Ilustrim

Historitë e Balerinëve Kosovarë Motivojnë Koreografin Toulon

Është hera e tretë që Trupa e Baletit të Kosovës në vallëzimet e tyre ka për temë luftën e viteve’98- ‘99, mirëpo kësaj radhe kjo temë u trajtua krejtësisht ndryshe. 

Koreografi Toulon për të cilin është hera e parë që ka ardhur në Kosovë për të investuar dijen e tij, në këtë shfaqje ka punuar intenzivisht me balerinet tanë për rreth 40 ditë radhazi.

Ai tregon se para se të vijë ka ditur shumë pak për Kosovën dhe luftën që ka ndodhur këtu dhe nuk e ka menduar që do të prodhojë diçka të formatit të tillë gjatë punës këtu.

“Kam kuptuar se e tashmja e ndërlikuar në këtë vend, është si pasojë e asaj se sa e ndërlikuar ishte e kaluara. Dhe të vij këtu të punoj me njerëz që dhjetë vjet më parë përjetuan luftë, unë nuk kam nevojë të huazoj një histori nga William Sheakespare”, tha Toulon, sa i përket temës që zgjodhi.

Toulon kërkoi nga balerinët që t’i rrëfejnë atij historitë që ata përjetuan gjatë luftës dhe ai i incizoi këto rrëfime prekëse, të cilat u luajtën në sfond gjatë vallëzimit të tyre. Toulon është me origjinë nga ishulli Dominika në Detin e Karaibeve por jeton dhe punon në Austri.   

Gjatë vallëzimit, ata paraqiteshin herë në kostume me lëvizje më progresive që sipas koregrafit, veshja e tyre simbolizon përparimin e kosovarëve pas luftës, për të arritur punë dhe pozita, e herë paraqiteshin të zhveshur në të brendshme me lëvizje më të shuara, për të përshkruar pasojat e mbetura nga përjetimet, të fshehura në thellësi.

“Ashtu si kanë hyrë ata në mua, edhe unë jam përpjekur të hyj brenda kokës, trupit dhe shpirtit të tyre e të nxjerr gjithçka”, tha Toulon per Gazetën Jeta në Kosovë.

Edhe pse bashkëpunimi i balerinëve me koreografin dhe arritjet e tyre kanë qenë të kënaqshme, Toulon thotë se balerinët tanë janë goxha mbrapa në krahasim me balerinët në Evropë dhe se e ardhmja e tyre duhet të lidhet ngushtë me procese të mëdha të të mësuarit, sidomos në baletin bashkëkohor.

Toulon është mësues dhe lektor në Universitetin e Arteve të Bukura në Graz të Austrisë, gjithashtu drejtor i baletit të Kompanisë Moderne të Vallëzimit “Opera Graz”. Ka krijuar mbi 22 pjesë të baletit dhe ka prodhuar mbi 50 pjesë të tjera, në bashkëpunim me koreografë të njohur ndërkombëtarisht. 

Vjollca Llugiqi, njëra nga balerinat tha se është një përvojë e mirë puna që i mundësohet Trupës së Baletit me koreografë të ndryshëm të huaj, mirëpo kjo është hera e parë që përjetimet e luftës, balerinët i kanë shfaqur para një koreografi, por edhe para njëri-tjetrit.

“Kemi pasë shumë emocione gjatë tërë muajit dhe provave, e sonte gjatë shfaqjes edhe kemi qajtë të gjithë në prapaskenë”, tregon Llugiqi.

Për drejtorin e baletit Ahmet Brahimajn, shfaqja ka arritur të jetë e jashtëzakonshme dhe është arritur synimi për të cilin balerinët janë përkushtuar gjatë punës së tyre me një koreograf me nam botëror.

“Ne kemi nevojë me bashkëpunu me sa më shumë koreografë, edhe për përvojë artistike, por edhe me u njoftë, sepse secili koreograf që vie këtu, kthehet si ambasador i joni në shtetin e vet. Kështu që është një punë e dyfishtë, e rëndësishme për neve, sepse përveç punës dhe bashkëpunimit, krijojmë edhe miq nëpër botë”, tha Brahimaj.

Reprizat e shfaqjes “Your stories, my story” do të vazhdojnë të shfaqen gjatë muajit nëntor, ndërkaq në fillim të po këtij muaji balerinët do të nisin ushtrimet  për shfaqjen e re që do t’i përkasë baletit klasik.