë galeri, sa më shumë lloje të programeve që prezantohen në publik, aq më mirë është për skenën. Në këtë rast mendoj që kjo do ta zgjerojë platformën e skenës edhe artit, dhe bashkëpunimin me artista edhe jashtë, edhe brenda”, tha Haliti.

Artistja vjeneze Nadja Athanossaëa, e cila udhëtoi nga Vjena në Beograd me tren, për të vazhduar me pas me autobus në Kosovë, prezantoi një punim të veçantë për lokacionin, që përpiqet të lidhë krijimtaritë e të dyja artisteve.

Athanossaëa tha se padyshim që do të pranonte ftesën përsëri të prezentojë punën e saj në Kosovë dhe shpreson se do të arrihen të bëhen shkëmbime mes artistësh, në mënyrë që edhe artistët tanë të kenë mundësi të prezantojnë punimet e tyre jashtë vendit.

Ky edhe është njëri ndër e qëllimet e pronareve, të cilat mendojnë se artistët tanë kanë potencial për të zhvilluar karrierën e tyre edhe në skenën ndërkombëtare.

‘Pak njerëz dinë për artin që bëhet këtu. Unë kam udhëtuar kudo në Ballkan, kam bërë shumë ekspozita, kam jetuar në Lublanë, pra kam qenë rrotull për një kohë të gjatë, por mund të them që ky vend më duket më interesanti momentalisht” tha Katharina Schendl, njëra nga pronaret e galerisë.

Galeria do të ketë një funksion të përhershëm, në projekt të së cilës çdo dy muaj do të ketë ekspozita të ndryshme. Ekspozita e rradhës pritet të jetë më 20 mars.