Pasaporta e Kosovës, Foto: Flaka Fazlija - Kallxo.com

Ndërpritet puna me orar të zgjatur në qendrat për pajisje me dokumente personale

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se do të ndërpritet puna me orar të zgjatur në qendrat për pajisje me dokumente personale.

Deri te ky vendim ka ardhur pasi është vërejtur rënie e kërkesave të qytetarëve për aplikim për dokumente.

MPB njoftoi se në këto qendra do të punohet vetëm edhe këtë të shtune, më 11.05.2024, nga ora 08:00 deri në ora 16:00, e më pas do të vazhdohet me orar të rregullt.

“Agjencia  e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të ndërpres punën me orar të zgjatur nga dita e sotme. Ky vendim është marr bazuar në procesin e punës të departamenteve përkatëse për rënie të kërkesave për aplikim për dokumente, andaj bazuar në këtë trend është marr vendim që të punohet vetëm me orar të rregullt” – njoftoi MPB.

Më 25.04.2024, MPB kishte marr vendim që në të gjitha qendrat për pajisje me dokumente, gjatë ditëve të punës të punohet me orar të zgjatur deri në orën 18:00, si dhe të shtunave deri në orën 16:00.

Ky vendim ishte marr për t’ua lehtësuar qytetarëve planifikimin e kohës dhe për t’i zvogëluar pritjet për pajisje me dokumente personale.

Me hyrjen e fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga 01.01.2024 është rritur edhe kërkesa e qytetarëve për pajisje me pasaporta.

Vetëm nga data 1 janar deri në më 5 mars, në MPB janë bërë rreth 124 mijë kërkesa për pajisje me pasaporta.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta biometrike të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të Zonës Schengen.

MPB: Zgjatet orari i punës në qendrat për pajisje me dokumente personale